Lajme

Muzikë, kokainë e prostitucion, në pranga 2 menaxherët e lokalit në Shkodër dhe këngëtari

Policia e Shkodrës dhe forcat speciale RENEA kanë finalizuar operacionin policor “Klubet e natës”, duke arrestuar 3 persona, mes tyre një këngëtar vendës dhe kanë shpallur në kërkim pronarin e një lokali.
Policia thotë se janë vënë në pranga dy menaxherët e klubit dhe një shtetas tjetër, të cilët në bashkëpunim me pronarin e klubit kanë shpërndarë dhe shitur lëndë narkotike kokainë.
Mësohet se në pranga janë vënë shtetasit:
A. V, 29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
G. M., 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim”.
Z. J., 57 vjeç, këngëtar në club, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.
Gjithashtu është shpallur në kërkim pronari i lokalit, shtetasi E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në Shkodër (balerinë).
Siç njofton policia, nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.
Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celularë dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.
Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë