Interviste

Mungesa e kryespiunit prek sigurinë. Eksperti: Zgjidhja me ligj

Bledar Hoti - Konflikti njëvjeçar mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta për caktimin e shefit të SHISH ndikon në rolin dhe funksionimin e këtij institucioni, qëllimi kryesor i të cilit është ruajtja e sigurisë në rang kombëtar, por edhe ai i bashkëpunimit me shërbimet partnere, apo dhe aleatët strategjik.

Mbajtja pezull e dekretit për emërimin e shefit të shërbimeve sekreteve vlerësohet si një situatë jo normale nga eksperti Arjan Dyrmishi, pasi sipas tij, kjo vë në dyshimin legjitimitetin e këtij institucioni nga mos pasja e një titullari ‘de jure’.

Në intervistë për gazetën SI, drejtori i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Dyrmishi shprehet se në sistemin demokraci, siguria dhe legjitimiteti janë të pandara dhe se mospasja e një drejtori të emëruar, sipas parashikimeve ligjore e cenon sigurinë, pasi është  cenuar legjitimiteti.

Arjan Dyrmishi

Ndërkohë që Shqipëria ka mbetur pa kryespiun, Ballkani Perëndimor është kthyer në “prenë” kryesore të agjentëve të huaj. Mediat perëndimore, NATO dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes kanë paralajmëruar përgjatë javëve të fundit se spiunët rusë janë duke zgjeruar ndjeshëm shtrirjen e aktiviteteve të tyre në rajon.  Raportet për ndërhyrjen e agjentëve rusë dhe serbë në referendumin e emrit në Maqedoni dhe akuzat se Kremlini planifikoi një grusht shteti në Malin e Zi, ka bërë që pothuajse i gjithë perëndimi të kthejë kokën me shqetësim drejt Ballkanit.

Sipas raporteve të inteligjencës, spiunët rusë dhe serbë kanë ndezur një krizë të madhe politike në Maqedoni, duke shkaktuar përçarje të mëdha midis partive kryesore politike, si dhe duke rritur tensionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ky rrezik duket se përndoqi edhe Sekretarin Amerikan i Mbrojtje, James Mattis gjatë vizitës së tij në Shkup, nga ku deklaroi se Moska po financonte organizatat pro-ruse, për të penguar referendumin.  Këtyre shqetësimeve i është shtuar edhe zgjedhja e një separatisti pro-rus në Republikën Srpska në Bosnje dhe propozimet për shkëmbime territoriale midis Kosovës dhe Serbisë, duke sjellë një gjendje të paqëndrueshme në të gjithë rajonin.

Dyrmishi në intervistën e tij bën prezent edhe një panoramë të konflikteve që kanë pasur kryeministra dhe presidentë ndër vite për ta pasur nën kontroll Shërbimin Sekret, duke kujtuar këtu konfliktet për shkarkimin e Fatos Klosit, asaj kohe drejtor i SHIK, apo dhe përplasja për largimin e Bahri Shaqirit.

E ndërsa për zgjidhjen e këtij konflikti që duket se ndikohet nga tendencat e politikës për të marrë nën kontroll fijet e SHISH, Dyrmishi propozon ndryshimin ligjor, duke ofruar edhe praktikën amerikane atë daljes së kandidatëve në senate. Sipas tij, nisur nga rëndësia dhe natyra që ka ky institucion në vetvete, asnjëherë nuk mund të ketë bllokim të emërimeve të kryespiunëve.  

Zoti Dyrmishi, prej rreth një viti Shqipëria nuk ka ende një drejtor të SHISH. Shkak i mos emërimit është bërë përplasja mes Kryeministrit dhe Presidentit, duke bërë që kreu i shtetit të mos ta dekretojë propozimin e paraqitur. Sipas jush sa ndikon në punën e këtij institucioni që merret me ruajtjen e sigurisë kombëtare mungesa e titullarit ?

Fakti që kemi një situatë të tillë nuk është normale. Duhet të kemi në konsideratë që në vendet me demokraci, siguria dhe legjitimiteti janë të pandara, kështu që vetë mospasja e një drejtori të emëruar, sipas parashikimeve ligjore e cenon sigurinë, pasi është cenuar legjitimiteti. Por nuk është dhe hera e parë që ka bllokime të tilla.

Që prej vitit 1999 çështja e emërimit dhe shkarkimit të Drejtorit të SHISH ka qenë një nga faktorët që kanë ndikuar në përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të vendit.

Marrëdhëniet ndërmjet Presidentit Meidani dhe Kryeministrit Majko mbetën të tendosura për shkak të refuzimit të Meidanit për të shkarkuar drejtorin e SHIK, Fatos Klosi. Refuzimi që Meidani i bëri kërkesën për shkarkimin e Klosit i kushtoi atij moskandidimin nga Partia Socialiste dhe meqenëse shkarkimin e Klosit e kërkonte edhe kreu i opozitës, Berisha, kjo shërbeu si pikë konsensusi për të mbështetur një kandidat të përbashkët për president, zotin Alfred Moisiu.

Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK

Siç dihet, shkarkimi i Drejtorit të SHIK ishte ndër aktet e para që presidenti i sapozgjedhur firmosi në vitin 2002. Më vonë, në vitin 2005 do të ishte vetë Moisiu i cili refuzoi kërkesën e Kryeministrit Berisha i cili ndryshimin e Drejtorit të SHISH e vendosi si një ndër prioritetet e tij. Për shkak të eksperiencës së marrëdhënies së Berishës me SHIK gjatë viteve 1990 dhe nevojës për të garantuar depolitizimin e SHISH në mbështetje të mos largimit të Drejtorit të atëhershëm Bahri Shaqiri nga posti, u rreshtuan dhe shërbimet partnere.

Berisha mendoi se do t’ia arrinte qëllimit mbas emërimit të Presidentit Topi në vitin 2007, por dhe ky i fundit u gjend nën të njëjtin presion ndërkombëtar dhe nuk i ofroi Berishës garanci se do ta firmoste kërkesën për shkarkim.

Duhet theksuar se Berisha nuk dorëzoi ndonjëherë kërkesë zyrtare për shkarkimin e Drejtorit të SHISH, as presidentit Moisiu dhe as presidentit Topi.

Megjithatë Kryeministri Berisha nuk rreshti së bëri përpjekje për të realizuar qëllimin e tij kur në vitin 2011 kur i propozoi një ligj Kuvendit për të ndryshuar organizimin e SHISH dhe për të bërë të mundur në kuadër të riorganizimit heqjen nga posti të Shaqirit. Por përsëri, miratimi i ligjit ndeshi në rezistencë të faktorit ndërkombëtar dhe nuk u miratua ndonjëherë.

Drejtori i SHISH u shkarkua më në fund me emërimin e Presidentit Nishani në gusht të vitit 2012 dhe me emërimin në këtë post të Visho Ajazit. Siç dihet, marrëdhënia e Visho Ajazit me Kryeministrin Rama të ardhur në pushtet një vit më vonë ka qenë në linjat e paraardhësve të tij në këtë post çelësat e të cilit në fakt i mban Presidenti.

Sa e dëmton një fakt i tillë institucionin e sigurisë përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve të Shqipërisë mungesa e një titullari të tillë. Sa i besueshëm mund të jetë shteti ynë përballë partnerëve?

E bëra parashtrimin e mësipërm për të theksuar faktin se SHISH gjatë dy dekadave të fundit ka qenë nën fluksin konstant të presionit që ka lindur nga dëshira e kryeministrave për të pasur një Drejtor të SHISH mbi të cilin ata mendojnë të kenë kontroll dhe refuzimit të 5 presidentëve që kanë mbajtur këtë post për ta bërë këtë lëshim.  

Helidon Bendo, i propozuar si shef i sherbimeve sekrete

Në fakt, në ligjin për SHIK të miratuar në vitin 1998, menjëherë mbas ngjarjeve të vitit 1997, vetë parashikimi i emërimit të Drejtorit të këtij institucioni nëpërmjet dhënies se kompetencave të ndara Kryeministrit dhe Presidentit synonte të krijonte stabilitet të këtij institucion dhe moslejimin e politizimit të tij.

Në analizë të fundit mund të thuhet që një stabilitet i tillë është arritur, por përsëri jo në atë masë sa të bëje që emërimi i Drejtorit të SHISH të jetë një procedurë që natyrshëm mund të sjellë diskutime, por jo bllokim pasi vetë ndarja e kompetencave të emërimit është parashikuar që të detyrojë palët qe të dakordësohen paraprakisht.

Si mund të zgjidhet një ngërç i tillë, ku është shkaktuar si rrjedhojë e një përplasjeje institucionale? Sa mund të vazhdohet me një drejtor të komanduar në krye të SHISH?

Në kushtet aktuale, kur duket se Presidenti nuk ka ndërmend ta miratojë kandidaturën e propozuar zgjidhja mund të ishte propozimi nga Kryeministri i dy ose tre kandidaturave, të cilat paraprakisht mund t’i kërkohej dhe  Kuvendit, nëpërmjet Komisionit të Sigurisë Kombëtare që të merrte pjesë në proces duke organizuar seanca dëgjimore,  ashtu siç ndodh me emërimin e Ambasadorëve dhe ballafaqimin e kandidatëve në Komisionin për Çështjet me Jashtë. Kjo është një praktikë që aplikohet në SHBA, ku Senati jep pëlqimin për Drejtorin e CIA-s, por e përhapur dhe në shumë demokraci perëndimore.

Të gjendur në këtë situatë a duhet të parashikohet ndonjë ndërhyrje në ligjin për funksionimin e SHISH sa i përket këtij vakuumi që krijohet, duke përcaktuar rrugët se si mund të veprohet në të ardhmen?

Mendoj është i nevojshëm miratimi i një kuadri të ri ligjor i cili do të rregullonte më mirë jo vetëm veprimtarinë e SHISH, por dhe koordinimin më të mirë ndërmjet shërbimeve te ndryshme që kryejnë veprimtari informative në vend dhe për më tepër për të vendosur një kornizë të plotë për mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e tyre.

Në kushtet e mungesës së një sistemi të efektshëm llogaridhënie dhe transparence është e lehtë të ngrihen supozime dhe spekulime të cilat dhe ato ndikojnë negativisht në perceptimin dhe performancën e shërbimeve informative pasi çdo gjë që thuhet mbetet e pa sqaruar dhe në mungesë të paqartësisë publiku gjendet në presionin e gjykimeve të politizuara mbi shërbimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë