Futboll

Mungesa e vizave rrezikon ndeshjen e Kukësit në Gjeorgji

Pas eliminimit nga Champions League, Kukësi do të luaj në turin e tretë të Europa League kundër Torpedo Kutiasi. Sfida e parë është në Gjeorgji, mbrëmjen e së enjtes. Por kjo ndeshje nuk është duke u përgatitur në kushte ideale për klubin verilindor dhe trajnerin Armando Cungu. Nënkampionët e Shqipërisë nuk mund të udhëtojnë me ekipin e plotë drejt Gjeorgjisë për shkak të problemeve që janë shfaqur për katër futbollistë. Konkretisht Fait Regiinaldo, nga Mozambiku, Valon Ethemi e Edis Maliqi nga Maqedonia si dhe Fatjon Maloku nga Kosova nuk kanë marrë dot vizat gjeorgjiane.

https://www.facebook.com/FKKukesiAlbania/videos/1517640351714640/

Lajmin e bën publik vetë Kukësi në një postim në rrjetet sociale, ku ka specifikuar se kishte plotësuar të gjitha kërkesat që kishin kërkuar autoritetet gjeorgjiane. Në postimin e tij klubi kuksian iu bën thirrje UEFA-s dhe instancave të tjera përkatëse në të dy shtetet që të zgjidhin sa më shpejt këtë problem që e dëmton shumë skuadrën, pasi të katër futbollistët janë pjesë të formacionit bazë.

Më poshtë njoftimi për shtyp i Kukësit për këtë problem:

GJEORGJIA NUK JEP VIZA PËR LOJTARËT E KUKËSIT

Ju njoftojmë me shqetësim të madh se ndeshja e parë e Turit të Tretë të Europa League, që luhet me datë 09/08/2018 ne orën 21:00 në Bilisi midis Torpedo (Gjeorgji) dhe Kukësi (Albania) rrezikon të dështojë për shkak se katër lojtare të ekipit tonë të formacionin nuk janë pajisur me vizë hyrëse nga autoritetet gjeorgjiane, konkretisht Fait Regiinaldo, nga Mozambiku, Valon Ethemi dhe Edis Maliqi nga Maqedonia si dhe Fatjon Maloku nga Kosova. Me të mësuar përballjen me Torpedo, që nga Azerbaxhani kur u njohëm me kundërshtarin, kemi hyrë në kontakt me ekipin e Torpedos, ku ju kemi dërguar nacionalitetet e lojtarëve për paisjen me viza. Është shkëmbyer i gjithë dokumentacioni i duhur me klubin pritës dhe konsullaten gjorgjiane në Stamboll, atë shqiptare në Stamboll, kemi vëne në dijeni Ministrine e Jashtme Shqiptare, delegatin e UEFA-s që të na ndihmojnë, në pershpejtimin e marrjes së vizave. Nga klubi dhe autoritetet gjorgjiane na është premtuar se ky problem do të zgjidhet ,deri tani në oren 17:00 ku na njoftojnë që është e pamundur. Nisur nga kjo situatë ne kërkojmë që nga klubi pritës, federata, autoritetet gjorgjiane dhe Uefa që kjo ndeshje të mos dështojë. Sepse ngelen katër lojtare që nuk udhëtojnë me ekipin, ku të gjitha masat janë marrë që nga udhetimi, akomodimi në hotel dhe stërvitja është bazuar në praninë e këtyre lojtarëve. Delegacioni i Kukësit fluturon sot në orën 21:00 drejt Gjorgjise pa këta lojtare. Është dërguar e gjithë plani i veprimeve në hotel ekipin mik dhe delegatin. Ne po kerkojmë dhe po shohim mundesinë që në rast të mos dhënies së vizave për këta lojtarë ndeshja të shtyhet dhe përgjegjës të jetë Klubi organizator. Futbolli është për ti bashkuar njerezit dhe jo për ti ndarë. Ky gjest e dëmton futbollin dhe fair play.

Sakaq Kukësi është nisur drejt Gjeorgjisë mbrëmjen e së martës, pa katër futbollistët në bord. Mbetet për t’u parë nëse ky problem do të zgjidhet për verilindorët, pasi në të kundërt ndikimi në fushën e lojës do të ishte tejet i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë