Dy kryesuesit e renditjes pas dy javëve të para, Skënderbeu dhe Laçi, kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen hapëse të javës së tretë të Superiores. Ka përfunduar 1-1 kjo ndeshje e zhvilluar në stadiumin e boshatisur të Korçës, për shkak se Skënderbeu është dënuar me 5 ndeshje pa tifozë, pas trazirave që ndodhën javën e parë ndaj Partizanit. Gjithsesi, korçarët kryesojnë me 7 pikë, të ndjekur nga kurbinasit me 5 pikë, por këta të fundit mund të parakalohen nga ndonjë ekip tjetër.
Ishte talenti Myrto Uzuni që e kaloi Laçin në avantazh pas 30 minutash lojë, por vetëm 4 minuta zgjati festa e kurbinasve, pasi Muzaka barazoi shifrat në 1-1. Gjatë pjesës së dytë loja u përqendrua në gjysmëfushën e Laçit, por Skënderbeu, pavarësisht rasteve që krijoi, nuk arriti të shënonte golin e avantazhit. Për më shumë se 10 minuta korçarët luajtën me 10 vetë, ngaqë mbrojtësi i krahut të majtë, Leonit Abazi, u ndëshkua me karton të kuq (dy të verdhë). Vangjeli humbi një rast ideal në fundin e ndeshjes dhe gjithçka u mbyll në barazim. Ishte kjo ndalesa e parë e Skënderbeut kampion në këtë kampionat.
Një ndalesë që pritet të shfrytëzohet nga pretendentët për t’i rrëmbyer kurorën. Flamurtari luan në Gjirokastër me Luftëtarin, ndërsa Partizani ka një ndeshje më të lehtë me Kastriotin. Teuta pret Kamzën dhe java e tretë mbyllet me ndeshjen më të rëndësishme Kukësi-Tirana, që luhet të dielën në mbrëmje në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”. Kukësi i luan ndeshjet si pritës në Elbasan, por ky stadium duhet të jetë gati ëpr Kombëatren dhe kuksianët janë detyruar të spostohen në Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.