Ekspozite

Na duhet një ringjallje e humanizmit

Vizitorët shkrepin fotografi të pikturës së Da Vincit “Adhurimi i të diturve”, në Firence (Maurizio Degl' Innocenti/AP)

Një turist, në muzetë fiorentinë është si një gur i hedhur në hone të thellë. Këtu një Botticelli. Atje një Donatello. Një sallë e vetme në pallatin “Ufizzi”, që mund të shpërblente një jetë të tërë studimesh, merr pesë minuta të nxituara para dreke.
Nuk kam për qëllim të kryej kritikë arti pa leje (një fyerje madhore në Itali). Por disa gjëra dalin në shesh, edhe për një sy amator. Sallat mesjetare shfaqin artin për hir të Zotit. Artistët zbulojnë të gjithë lavdinë që, të dy dimensionet kanë për të të ofruar. Por janë shpesh anonime. Dhe subjektet e tyre – madje edhe Jezusi në kryq – zakonisht ka atë fytyrë të sheshtë e të qetë, të shoqërizuar me artin bizantin. Në një univers të strukturuar dhe të rregulluar nga hyjnorja, devocioni është i shprehur nga qetësia. Në sallat e Rilindjes, është art për hir të njerëzimit. Subjektet, të çliruar nga terreni i sheshtë, ecin në sallë. Artistët- ndonjëherë në të drejtën e tyre – minojnë historitë klasike dhe të krishtera për dramë, seks dhe dhunë. Statuset dhe pikturat kanë qëllim të shprehin më të mirën e zejes, përpjekjen dhe ambicien njerëzore. Në këtë kuptim, ata prodhojnë një art shumë publik, madje edhe civik.


Kur mbërrin tek Davidi i Michelangelo-s, e sheh me vetëbesim të epërm, i përgatitur dhe i vendosur. Davidët e mëparshëm artistikë janë portretizuar zakonisht si djelmosha thatimë, që theksojnë mrekullinë e dorës së Zotit, në luftën kundër Goliatit. Ky David nuk ka më nevojë për mrekullitë. Përveç hobesë në shpinë, ai nuk ka të bëjë fare me historinë biblike, por me shpirtin e humanizmit, optimizmit dhe krenarisë. Fillimisht e menduar për të dekoruar një kishë, Davidi u vendos në sheshin e qytetit, si simbol i virtyteve publike të Firences.
Pastaj mbërrin në sallën e Caravaggio-s dhe e di se po sheh diçka krejt të ndryshme. Fytyra e Meduzës këlthet me agoni të brendshme. Artisti – i akuzuar për vrasje, që arratisej sa nga njëri qytet në tjetrin –përpunon demonët e tij, në formën e artit. Ai eksploron peizazhin e pazbutur, të çorientuar të psikes së tij, gjeografinë e brendshme njerëzore, që Frojdi më vonë do ta përshkruante në hollësi. Pastaj sytë, ndreqen me dritën e gjallë të dhjetorit dhe u kthehesh rrugëve italiane. Është mjaftueshëm këndshëm. Por në botën përreth, monumentet më të vizituar nuk duken të jenë kishat apo galeritë, por butikët elegantë. Pjesa më e madhe e shoqërive perëndimore, përshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë arritur një fazë sekularizmi pa humanizëm.

Meduza e Caravaggio-s

Përpjekjet tona më të mëdha shpenzohen tek marrja dhe mbajtja. Kredoja jonë përkufizuese është konsumerizmi. Memorialët tanë, sipas T.S. Eliot, do të jenë “rruga e asfaltuar dhe një mijë topa golfi”. Kjo nuk duket krejtësisht e drejtë, por del e vërtetë. Në përgjigje të kësaj, do të pritej nga unë një rikthim i nxitur tek opsioni nr.1: intoksikimi mesjetar i Zotit. Por as kjo nuk është zgjidhje. Individët ende besojnë në Zot, me siguri. Por botëkuptimi mesjetar e gjen Zotin në çdo zgjidhje dhe orë të ditës, në çdo lëvizje qiellore dhe çdo ngjarje tokësore. Konsensusi shoqëror është i pariparueshëm. Dhe, zoti e di, kemi mjaft nga opsioni numër 3: një individualizëm i fokusuar tek vetë-gjykimi, vetë-shprehja, vetë-përmirësimi dhe vetë-aktualizimi.
Shpresa jonë më e mirë, dyshoj, është opsioni nr.2. Ajo që na nevojitet është një ringjallje e humanizmit. Kjo nuk ka nevojë të jetë një humanizëm sekular (edhe pse mund të jetë për disa). Në Rilindje, humanizmi i përfshirë pretendonte çdo lloj sfere të arritjes në art apo shkencë për ekselencën njerëzore dhe krenarinë civike. U shfaq në theksin e papërkulshëm të dekorimit. Çdo orë, çdo karrige, çdo dorezë arme, çdo instrument shkencor, çdo copë dere, dyshemeje a tavani u stampua me krijimtari njerëzore dhe iu dha vlerë jetëgjatë. Ishte një deklaratë kundër kohës dhe shkatërrimit, se bota nuk është njëpëdorimëshe. Se njerëzit mund të linin një shenjë që zgjaste në kohë. Rilindja ishte lloji më elegant i revolucionit: i orientuar drejt së ardhmes, por me rrënjë në më të mirën e së shkuarës. Rizbulimi i botës klasike shndriti dhe furnizoi diçka krejt të re. Ky ekuilibër i konservatores dhe libares është drejtuesi më i mirë i dinamizmit social. Është lloji i ambicies së pareshtur, me rrënjë të forta që gjithashtu karakterizoi themelimin e Amerikës dhe frymëzoi arritjet e saj më të mira civike. Këto janë ose burime frymëzimi, ose thjesht nostalgji.


Michael Gerson/ Washington Post 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë