Editorial

Shtoni testimet anti COVID duke liberalizuar edhe tregun

Nga çdo kënd që ta shohësh përhapjen e virusit në Shqipëri, tani pas heqjes së karantinës, logjika të çon në një përfundim: se duhet shtuar numri i testimeve në popullatë.

Një mënyrë është duke rritur angazhimin financiar dhe njerëzor nga institucionet publike dhe shtetërore.

Tjera është liberalizmi dhe kryerja e testeve edhe nga privatët,  sipas standardeve, të kontrolluara dhe të licencuara nga entet shtetërorë. Kjo e dyta sjell efekte pozitive  zinxhir  më shumë.

Për rrugën e parë,  pengesa kryesore  mund të jetë kosto e mëdha  financiare për buxhetin e shtetit  të dërrmuar tani nga pandemia por të varfër prej vitesh (megjithëse kjo çështje ha diskutim) .

Një mënyrë që të lehtësosh barrën është t’i lejosh qytetarët që të kryejnë testimet me paratë e tyre. Kush është në gjendje të mirë ekonomike aq sa ta përballojë një test duhet të lejohet si pjesë e kontributit financiar për të përballuar pandeminë.

Një tjetër pengesë mund të jenë kapacitetet e kufizuara humane dhe spitalore. Liberalizmi i testimeve dhe kryerja e tyre nga privati  do të rriste kapacitetet dhe në të njëjtën kohë në Shqipëri mund të kryheshin më shumë testime dhe përpunoheshin më shumë të dhëna që do t’i shërbenin parandalimit të përhapjes.

Pas heqjes së karantinës  u vërejt një shthurje shoqërore që nuk respekton rregullat e mbrojtjes nga pandemia. Megjithëse autoritetet po flasin që duhet rritur ndërgjegjësimi dhe zbatuar rregullat strikt si gjatë karantinës, numrat e  rritur nga infeksionet dhe sjellja e përditshme nuk lë vend për hamendje.

E meqë në karantinë nuk kthehemi dot duhet  gjetur një qasje tjetër për ndërgjegjësim. Një instrument është paraja. Sot qytetarët që janë të gatshëm të kryejnë një  testim me shpenzimet e tyre (tek privati) janë potencialisht edhe pjesa që ka më shumë kujdes. Kjo qasje nuk i përjashton as të pamundurit nga ana ekonomike. Sepse kjo kategori do të kishte më shumë akses për testim tek shtetërori...  

...Bërja e testimeve individuale do t’i bënte njerëzit më të kujdesshëm sepse së pari; bashkë me shëndetin ato do të luftonin të mbronin edhe shpenzimin e kryer. Nga ana tjetër duke pasur përgjigjet e analizave (pozitiv ose negativ), këto të dhëna do të detyronin vullnetarisht qytetarët që të vetëkarantinoheshin ose të paktën të kujdeseshin që të ishin më të mbrojtur.

Për momentin me këtë mënyrë testimi të kontrolluar dhe të kufizuar nga shteti kjo qasje nuk mund të ndodh.

Me daljen nga karantina dhe me shtimin e rasteve të infektuara dhe të vdekjeve, shteti apo autoritetet e tjera publike po e humbasin të drejtën të diktojnë se kush do të duhet të bëjë testin e  kush jo. Ata nuk kanë më të drejtë të privojnë njerëzit të vetëmbrohen qoftë edhe duke përdor paratë e tyre përmes testeve private.

Është zgjedhja e tyre dhe ca më shumë tek një pjesë e shoqërisë nuk po diskutohet duan apo nuk duan ta bëjnë testin, por nuk munden ta bëjnë testin.

Liberalizmi i testeve duke u kryer edhe nga privati do të stimulonte një një formë edhe solidaritet mes të mundurit dhe të pamundurit, mes të  pasurit dhe të varfrit. Sepse nëse dikush sot ka mundësi që ta kryejë privatisht testin me fondet vetjake do t’i linte radhën në shtet një më të varfëri apo më të pamunduri, nga paratë e tij do të kursente jo vetëm buxhetin, por dhe financat personale të një familje me më pak të ardhura. Kështu të dyja palët do t’i krijonin mundësi vetes të ishin më të mbrojtura e më të sigurta, pa u diskriminuar për shkak të statusit social apo ekonomik

Shumë  mjekë të njohur e të mençur, e të pa ngjyer politikisht po e thonë qartë se duhen rritur testimet. Ata nisen nga nevoja për  të mbledhur më shumë të dhëna shkencore që do të ndihmojnë në parandalimin përhapjes së virusit. Autoritetet ndoshta e kanë kuptuar këtë. Por nëse mendojnë se numri i testimeve lidhet vetëm  më mundësinë buxhetore, kjo është një rrugë që nuk të çon shumë larg dhe se zgjat shumë.

Rritja e testimeve duhet menduar paralelisht dhe me liberalizmin e tyre për tu kryer nga spitalet apo klinika private të licencuara dhe kontrolluara sipas standardeve më të larta.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë