Futboll

Napoli-Roma ndahen në barazim, Milan rikthehet te fitorja

Janë mbyllur edhe ndeshjet e së dielës të vlefshme për javën e 10-të Serie A. E mbushur me shumë gola dhe rezultate befasuese ka qenë kjo ditë për kampionatin italian. Milan është rikthyer të fitorja pas humbjes në derbi një javë në parë dhe disfatës në Europa League, teksa ndeshja kryesore e javës mes Napolit dhe Romës është mbyllur në barazim.

Kuqezinjtë e Gatuzos kanë marrë një fitore 3-2 në “San Siro” përballë Sampdorias, por iu desh që të vuanin shumë për këto pikë. Xhenovezët kanë bërë rezistencë deri në minutat e fundit, por ishte goli i Suso në minutën e 62’ ai që vendosi takimin. Më herët për “djallin” kishin shënuar dy sulmuesit, Kutrone dhe Higuain. Me këtë triumf, Milan vijon të mbetet afër zonës së Champions, pasi është në kuotën e 15 pikëve, por me një ndeshje më shumë për të luajtur.

Sakaq kryesfida e kësaj jave në elitën e futbollit italianin është luajtur në “Sao Paolo”. Napoli i vendit të dytë dhe Roma u përballën për të përcaktuar se cila do të jetë skuadra që do të rivalizojë me Interin për Champions, duke qenë se vendi i parë për Juventus nuk është i diskutueshëm, me formën që po tregojnë torinezët. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë roman më anë të El Sharaui. Verdhekuqtë e Di Françesko arritën ta mbrojnë avantazhin deri në minutën e 90’, kur Mertens barazoi sfidën. Belgu shpëton kështu nderin e Napolit përballë tifozëve të tij, por gjithashtu i mban “të kaltrit” në pjesën e sipërme të tabelës. Ndërkohë Romës nuk i bën shumë punë ky barazim, pasi ka lënë shumë pikë dhe i duhet të rikuperojë sa më shpejt për të kapur zonën Champions.

Në sfidat e tjera të luajtura në Serie A këtë të dielë, Sassuolo – Bologna dhe Genoa – Udinese janë mbyllur në barazim 2-2. Frosinone ka marrë një fitore të rëndësishme në fushë ne SPAL, teksa edhe Kaljari ka fituar me Kievon në shtëpinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë