Menaxhim

Mungesa e stafit po shkakton kaos, Zvicra dhe Gjermania kërkojnë punëtorë të huaj për aeroportet

Kaosi po ndodh tashmë në aeroportet e Zvicrës dhe pothuajse në të gjitha aeroportet e Gjermanisë.

Arsyeja kryesore është numri i vogël i punëtorëve në aeroporte dhe numri i madh i pasagjerëve.

Gjermania njëjtë sikurse Zvicra po synon të sjellë punëtorë të huaj sa më shpejt që të jetë e mundur për të lehtësuar aeroportet e mbingarkuara nga mungesat e stafit gjatë sezonit të verës, sipas një deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme.

Punëtorët e përkohshëm, të cilëve do t’u ofrohet akomodim dhe një pagë standarde, do të duhet të kryejnë të njëjtat kontrolle sigurie dhe besueshmërie si pjesa tjetër e personelit, si p.sh. mbajtësit e bagazheve. Këto kontrolle në përgjithësi zgjasin rreth dy javë.

Udhëtarët në të gjithë Europën po përballen me radhë të gjata këtë verë, pasi kërkesa për udhëtime është rikthyer plotësisht pas izolimeve të COVID-19. Aeroportet dhe linjat ajrore po hasin probleme me mbajtjen e një numri të mjaftueshëm të punonjësve të për të përballuar krizën.

Sipas shoqatës së aeroportit ADV, rreth një në pesë vende pune në fushën e sigurisë, të check-in dhe në mirëmbajtjen e avionëve është vakant. 

Kompania ajrore gjermane Lufthansa nuk pret që operacionet e fluturimeve të kthehen në normalitet deri vitin e ardhshëm, pasi ka shkurtuar 3.100 fluturime nga orari i saj veror për shkak të mungesës së stafit.

“Fatkeqësisht, vështirë se do të jemi në gjendje të arrijmë realisht një përmirësim afatshkurtër tani në verë,” tha anëtari i bordit të Lufthansa, Detlef Kayser në një intervistë me Die Welt. Opsioni i vetëm tani për tani është zvogëlimi i numrit të fluturimeve, tha ai.

“Në përgjithësi, ne presim që situata të kthehet në normalitet në vitin 2023,” tha Kayser.

Linja ajrore kryesore gjermane njoftoi se do të anulojë 2200 linja të brendshme dhe europiane në korrik dhe gusht, në krye të 900 anulimeve në fillim të këtij muaji. Kjo është rreth 4% e kapacitetit të transportuesit gjatë asaj periudhe, sipas një zëdhënësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë