Ne rrjet

“Mund të kishit shpëtuar mijëra jetë”. Trump do të largohet nga OBSH

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar sot të ndërpresë njëherë e përgjithmonë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe të tërheqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar një letër OBSH-së, duke e kritikuar jo vetëm për përgjigjen e saj kundër koronavirusit dhe duke akuzuar kreun e saj për "menaxhim lojrash politike". Letra, të cilën Trump e zbuloi publikisht në një postim në Twitter, rendiste një sërë kritikash për përgjigjen fillestare të OBSH-së ndaj koronavirusit në ditët e para të shpërthimit në Kinë.

Ai akuzon OBSH se "injoroi raportet për shpërthimin e virusit" dhe akuzoi organizatën se kishte vepruar shumë ngadalë dhe duke iu përkulur presionit nga qeveria kineze. Trump tha që nëse Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus do të kishte shembullin e reagimit të OBSH-së gjatë shpërthimit të SARS në 2003, gjatë së cilës, organizata  kritikoi ashpër përpjekjet kineze për të mbuluar përhapjen e virusit, "mijëra jetë mund të ishin shpëtuar".

Kreu i OBSH, Dr.Tedros Adhanom Ghebreyesus

Letra, drejtuar Tedros, theksonte po ashtu se nëse OBSH "nuk angazhohet për përmirësime të mëdha thelbësore brenda 30 ditëve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të tërheqin fondet e përhershme për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do të rishqyrtojë anëtarësimin në të".

"Nuk mund të lejoj që taksapaguesit amerikanë të vazhdojnë të financojnë një organizatë që, në gjendjen e saj aktuale, nuk u shërben interesave të Amerikës", thuhet në letrën e Trump.

Trump pezulloi fondet vjetore të SHBA-së për Organizatën Botërore të Shëndetit, një vendim që ngjalli jo pak kritika, për shkak të reagimit të ngadaltë të vetë presidenti Trump ndaj virusit. Para pezullimit, Shtetet e Bashkuara ishin dhuruesi më i madh i OBSH.

Administrata Trump i bëri gjithashtu të qarta pakënaqësinë e saj me OBSH gjatë takimit vjetor të organizatës të hënën. Sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha që OBSH-ja kishte "dështuar në misionin e saj thelbësor" dhe se "në një përpjekje për të fshehur këtë shpërthim, Kina injoroi detyrimet për transparencës.

Pekini, ndërkohë, u përpoq të qëndronte më pranë OBSH dhe Europës pasi Presidenti Kinez Xi Jinping tha se çdo vaksine e prodhuar në vendin e tij do të shpërndahej brenda një periudhe të shkurtër në të gjithë globin.

Në një mesazh video drejtuar Asamblesë Botërore të Shëndetit, organi vendimmarrës i OBSH-së, Azar i bëri jehonë kritikës së Trump, duke cituar "një dështim të kësaj organizate për të marrë informacionin që i duhej botës", si një nga "arsyet kryesore që kjo shpërthim jashtë kontrollit."

Xi shprehu gatishmëri për një hetim të udhëhequr nga OBSH në lidhje me pandeminë të hënën, duke mbështetur "idenë e një përgjigjeje globale ndaj Covid-19, pasi situata të vihet nën kontroll".

Për çfarë akuzohet OBSH?

Një raport nga revista prestigjoze gjermane “Der Spiegel” ka zbuluar së fundmi se Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të ketë qënë në dijeni të epidemisë që kishte shpërthyer në Kinë përpara se ta bënte publike.

Sipas gazetës prestigjoze gjermane, presidenti kinez Xi Jinping, i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, të vonojë paralajmërimin global për kërcënimin e Covid-19.

Presidenti kinez Xi Jinping, Gazeta Si, 2020

“Xi Jinping në një telefonatë më 21 janar, i ka kërkuar kreut të  OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus që të mos publikojë informacion mbi përhapjen e COVID-19 nga njerëzit tek njerëzit, gjë e cila ka shtyrë me 4 javë marrjen e masave për përhapjen e pandemisë”, shkruan “Der Spiegel”. Sipas gazetës, telefonata është vërtetuar edhe nga të dhënat e siguruara nga Shërbimi Federal i Inteligjencës në Gjermani.

Pavarësisht provave se virusi transmetohej nga njeri tek njeriu në fillim të dhjetorit, autoritetet kineze e mohuan deri në 20 janar. Organizata Botërore e Shëndetit është akuzuar se bëri të njëjtën gjë. Megjithatë, zyrtarët në Tajvan ngritën shqetësime që në 31 dhjetor, ashtu si edhe ekspertët në Hong Kong më 4 janar.

Akuzat kundër OBSH-së janë ngritur më parë edhe nga administrata amerikane dhe në veçanti nga presidenti, Donald Trump, i cili e akuzon OBSH-në se është pro kineze dhe po i bën propagandë Pekinit.

Më 14 janar, Organizata Botërore e Shëndetit tha se hetimet paraprake të kryera nga autoritetet kineze nuk kanë gjetur prova të qarta të transmetimit nga njeriu te koronavirusit, pavarësisht se provat tregonin të kundërtën.

Presidenti Donald Trump tha disa javë më parë se Organizata Botërore e Shëndetit duhet të ketë “turp” dhe theksoi se shërben si një “agjenci shtypi” për Kinën. Presidenti gjithashtu ka urdhëruar zyrtarë të lartë amerikanë të gjejnë një mënyrë për të “ndëshkuar” Kinën për fshehjen e pandemisë së koronavirusit. Trump dhe ndihmësit e tij kanë diskutuar privatisht heqjen e Kinës nga “imuniteti sovran”, duke synuar që qeveria amerikane ose viktimat të padisin Kinën për dëmet. Ekspertët kanë paralajmëruar se masa ka të ngjarë të shkatërrojë ekonominë botërore dhe të prishë marrëdhëniet e tensionuara diplomatike midis Uashingtonit dhe Pekinit. Mundësia e anulimit të borxhit amerikan ndaj Kinës është po ashtu duke u konsideruar.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë