Ne rrjet

Navalni, Nemtsov dhe ‘djemtë e Sheshit Bolotnaya’, si e eliminoi Putini opozitën në Rusi

Protagonistët e protestave të vitit 2011 të vrarë, në internim apo në burg. Shtypja e çdo mospajtimi, braktisja e çdo pamjeje liberale, ka vetëm një emër: Vladimir Putin

Gazeta Si - "Rossiya bez Putina!" “Rusia pa Putinin”. Ky ishte kori që u ngrit nga Sheshi Bolotnaya. Një mbrëmje dhjetori, në vitin 2011 tanimë të largët.

Nëse do të kishte një foto në grup nga ato ditë, në gjendje për të bashkuar organizatorët dhe folësit e mobilizimit më të madh rus të epokës moderne, atëherë do të bëhej e qartë se me vdekjen e disidentit më të famshëm rus, Aleksei Navalni, mbyllet një rreth që u hap në dimrin e 13 viteve më parë.

Shtypja e të gjitha mospajtimeve, braktisja e çdo pamjeje liberale nga Vladimir Putin, sigurisht që nuk filloi me Operacionin Special Ushtarak në Ukrainë.

“Rusia pa Putinin”, - këndonin në shesh 20 mijë protestues. Kishin kaluar disa ditë nga mashtrimi elektoral që synonte t'i siguronte Rusisë së Bashkuar, partisë së presidentit, një shumicë të pamundur në Duma 9Parlamenti).

Aleksei Navalni, humbi jetën në një burgun rus "Ujku Polar" në rrethana misterioze

Ishte hera e parë dhe e vetme që të gjithë ishin aty. Liberalët, të majtët, intelektualët dhe oligarkët rebelë, “Pussy Riot”. Dhe një lider i ri, Aleksei Navalni (vijon ende misteri rreth vdekjes së tij), i aftë për të mobilizuar të rinjtë.

Erdhi pranvera dhe bashkë me të edhe zgjedhjet presidenciale. Dmitry Medvedev ia ktheu Kremlinin Shefit të tij, i cili kishte jetuar me siklet katër vitet e harresës së kaluar si kryeministër.

Shoqëria civile e shkatërroi partinë për të cilën ai kujdesej më shumë. Sheshi me pamje nga Kanali i Moskës ishte gjithnjë e më i mbushur dhe vepronte si një forcë lëvizëse për sheshet e qyteteve të tjera të mëdha.

“Cari” ishte përpjekur të mashtronte me disa premtime, të cilat rezultuan të kota. Më pas, nisën sulmet e policisë. Por ata vazhduan. Dhe thërrisnin "Jo 1937", duke iu referuar vitit në të cilin filluan spastrimet e Stalinit që kishin burgosur figurat më të rëndësishme të opozitës.

Boris Nemtsov, u vra në 27 shkurt 2015 në qendër të Kremlinit

“Më shkatërruan rizgjedhjen, unë do t’ua shkatërroj jetën”. Nuk dihet nëse shprehja që zakonisht i atribuohet Putinit është thënë në të vërtetë. Nëse është e vërtetë, ai e mbajti premtimin. Pa asnjë përjashtim.

Boris Nemtsov, ish-zëvendëskryeministri në kohën e Boris Jelcinit, ishte truri i atyre demonstratave. Ai u vra më 27 shkurt 2015. Në urën që të çon në Kremlin, vendi më i ruajtur në botë. Por ku, atë natë, video-kamerat ishin jashtë funksionit.

Vladimir Kara-Murza, studenti i tij i preferuar, i cili i mbijetoi dy helmimeve që nga viti 2015, që e lanë me një sëmundje të rëndë nervore, ndodhet në burg që nga prilli i vitit 2023.

Gjykata e Moskës i vendosi dënimin më të rëndë të një kundërshtari që nga fillimi i pushtimi i Ukrainës. Njëzet e pesë vjet burgim. Ai u shërbente atyre në Omsk të Siberisë. Nuk ka lajme prej rreth dy javësh për të.

Vladimir Kara Murza, në një burg rus që nga prilli i vitit 2023

"Unë besoj", tha gruaja e tij Evgenia, "se jeta e burrit tim është në rrezik: të burgosurit politikë rusë mbahen pas hekurave, shpesh me patologji të rënda, pa kujdesin e duhur mjekësor, pikërisht që gjendja e tyre shëndetësore të përkeqësohet". Edhe ai, ashtu si Navalni, kishte zgjedhur të kthehej në vendlindje. Në mars 2022.

Në fillim, Kara-Murza kishte pranuar rrugën e daljes që Kremlini u kishte ofruar disidentëve të Sheshit Bolotnaya. “Shkoni jashtë vendit nëse doni të dëgjoheni. Kështu, ne mund t'ju denigrojmë publikisht duke ju quajtur ‘kolonat e pesta’ të Perëndimit”. Putin e përdori për herë të parë këtë përkufizim në vitin 2012.

Mërgimi ishte zgjedhja e detyruar e shumë veteranëve të Sheshit Bolotnaya. Si shahisti Garry Kasparov dhe shkrimtari i famshëm, Boris Akunin. Ashtu si poeti Dmitry Bykov, biografi i Pasternakut, gjithashtu viktimë e një tentative helmimi, tani mësues në SHBA.

Opozitari anti-Putin Gary Kasparov ndodhet në SHBA, psi është dënuar me burg në Rusi

Gennadij Gudkov, kolonel i FSB-së, në atë kohë deputet i Duma-s, të cilit i është hequr ulësja pas atyre demonstratave, jeton në Bullgari.

Një nga folëset më të duartrokitura, ishte Nadezhda Tolokonnikova, nga Pussy Riot. Sot ajo është një nga “kriminelet” më të kërkuara në Rusi.

Ata që zgjodhën të mos largoheshin, janë në burg. Ilya Yashin, lider i partisë Yabloko në atë kohë, më vonë ndër themeluesit e lëvizjes Solidarnost së bashku me Nemtsov dhe Kasparov, u dënua me tetë vjet burg për "diskreditim të ushtrisë ruse".

Ish-lideri i partisë Yabloko, i dënuar me 8 vjet burg në Rusi

Sergei Udaltsov, një nacionalist i majtë, ishte një nga fytyrat e protestës. Pasi kishte vuajtur dënimin për "trazirat" e vitit 2012, pavarësisht se mbështeti Operacionin Special Ushtarak, ai u arrestua pasi foli në mbështetje të një grupi marksist në Bashkiria.

Vetëm dy shembuj, ndër shumë. Prej vitesh, Sheshi Bolotnaya është mbushur me statuja dhe gunga, për të parandaluar çdo grumbullim.

Një ditë më parë u shkatërrua edhe memoriali i Nemtsovit, në urën ku u vra me armë zjarri. Nuk ka mbetur asgjë nga ajo periudhë e shkurtër, në të cilën shoqëria civile ngriti kokën. Por që gjithnjë duhet kujtuar sa herë që flitet për disidencën ruse.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë