Analize

Navalni vdiq, por Putin s’mund të shtypë gjithë lëvizjen opozitare në Rusi

Nga Andrei Soldatov dhe Irina Borogan -Njoftimi ditën e premte se udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny ka vdekur në burgun ku vuante dënimin, i ka tronditur vëzhguesit e Rusisë. Prej vitesh kritiku më kurajoz  i presidentit rus Vladimir Putin, dhe i korrupsionit të shfrenuar të njerëzve të tij, po vuante dënimin me 19 vite burg me akuzën e ekstremizmit.

Në fakt, nuk kishte gjasa që ai të lirohej ndonjëherë, për sa kohë që Putin ishte në pushtet.

Por mesa duket as kjo nuk mjaftoi. Sipas autoriteteve drejtuese të burgut, Navalny u shemb përtokë gjatë një shëtitje të shkurtër në oborrin e burgut, duke humbur vetëdijen dhe vdekur pak minuta më vonë.

Detajet e vdekjes së tij nuk janë bërë ende të ditura. Por presidenti amerikan Joe Biden shprehu gjatë një dalje për mediat pikëpamjen që ndahet nga thuajse të gjithë analistët në Rusi dhe mbarë botën:”Përgjegjës për vdekjen e tij është Vladimir Putin!”.

Por sado i pacipë dhe i urryer, vendimi i Putinit për të vrarë Navalny-n nuk duhet të jetë aspak i befasishëm. Për presidentin rus, vrasja e tij ka shumë rëndësi për të, edhe nëse propagandistët e Kremlinit përpiqen ta mohojnë këtë fakt.

Tek e fundit, Navalny ishte një mjeshtër i mediave sociale, që shpeshherë kishte arritur ta mundte Kremlinin në luftën e tij informative, duke nxjerrë në pah abuzimet e mëdha nga regjimi në Moskë, dhe duke ua treguar këtë miliona njerëzve në YouTube dhe platforma të tjera në internet.

Prandaj qeveria ruse bëri gjithçka që kishte në dorë për t’ia mbyllur gojën. Madje në dhjetorin e vitit 2020, ai arriti të marrë përmes mashtrimit dëshminë e njërit prej atentatorëve të tij, që dështuan ta eleminojnë përmes helmimit gjatë udhëtimit të tij me avion nga Tomsk i Siberisë në Moskë në gushtin e 2020-ës.

Edhe më i rrezikshëm ishte popullariteti i jashtëzakonshëm i Navalny-t, që i sfidonte kufijtë e Rusisë. Në dallim nga çdo figurë e opozitës ruse që kur Putini erdhi në pushtet gati çerek shekulli më parë, Navalny ishte në gjendje të krijonte një numër të madh ndjekësish që shtriheshin shumë përtej elitave urbane të Rusisë.

Ai takonte njerëz nga çdo cep i vendit, punëtorë, inxhinierë të IT-së, liberalë dhe profesionistë. Mbështetësit e tij, ishin shpesh po aq të zjarrtë sa brenda edhe jashtë vendit. Dhe ai ishte veçanërisht i aftë në motivimin e të rinjve rusë, të cilët në rrethana të tjera mund të ishin tërësisht të distancuar nga politika.

Për shoqërinë ruse, të hutuar, dëshpëruar dhe të rrethuar vazhdimisht nga një regjim gjithnjë e më represiv, Navalny ishte e vetmja figurë unifikuese. Edhe pse autoritetet ruse e izoluan që nga momenti i arrestimit të tij në Rusi në fillim të vitit 2021, ai vazhdoi ta ruante atë staturë deri në momentin e vdekjes.

Vdekja e tij shënon një shkallë të re brutaliteti të pushtetit të Putinit. Por nga ana tjetër, ajo ngre një sfidë të madhe për opozitën ruse, e cila tani duhet të kuptojë se si të ruajë unitetin që krijoi Navalny dhe të vazhdojë të forcojë më tej lëvizjen që ai la pas.

Navalny nuk ishte aspak një profet. Por gjatë dekadës së fundit, ai së bashku një numër  mbështetësish në rritje, arritën të gjejnë një mënyrë të rrallë për të kapërcyer pengesat politike, të cilat opozita liberale e Rusisë i kishte cilësuar prej kohësh si të pakapërcyeshme. Që nga vitet 1990, liberalët rusë anoheshin se vetëm në qytetet më të mëdha të Rusisë - si Moska dhe Shën Petersburgu - mund të gjente jehonë thirrja e tyre për reforma demokratike. Vetëm në këto mjedise urbane, kishte qytetarë me mendësi liberale që shqetësoheshin për ndërtimin e institucioneve liberale, si dhe për kontrollet dhe balancat demokratike. Pjesa tjetër e vendit, nuk e kuptonte se çfarë ishte demokracia.

Ashtu si gati çdo udhëheqës autokratik në Moskë para tij, nga carët tek Stalini, Putin e ka promovuar prej kohësh këtë ndarje. Siç e ka theksuar shpesh ai, “Rusia e vërtetë” - vendi përtej qyteteve të mëdha - nuk i kuptonte liritë perëndimore. Për këta rusë të zakonshëm, liberalizmi nënkupton anarki, ndaj është shumë herët t’u jepen atyre të drejta si qytetarëve në Perëndim.

Po ashtu, Kremlini thekson shpeshherë se liberalët nuk kanë lidhje me vendin e tyre. Pra kjo narrativë zyrtare, është përdorur si një dëshmi se rusët nuk janë gati për demokracinë. Kështu nisi edhe strategjia e Putinit për “demokracinë e menaxhuar”, sipas të cilës vetëm një udhëheqës i dorës së fortë që e “kupton” vendin, është në gjendje të bëjë reforma.

Deri në një farë mase, përvoja aktuale e Rusisë nga vitet e fundit të komunizmit dhe deri në vitet 2010, dukej se e mbështeste narrativën e Kremlinit. Për shembull gjatë kohës së Perestrojkës në vitet 1980, lëvizja demokratike ishte e përqendruar kryesisht në qytetet e mëdha. Dhe kur u shemb Bashkimi Sovjetik, vetëm partia demokratike Yabloko arriti të ndërtojë një rrjet më të gjerë në pjesë të tjera të Rusisë.

Por edhe Yabloko, nuk ia doli të merrte më shumë se 20 për qind të votave në kulmin e saj në vitet 1990. Pas ardhjes në pushtet të Putinit, aktiviteti demokratik rajonal u zbeh me shpejtësi, dhe u duk se siguroi një konfirmim të mëtejshëm të tezës së liberalët rusë, të izoluar në qytetet e tyre të mëdha, janë të shkëputur nga nevojat dhe interesat e pjesës tjetër të vendit të gjerë.

Dhe Navalny, ishte figura e parë opozitare që arriti ta demaskonte këtë narrativë. Duke kombinuar aftësitë e tij në përdorimin e mediave sociale dhe aftësinë e një avokati për zbulimin e provave të sakta, me oratorinë re tij të lindur dhe me një mirëkuptim të madh të çështjeve që shqetësojnë më shumë rusët e zakonshëm, ai arriti të sulmonte regjimin e Putinit në mënyra që nuk kishin mundur liberalët e zakonshëm.

Kujtojmë pak reagimin ndaj dokumentarit të Navalny-t në YouTube në vitin 2017 “Mos e quani Dimon”, që ekspozoi në detaje korrupsionin e shfrenuar të kryeministrit rus dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Putinit, Dmitry Medvedev. Ai dokumentar e ndihmoi Navalny-n të organizonte protesta në rreth 100 qytete dhe qyteza në të gjithë Rusinë atë vit.

Deri vitin e kaluar, video ishte parë mbi 45 milionë herë në YouTube. Ky rrjet kombëtar i mbështetësve të Navalny-t, që nuk u pëlqye asnjëherë nga figura të tjera opozitare, i dha mundësi të hidhte poshtë narrativën e Kremlinit se ai ishte thjesht një tjetër liberal i vetmuar i izoluar në një kullë fildishi në Moskë, duke ëndërruar reforma të pabesueshme.

Por fuqia e Navalny-t shtrihej shumë përtej mesazhit të tij kombëtar. Deri në vitin 2015, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, pati një konsensus në rritje, se propaganda e Putinit kishte pasur sukses tek të rinjtë rusë, të cilët ishin shumë të vegjë për të kujtuar reformat e shpejta e të trazuara demokratike të viteve 1990, dhe nuk e kishin njohur kurrë demokracinë.

Nëpërmjet viteve të indoktrinimit dhe sundimit nga lart-poshtë, supozohej se Kremlini i Putinit, e kishte distancuar këtë brez nga politika ruse. Propaganda thoshte:Lëreni politikën për ne profesionistët, dhe do t'ju lejojmë të shijoni përfitimet nga çmimet e larta të naftës, luksi perëndimor dhe një standard jetese në rritje.

Por organizata e Navalny-t, FBK, ose Fondacioni Kundër Korrupsionit, e rrëzoi edhe këtë  mit. Turmat e adoleshentëve iu bashkuan protestave të Navalny-t, duke u bërë një nga forcat kryesore të lëvizjes. Në vitin 2017, u bë një simbol mbarëkombëtarefotoja ku një oficer policie përpiqet të tërheqë zvarrë dy djem të rinj në sheshin Pushkin në qendër të Moskës.

Nuk ka asnjë dyshim se vdekja e tij, përbën një goditje e rëndë për rusët anti-Putin. Do të jetë e vështirë të gjendet një pasardhës që mund të bashkojë opozitën në të njëjtën mënyrë si ai, sepse për opozitën ruse do të jetë vendimtare që ketë zërin e saj mbi një të ardhme post-Putin.

Por Navalny ka lënë pas organizatën dhe mbështetësit e tij, dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Ata njerëz nuk po ikin gjëkundi, dhe tani numri i tyre mund të jetë më i madh se kurrë më parë.

Burimi: Foreign Affairs/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Andrei soldatov dhe Irina Borogan, bashkëthemelues dhe drejtues të Agentura.ru, një portal që merret me mbikëqyrjen e aktiviteteve të shërbimeve sekrete ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë