Ne rrjet

Mueller dhe super-shpura e tij vazhdojnë të vijnë

Max Boot/Washington Post  - Prokurori special i hetimit  të Presidentit Trump  na kujton gjithnjë e më shumë filmin klasik të vitit 1969, “Butch Cassidy and the Sundance Kid” Butch dhe Sundance, interpretuar nga Paul Newman dhe Robert Redford, janë dy keqbërës të pandalshëm në Perëndimin e Egër derisa befas,  ata takojnë të ngjashmin e tyre. Një ditë, ndërsa grabisin një tren befasohen kur shohin një lokomotivë që tërheq vetëm një vagon. Jashtë vijnë nja gjashtë burra mbi kuaj. Grabitësit e trenit shpërndahen, por jo përpara se të dy të qëllohen për vdekje nga kalorësit.

Kjo “supershpurë”  siç quhet në skenar, atëherë ndërmerr një kërkim të pandalshëm, thuaj të një tjetër bote. Butch dhe Sundance provojnë çdo lloj strategjie që u vjen ndërmend për t’u arratisur. Ata ndajnë edhe bandën. Fshihen në një bordello. Ngjiten në shkëmbinj. Më pas madje përpiqen të regjistrohen edhe në ushtri. Asnjëra nuk bën punë. Shpura,  parë vetëm nga larg, përparon me qetësi magjike, pa ngadalësuar apo përshpejtuar. Keqbërësit rrapëllijnë,  ndërsa kuptojnë se nuk mund të arratisen. “Po fillojnë të më ngrenë nervat”, thotë Butch. “Kush janë këta tipat?”

“Ata tipat” dalin të jenë një koleksion i njerëzve më të mirë të rendit në Perëndim, udhëhequr nga sherifi legjendar Joe Lefors, të cilët janë mbledhur në gjueti të banditëve. Robert S. Mueller III është mishërimi i Lefors-it, dhe ekipi i prokurorit  special është super-shpura e tij, në jetën e vërtetë. Ashtu si Lefors në film, ai kurrë nuk thotë një fjalë. Por, lë punën të flasë.Mueller ka fituar 35 padi dhe gjashtë dënime – përfshi edhe atë të këshilltarit për sigurinë kombëtare të Trump-it, Michael Flynn, kreun e fushatës Paul Manafort dhe zëvendëskryetarin e fushatës  Rick Gates. Mund të thuash  37 padi dhe tetë dënime nëse llogarit Michael Cohen-in, avokatin personal  të Trump-it dhe Sam Patten-in, një lobist i lidhur me Manafort-in, i shpallur fajtor, në juridiksione të tjera, për akuza që dalin nga puna e Mueller-it.

Marrëveshja për falje e Cohen-it ishte veçanërisht domethënëse, për shkak se implikonte presidentin në një komplot që dhunonte ligjet federale të financimit  të fushatës. Edhe sikur Mueller t’i jepte fund hetimit të tij nesër, ai tashmë do të mund të gjykohej si një nga prokurorët  më të suksesshëm specialë në histori. Triumfi më i fundit i Mueller-it erdhi javën e shkuar kur Manafort-i, i dënuar për tetë akuza mbi krime, ra dakord të shpallej fajtor për dy akuza të tjera, në mënyrë që  të shmangte një tjetër proces gjyqësor.

Në këmbim që t’i binin akuzat e tjera, Manafort-i premtoi të bashkëpunonte me prokurorin special. Trump dhe avokatët e tij kanë përshtatur një shprehje si  “jo marrëveshje e fshehtë”, sikur kjo të qe i vetmi krim për të cilin ai mund të ishte fajtor, por Manafort-i përfaqëson mishërimin e marrëveshjes së fshehtë : ai është prej kohësh agjent i oligarkëve rusë dhe ukrainas, të cilët punojnë shumë pranë me të dyshuarin operativ të inteligjencës ruse.

Ndërsa hetimi i Mueller-it përparon, në mënyrë metodike dhe pa ndalur, Trump po vrapon rrapëllimthi si Butch-i dhe Sundance – minus, padyshim, sharmit, mprehtësisë dhe hijeshisë  së Redford-it dhe Newman-it. Profili i Twitter-it të Trump-it është ulërima e parë kundër “Gjuetisë së Manipuluar të Shtrigave “dhe “17 demokratëve të  inatosur”. Ditën e martë, ai madje e quajti FBI-në, “kancerin e vendit tonë”. Ai mund të jetë duke pyetur : “Kush janë këta tipat?”,  sepse asnjë nga manovrat e tij nuk po bën punë. Mueller e ndjek ende  dhe publiku, sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga CNN, është shumë më mbështetës ndaj sjelljes së prokurorit special (50 përqind) sesa të presidentit (30 përqind).

Butch dhe Sundance  u shtynë nga dëshpërimi të hidheshin nga shkëmbi në një lumë të egër dhe të arratiseshin në Bolivi për t’u ikur super-shpurës. Në dëshpërimin e tij, Trump po shtyhet të pengojë drejtësinë. Shembulli i fundit: kërkesa e tij që FBI-ja të deklasifikojë dosje top-sekrete të lidhura me hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e ShBA-së. Ish drejtor i CIA-s, John McLaughlin e quan këtë “sulmin më të rëndë të një presidenti ndaj sistemit të drejtësisë, deri tani,”, ndërsa Përfaqësuesi  demokrat i Kalifornisë  Adam B. Schiff , citon se drejtori i FBI-së Christopher A. Wray dhe  Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod J. Rosenstein  i kanë thënë se publikimi i këtyre dokumenteve mund të jetë “një vijë e kuqe që nuk duhet kapërcyer , pasi mund të komprometojë burime dhe metoda.”

Ja ku vjen edhe pjesa më e keqe,  nga këndvështrimi i Trump-it: Publikimi i atyre dokumenteve nuk ka gjasa ta ndihmojë atë më shumë sesa  e ka ndihmuar publikimi i një memoje nga Përfaqësuesi  Republikan i Kalifornisë  Devin Nunes , ose një version të redaktuar i garancisë së mbikëqyrjes për ish-këshilltarin për politikat e jashtme të Trump-it, Carter Page. Sa më shumë fakte dalin, aq më dënuese duken për presidentin.

Trump-i mund të shtyhet në  fund të dalë në një breshëri (simbolike) të shtënash arme alla Butch dhe Sundance. Në rastin e tij kjo do të  thotë të falë këdo të përfshirë dhe të hapë zjarr ndaj Prokurorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm , në mënyrë që të instalojë lajkatarët që do e zhdukin Mueller-in,  për hesap të tij.  Por nëse atij do i duhej të vinte edhe njëherë në jetë “Masakrën e së Shtunës Mbrëma”, ai vetëm sa do të forconte rastin për impeachment dhe,  duket me gjasë se do të ketë një Shtëpi të kontrolluar nga Demokratët për të kërkuar një hetim të tillë, në muajin janar.  Mund të ketë edhe një maxhorancë të vogël demokratësh në Senat. Ashtu si me Butch-in dhe Sundance-in, fundi i Trump-it do të jetë dramatik, gjasat po  rriten gjithnjë e më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë