Politike

Nafta falas për fermerët, PD-LSI: Mashtrim elektoral! Fermerët të rimbursohen me para në dorë

Opozita e cilëson tallje dhe mashtrim elektoral premtimin e Kryeministrit Edi Rama për të lehtësuar nga taksat karburantin për fermerët.

“Ajo çfarë bëri Kryeministri në ikje ishte një tallje me shqiptarët dhe veçanërisht me fermerët, shtresa më e goditur nga pandemia dhe më e braktisur nga keqqeverisja e tij 7 vjeçare. Çfarë bëri Edi Rama për bujqësinë në 7 vjet? Vetëm 1 gjë! Rriti taksat për karburantin. A mund t’i besohet dikujt që për 7 vjet vetëm rrit taksat dhe kur do vota thotë se do ta ulë çmimin?”, deklaroi drejtori i kabinetit në PD, Dorian Teliti.

PD fton fermerët që të mos i besojnë këtij premtimi të Kryeministrit.

“Është mashtrimi i radhës para zgjedhjeve. Ky është personi i parë përgjegjës pse sot prodhimet kalben në fushë, pse fermerët janë të varfër, pse të rinjtë ikin nga fshati”, vijoi Teliti.

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim doli ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai tha se përmes skemës së njoftuar nga Qeveria nuk do të përfitojnë fermerët.

“Ajo naftë nuk do të shkojë për bujqësinë, sepse e ka më të lehtë dhe më afër të rishitet në treg të zi, ose të shkojë në serbatorët e veturave. Pushteti shpërndarës dhe pompist i naftës pa akcizë për fermerin, mbi bazë vetë deklarimi online të sipërfaqes së pa punuar dhe të pa mbjellë, është thjesht demagogji dhe shashkë elektorale”, tha Panariti.

LSI këshillon që në vend të kësaj skeme të zbatohet skema e subvencionimit me para në dorë të fermerëve, ashtu siç veprojnë vendet e tjera.

“Fermerët ndihmohen vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me para në dorë. Ashtu siç bën Evropa, ashtu siç bëjnë fqinjët. Jepuni atyre 272 milion eurot e premtuara sepse në 7 vite u dhatë 7 herë më pak, vetëm 30 milion. Nuk ka rrugë tjetër për çmimin e efekteve të naftës pa akcizë për fermerët, përveç pagesës së tyre me para në dorë si subvencion direkt për naftën. Pagesë dhe para vetëm mbi bazën e punës së kryer dhe të matur, të plugimit, të mbjelljes së tokës, kjo është zgjidhja”, vijoi Panariti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë