Politike

Mungoi në tryezën Berisha–Bardhi, Meta: PL gjithmonë në vijën e parë të ballafaqimit me regjimin

Nga Gazeta 'Si' - Ndonëse nuk ishte i pranishëm, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e quajti pozitive mbledhjen e djeshme mes grupit të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës.

Mungesën në tryezën e përbashkët ai e ka argumentuar me faktin se PL ka qenë gjithnjë një vijën e parë të ballafaqimit me regjimin, ndërsa vuri theksin në unifikimin e opozitës.

“Deputetët e Partisë së Lirisë kanë qenë në vijën e parë të ballafaqimit me regjimin, në parlament dhe kudo dhe është e rëndësishme që deputetët e opozitës t’i përgjigjen sakrificës të atyre që i kanë votuar në 2021 dhe të ndalojnë çdo lloj regjimi, që e ka parë si qëllim përçarjen e opozitës”, bëri me dije Meta.  

Në “luftën” e brendshme të Partisë Demokratike, se kush është kryetar i grupit, Lulzim Basha apo Gazment Bardhi, Meta nuk dha një përgjigje konkrete.

“Në demokraci, ju e dini që është vota, që është shumica që tregojnë legjitimitetin kudo ku është një diskutim, për mua është e rëndësishme unifikimi i opozitës dhe dhënia fund njëherë e përgjithmonë me regjimin”, deklaroi Meta.

Ai nuk dha një përgjigje konkrete nëse edhe në zgjedhjet në Kukës, do “t’i japë partinë Sali Berishës.

“Janë çështje që merren ekspertët, urojmë që të ketë një reflektim sa më të thellë në Kukës nga të gjithë qytetarët dhe të japin një mesazh të qartë të regjimit”, tha Meta.

Meta zgjodhi të komentonte edhe ndryshimet në qeveri, sipas së cilit nuk sjellin asgjë të re.

”Hiq Lenën, vër Prenën, gjithnjë më e rëndë do shkojë një qeverisje, që bazohet vetëm në arrogancë, në përjashtim”, shtoi ish-presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë