Lajme

Mungonin avokatët, shtyhet seanca për Arbër Çekajn

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë sot vendimin për Arbër Çekajn, si dhe për Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun.
Shkak i shtyrjes është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurit Donaldo Lushaj.
Çekaj u shpreh edhe kundër prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, për të cilin pretendon se nuk do të jetë më prokuror i çështjes dhe sipas të akuzuarit, kjo është më se e sigurt.
Arbër Çekaj akuzoi prokurorin Edvin Kondili se ka manipuluar provat gjatë hetimit dhe e ka kallëzuar në Prokurori.
Ai ka dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë një kërkesë ku kërkon përjashtimin e Kondilit nga çështja.
Seanca e ardhshme do të mbahet më 8 janar 2020.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar për Arbër Çekajn 21 vite burg, që në rast dënimi do të konvertohej me 14 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për Donald Lushajn është kërkuar 16 vite burg, që do të konkretizohej me 10 vite burg si pasojë e gjykimit të shkurtuar dhe Armando Pezaku 13 vite që përkthehen në 8.
Çekaj akuzohet për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane që u zbulua ne magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, ndërsa për rreth një vit u mbajt i arrestuar në Gjermani, dhe u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë më 19 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë