Ana e errët

Muratori që i dha një ‘mësim të mirë’ prokurorisë

Nga Gazeta Si - “Jam murator dhe kam punuar pranë një firme në Tiranë. Punuam me disa shokë për një muaj dhe shtetasi që na mori në punë është i identifikuar prej nesh”.

Kështu e nis rrëfimin e tij një 40-vjeçar i cili vendosi të ndjekë institucionet e tu besojë atyre. Ai thotë se e nisi përplasjen me drejtësinë dy vjet më parë pasi u paraqit në policinë vendore për të denoncuar “një të paprekshëm” për punësim të paligjshëm dhe në të zezë, por që më pas çështja, siç ka ndodhur me dhjetëra dosje të tjera, nuk u mor parasysh nga prokuroria e Tiranës.

Prokuroria, sapo administroi kallëzimin penal me numër 656, datë 14 janar 2021, pa e zgjatur shumë, nuk e filloi hetimin me arsyetimin se denoncimi i muratorit nuk përbënte vepër penale, ndonëse ai bën me dije se ju vendosi në sirtarë prova që vërtetonin vendin ku punuan në të zezë dhe po ashtu edhe identitetin e sipërmarrësve.

Sipas 40 vjeçarit që po kërkon të drejtën e tij, mbas humbjes përballë institucionit që duhet të hetonte, ai vazhdoi në gjykatë duke kërkuar shfuqizim të vendimit të prokurorit që nuk gjeti elementë të veprës penale.

40-vjeçari thotë për Gazetasi.al se gjykata në këtë rast urdhëroi prokurorinë që të hetojë për punësim të paligjshëm dhe për mashtrim, sipas neneve 143 dhe 170 të Kodit penal. Me këtë rast, pavarësisht se muratorit gjykata i ngarkoi si shpenzime gjyqësore shumën prej 30 mijë lekë, ai vazhdoi më tej për të kërkuar drejtësi edhe në shkallët e larta, pasi prokuroria nisi lëvizjet në apel për të lënë në fuqi mbylljen e çështjes.

Dëshmitari i thotë Gazetasi.al se, i ndërgjegjësuar për të drejtat e tij, ai nuk u përfill nga akuza që nuk bëri asnjë veprim hetimor.

“Çështja nisi në drejtorinë vendore në 14 janar 2021, pasi kallëzova në komisariat duke qenë se nuk u paguam për punën që bëmë”, dëshmon shtetasi që vazhdon të përballet i vetëm me një sipërmarrës dhe me një drejtësi që lëviz ngadalë. Si prova janë administruar punët që kryen muratorët dhe telefonatat e kryera me punëmarrësin, të detajuara në një procesverbal.

“Tentuam të bisedojmë me këtë person, por mbylli telefonin. Nuk kërkojmë asgjë tjetër përveçse të na paguajë për punën që bëmë”, thotë muratori. Por prokuroria që në nisje të herës tha se nuk kishe mashtrim por se kjo gjë ishte një marrëdhënie juridike civile midis palëve që duhej zgjidhur në gjykatën e çështjeve civile.

Konflikti është një marrëdhënie me natyre civile e cila rrjedh nga të drejtat dhe detyrimet që kanë palët në një kontratë dhe në rastin konkret është një kontratë verbale”, vlerësohet në refuzimin për të hetuar, ku shtohet se procedimi nuk mund të nisë pasi fakti nuk parashikohet si vepër penale.

Por muratori nuk dorëzohet. Me këtë shkresë në dorë, ai ka fituar në gjykatë e më tej edhe në apel pasi i kujtoi gjyqtarëve se sipërmarrësi u mori kartat e identitetit duke i siguruar se do t’i punësonte në vazhdim.

“Gënjeshtra e parë e ‘bossit’ ishte mos dhënia e parave për punën në ndërtim”.

Denoncuesi tregon se ai ka fituar në gjykatë por prokuroria sërish nuk kaq finalizuar një rezultat.

“Fakti që qytetari me disa të tjerë janë kontaktuar nga dy persona të identifikuar dhe kanë punuar nën urdhrat e këtyre shtetasve që ju premtuan pagesën e bashkë me të edhe sigurimet shoqërore, duke mos kryer asnjë veprim, krijon dyshime se sipërmarrësit kryen veprime që përmbajnë element të gënjeshtrës dhe të shpërdorimit të besimit.

Prokuroria duhet të hetojë nëse këta shtetas kanë patur vërtet mundësinë që në kontaktin e parë të siguronin punësim të ligjshëm pasi ai është i detyruar ta paguajë punëmarrësin në organet tatimore”, deklaron gjykata në vendimin e vendosur në dispozicion për Gazetasi.al nga punëtori që aktualisht është pa punë.

Si punë të dobët hetimore të prokurorisë, gjykata shpall defektin e akuzës që nuk kreu as lëvizjen minimale për të pyetur sipërmarrësit, e po ashtu nëse këta shtetas veprojnë apo kanë vepruar me të njëjtën mënyrë edhe me punëtorë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë