Politike

Mungesa e ministres së Financave në komision, Tabaku: Të sqarojë arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm. Braçe: Të vijë urgjent

Nga Gazeta ‘SI’ - Mungesa e ministres së Financave Delina Ibrahimaj në komisionin e Ekonomisë ka irituar deputetët pjesë e saj, përfshirë edhe socialistin Erion Braçe.

Deputetja Jorida Tabaku theksoi se ministrja Ibrahimaj duhet të ishte patjetër në komision dhe të jepte për herë të parë sqarim për arrestimin e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.

Tabaku shtoi dhe se nuk ka marrë më asnjë përgjigje nga ministrja për pyetjet që ishin bërë që në seancat e dhjetorit 2022, kur Ibrahimaj kishte premtuar një rikthim në komision për trajtimin e pyetjeve të deputetëve, nga mazhoranca dhe nga opozita.

“Na erdhi një memo që në gjykimin tim ishte një turp t’i vij deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Një memo ku dhe një student I ekonomisë di të shkruaj më mirë. Nuk e di sesi mund të shpjegohet transferimi I kapitalit me fjalë sikur të jetë hartim letërsie. Këtë e dini ju! A ka mundësi që brenda këtij buxheti ne të bëjmë shtesa të tjera? Të gjithë kolegët tjerë ranë dakord, të paktën për dy fusha që mund të bëheshin shtesa.  Thamë e votojmë dhe ne aktin normativ. Jo, nuk ka më hapësirë, nuk do bëjmë më ndryshime të tjera tha. Tani diskutojmë këtu për planifikim buxhetor sikur çfarë është dhe ju shkelni me dy këmbë buxhetin që miratoni vetë në fundvit. Dhe lërë pastaj të flasim për atë të miratuar në fillim të vitit, që është bërë leckë, ka 10 ndryshime që e kanë humbur komplet konceptin”, -u shpreh Tabaku.

Nga ana tjetër, deputeti Braçe e kërkoi me urgjencë ministren në komision, lidhur me ndryshimet në buxhet pas Pakos së Madhe, për pikëpyetjet lidhur me to dhe mospërfshirjen e fermerëve.  

“S’ka njëri këtu të ketë problem me paketën e madhe përkundrejt shtresave në nevojë. E di kush është meraku im, që para 20 ditëve kemi miratuar këtë aktin tjetër. Ky akti tjetër, 4 ditë para sesa të mbyllej viti. Edhe unë dhe kolegë të tjerë kemi ngritur shqetësimin për ekzekutimin e buxhetit dhe realizimit si dhe parashikimit të tij. Pse nuk përfshihen të gjithë punëtorët në Pako? Pse nuk ka ndihmë për fermerët?  Ju e mbyllni vitin pa përdorur paratë që duhen përdorur kur keni. Nuk më intereson reagimi i ministres kur vjen këtu, fare. Ai është qëndrim personal”, - u shpreh Braçe.

Nga ministria e Financave ishte prezente zv.ministrja e Financave Adela Xhemali, e cila prezantoi Pakon e Madhe, ku do të përfshihen 695.000 pensionistë, nënat kryefamiljare, paraplegjikët, qytetarët me aftësi të kufizuar, invalidët e punës dhe punonjësit e shtetit. Të gjithë këto kategori do të kenë 8.000 lekë shtesë në pagesat që marrin.

Zv.ministrja theksoi se këto nisma nuk do të sjellin ndryshime në deficitin buxhetor për shkak të të ardhurave të larta të pritshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë