Futboll

Napoli bind në miqësore, Hysaj shkëlqen si kapiten

Nga një pjesë e madhe  e medieve italiane, ai është konsideruar si një futbollist, beniamin i ish-trajnerit, Mauricio Sarri. Por Elseid Hysaj na ka mësuar tashmë që di të përgjigjet në fushën e lojës. Mbrojtësi shkodran përkundër të gjitha zërave të merkatos që e shikonin larg Napolit këtë verë, ka qëndruar me trajnerin Karlo Ançeloti dhe po tregon se ëhstë gati të bëjë më të mirën.

Këtë karakter dhe vendosmëri të tijën, mbrojtësi kuq e zi e ka treguar edhe në ndeshjen e fundit të Napolit përballë Borusia Dortmund. Shkodrani për herë të parë zbriti në fushën e lojës me shiritin e kapitenit në krahë, duke qenë se nuk luante Marek Hamshik.

https://www.youtube.com/watch?v=miVV1iV8Gfo

Me një peshë të tillë aq të madhe, Hysaj jo vetëm që ka ditur të menaxhojë presionin, por edhe ka qenë një nga më të mirët. 24-vjeçari ka dhënë asistin për golin e parë që u shënua nga polaku Milik. Jo vetëm asistin, por gjatë gjithë ndeshjes, Elseid Hysaj ka qenë një nga më të mirët në fushën e lojës, duke mbyllur mirë hapësirat në repartin difensiv. Shkodrani duke se është përshtatur mirë me skemat e Ançelotit, pasi dilte më natyrshëm përpara për të ndihmuar skuadrën në inkursionet e saj. Sa i përket ndeshjes, Napoli e ka fituar në shifrat 1-3, ku d golat e tjerë të napolitanëve u shënuan nga Maksimoviç dhe Kajehon, ndërsa për gjermanët golin e nderit e shënoi Filip.

Mbrëmjen e së martës dhe mëngjesin e së mërkurës janë luajtur edhe dy ndeshjet e radhës të turneut të takimeve miqësore, “International Champions Cup”. Real Madrid ka treguar forcën përballë Romës, duke fituar në shifrat 2-1, me gola të Asensio dhe Bale. Ndërsa Chelsea ka mposhtur Lyon me penallti, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim pa gola. Kjo ishte fitorja e dytë për skuadrën e Mauricio Sarri, që dalëngadalë po fillon të marrë formë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë