Ne rrjet

Mrekullia “Trump”, Amerika rinis prodhimin

Kur Donald Trump u betua si President i Shteteve të Bashkuara, ripërsëriti premtimin e fushatës; rigjallërimin e ekonomisë amerikane dhe sidomos uljen e papunësisë përmes rikthimit të fabrikave të kompanive amerikane të shpërndara nëpër botë.

Të paktë ishin ata që e besuan dhe me të drejtë. Në dy vitet e fundit të Presidencës Obama, ekspertët flisnin për “vdekjen” e industrisë së prodhimit në SHBA, nisur edhe nga volumi i papërfillshëm i vendeve të punës që ky sektor i ekonomisë amerikane krijonte çdo muaj.

Në 2015-2016 vetëm 60 mijë amerikanë u punësuan në sektorin e prodhimit, ose 0.5 për qind e totalit të të punësuarve. Ndërkohë, në dy vitet e para të Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë vendet e reja të punës në këtë sektor janë 714 për qind më shumë, ose 491 mijë vende të reja.

Shifrat janë sipas Zyrës së Statistikave të Punës në SHBA, që publikon çdo muaj të dhënat e grumbulluara në terren. Në dhjetor u punësuan 312 mijë persona në total dhe së bashku me të u mbyll për të dytin vit radhazi ulja e papunësisë. Kur Barack Obama la Shtëpinë e Bardhë, numëroheshin mbi 8.3 milionë amerikanë të papunë. Sot kjo shifër është ulur në 6.3 milionë.

Një tjetër ndryshim është fakti se në epokën Obama një peshë të fortë të punësimit zinin vendet e punës të krijuara drejtpërdrejtë ose tërthorazi nga investimet e Qeverisë. Në 2015-2016 numri i të punësuarve nga këto investime ishte 357 mijë, ndërsa në dy vitet e para të Donald Trump ka zbritur në 99 mijë.

Për analistët amerikanë kjo do të thotë se ekonomia vendase po shpërfill kërcënimet e faktorëve të ndryshëm dhe po ecën në rrugën e duhur, duke krijuar vende të reja pune më të qëndrueshme dhe jo sezonale.

Meritën kryesore për këtë, ekspertët, edhe ata më kritikët ndaj Donald Trump ja japin uljes së taksave për sektorin e prodhimit në dhjetor të 2017.

“Shifrat janë kokëforta. Në dy vitet e fundit të Presidentit Obama, elita jonë politike e deklaroi sektorin e prodhimit të vdekur dhe qeveria hapte gjashtë herë më shumë vende të reja pune se fabrikat tona. Në dy vitet e para të Donald Trump, fabrikat tona kanë hapur pesë herë më shumë vende të reja pune se qeveria. Kjo është formula për një Amerikë më të zhvilluar”, thotë Chuck DeVore, ekspert i ekonomisë dhe ish-ligjvënës i Kalifornisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë