Shendet

MSh ‘dëgjon’ këshillën e Gazetës “Si”, liberalizohet tregu i testimeve anti-Covid

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një vendim i Komitetit Teknik të Ekspertëve ka vendosur liberalizimin e testimeve serologjike, duke lejuar edhe spitalet private që t’i kryejnë ato, për të vërtetuar nëse një person e ka kaluar, apo jo Covid-19 dhe ka zhvilluar kundërtrupa në organizëm.

Megjithatë, testimet fillestare do të kryhen vetëm nga mjekët dhe infermierët dhe kategori të tjera që vlerësohen me risk të lartë infektimi. Qëllimi, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë është studimor dhe rezultatet do t’i shërbejnë Institutit të Shëndetit Publik.

Gjithashtu, jo të gjitha spitalet private mund të kryejnë testimet serologjike. Ato do të certifikohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të miratohen nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të licencuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2”, thuhet në njoftim.

Testimi serologjik ndihmon për të kuptuar nëse një person e ka kaluar apo jo Covid-19, pasi identifikon kundërtrupat e prodhuara nga organizmi që kanë luftuar virusin. Megjithatë, siç edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon, e po ashtu edhe dhjetra studime ndërkombëtare, jo të gjithë personat e prekur zhvillojnë kundërtrupa. Kjo do të thotë se edhe saktësia e këtij testi nuk është 100 për qind.

“Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat”, sqaron MSH.

Ministria e Shëndetësisë thotë se analizat në fjalë do të përdoren për të përgatitur atë që njihet si plazma konvaleshente e prodhuar nga personat që e kanë kaluar sëmundjen, e që në një pjesë të vendeve perëndimore po përdoret për të kuruar personat e prekur.

“Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19. Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar", thotë MSh.

Gazeta “Si” ka sjellë e para nevojën për të liberalizuar tregun e testimeve, anti-Covid, ku përmes artikujve të përcjella prej saj ka argumentuar se monopoli shtetëror i testimeve mund të prodhonte korrupsion me testimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë