Futboll

Mrekullia e Greqisë së Rehagel në Europian! Kur disa të panjohur u bënë heronj për 22 ditë

Gazeta Si – Vetëm 22 ditë, nga 12 qershori deri më 4 korrik 2004. Vetëm 22 ditë për për t’u bërë ata që askush nuk e imagjinonte dhe për t’u kthyer në atdhe si heronj, si Omerë, Akilë, Hektorë, Uliksë, Menela dhe Agamemnonë të kohëve të sotme.

Kjo i ndodhi një grupi të panjohurish, të udhëhequr nga një gjerman, që në karrierë e kishte terguar se kthente në ar çdo gjë që i jepej. Quhej Oto Rehagel dhe prej 4 vitesh drejtonte Greqinë, pasi kishte fituar 3 tituj në Gjermani (2 me Verder Bremenin dhe 1 me Kaizerslauternin që debtonte në Bundesligë), 3 Kupa kombëtare, 3 Superkupa dhe 1 Kupë Kupash.

Një curriculum, që gati në moshën 66-vjeçare, e lejonte atë t’i shikonte kolegët nga lart. Maestro Rehagel ishte shumë i respektuar në atë ambient dhe ngjallte kuriozitet tek ata që ëndërronin dhe nuk u besonin parashikimeve të zakonshme.

Nga 12 qerhsori më 4 korrik 2004, luhej Europiani në Portugali. Favorite ishte Franca kampione Europe në fuqi, pastaj Italia, Gjermania, Anglia, Spanja dhe të zotët e shtëpisë, portugezët. Për Greqinë, natyrisht, nuk fliste askush.

E kush i njihte ata lojtarë që Rehagel kishte bërë bashkë, duke i mbledhur nëpër Europë, ku shpesh nuk ishin as titullarë me klubet e tyre? Teksa shihje listën e të grumbulluarve, duke e krahasuar me atë të skuadrave të tjera, ishte për të vënë duart në kokë. Për ndonjë lojtar klasi as që bëhej fjalë.

Rehagel kishte zgjehdur një modul që ishte adapt për karakteristikat e djemve të tij: 4-2-3-1. Në portë Nikopolidhis, një ekspert, siç tregonin edhe flokët e tij të thinjur, me personalitet dhe një ngjashëmri të madhe me aktorin Xhorxh Kluni, që e bënte atë ikonik për tifozët.

Rehagel feston me ekipin titullin kampion Europe

Në mbrojtjen me 4, Seitaridhis dhe Fisas në krahë, me detyra më shumë prapa. E kotë të hapnin telashe duke shkuar përpara në sulm. Në qendër të mbrojtjes dyshja Delas-Kapsis. Një gjigant i ngadaltë i pari, më i shpejtë i dyti. Në mesfushë kapiteni Zagoraqis dhe Kacuranis, që kishte detyrën të ndihmonte mbrojtjen.

Më përpara regjisori i vërtetë, Angelos Basinas, flamuri i Panathinaikosit. Vizion loje dhe mjeshtër për goditjet standarde. Çdo iniciativë sulmuese kalonte nga këmbët e tij. Në sulm, Janakopulos deh Karagunis në mbështetje të Haristeas, por edhe Vrizas here pas here.

Mungonte një shënues i vërtetë, por lëvizja e vazhdueshme e të treve shkaktonte konfuzion te mbrojtjet kundërshtare. Pastaj ishin goditjet e dënimit dhe ato të këndit, ku kolosët grekë ishin gjithmonë të rrezikshëm.

Greqia bënte pjesë në grupin A, me Portugalinë, Rusinë dhe Spanjën. Shumë e vështirë dhe asnjë kompani bastesh nuk e kuotonte kalimin e grupit, as 375 tifozët që e ndoqën pas skuadrën nuk kishin shpresa.
Më 12 qershor debutimi kundër të zotëve të shtëpisë në ‘Estadio do Dragao’, 50 mijë spektatorë dhe të gjithë portugezë. Vetëm një njollë e vogël e tifozëve grekë humbiste në detin kuqejeshil.

Nga një viktimë e sigurtë për Figo, Rui Kosta e Deko, Greqia u bë një makth për Portogalinë dhe trajnerin Luiz Felipe Skolari, kampion bote me Brazilin. Karagunis, me një të djathtë nga jashtë zonës, shënoi golin e parë. Portugezët konfuzë nuk mundën të barazonin dhe në fillim të pjesës së dytë pësuan edhe golin e dytë me penallti nga Basinas.

Në shtesë, goli i Kristiano Ronaldos nuk mjaftoi për të evituar humbjen dhe polemikat te Portugalia. Sfida e dytë për Greqinë ndaj Spanjës, që shënoi me Morientes, por Haristeas barazoi në pjesën e dytë dhe në fund 1-1. Ndeshja e tretë në grup ishte vendimtare. Portugalia mundte Spanjën, ndërsa djemtë e Rehagel u mposhtën 2-1 nga Rusia, por kaluan grupin, pasi kishin shënuar më shumë gola se Spanja.

Në çerekfinale Franca e Zidan, Henri dhe Trezege. Një mal i pakalueshëm dhe fitorja e francezëve as nuk kuotohej nga kompanitë e basteve. Rehagel, duke ditur vështirësitë, e karikoi kështu skuadrën: "Nëse mundemi, do ta bëjmë si heronjtë e vërtetë grekë". E pamundura nuk ekziston dhe kështu Greqia e vogël u bë papritur e madhe.

E mbrojti poortën e Nikopolidis me kurajë dhe inteligjencë dhe pastaj sulmi për të dhënë goditjen vendimtare. Ia doli me të zakonshmin Haristeas. 1-0 për Greqinë, një çmenduri! Gjysmëfinale për skuadrën e Reahagel, që në këtë pikë donte të shkonte deri në fund. Çekia si kundërshtar dukej më mirë se Holanda, në gjysmëfinalen tjetër ndaj Portugalisë.

Trajneri Rehagel dhe festa e Greqise pas triumfit ne Europian

Maestro Rehagel nuk u zinte besë çekëve dhe kishte të drejtë. Gara ishte e ashpër. Greqia, më shumë se te taktika dhe teknika, u kap te grinta dhe shpirti i sakrifiocës për të mbajtur larg Rosiçkin me shokë. Koha e rregullt përfundoi 0-0, për grekët ishte një sukses. Në shtesë goli i Delas nga një goditje këndi. Ishte ‘golden gol’ dhe Greqia në finale!

Nuk kishte ndodhur kurrë ë parë. Në ‘Estadio da Luz’ të Lisbonës finalja kundër Portugalisë, me të cilën Greqia kishte luajtur në ndeshjen e parë. Rehagel, shumë dinak, punoi për ta hequr nga mendja e të tijve atë sukses, nuk donte ta kujtonte fare. Gjermani donte që lojtarët të zbrisnin në fushë të qetë dhe të vetëdijshëm se përballë nuk do të kishin vetëm 11 lojtarë, por një popull të tërë.

Dhe kështu ishte. Përralla e Greqisë ishte si një uragan që zbriste nga mali dhe ishte e pamundur të ndalej. As Figo me klasin e tij dhe as i riu Kristiano Ronaldo me gjarpërimet e tij, as trajneri Skolari me lëvizjet prej shahisti nuk mundën ta ndalnin mrekullinë që po ndodhte.

Nga finalja e Euro 2004 Greqi-Portugali

Një goditje me kokë e Haristeas i dha fitoren Greqisë. Në atë kohë shumë ngritën zërin, duke theksuar se Europaini u fitua nga një skuadër që vetëm mbrohej dhe kundërsulmonte, sikur nuk ishte e lejuar të fitohej në atë mënyrë.

Heronjtë e Rehagel ngritën në qiell kupën dhe të shoqëruar nga 375 tifozët që i ndoqën në Portugali, u kthyen në atdhe, ku populli grek i priti siç e meritonin. Olimpi ishte i gjiti për ta. U nisën të panjohur dhe u kthyen fitues. Iu deshën vetëm 22 ditë për të përmbushur këtë metamorfozë të jashtëzakonshme.

Vetëm pak muaj më pas kampionët në fuqi të Europës ranë në “Qemal Stafa”, ku u mudën 2-1 nga Shqipëria, tani në Europian. A mund të bëjnë edhe djemtë e Silvinjos surprizën në një grup “ferri” me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë…? Mrekullitë në futboll ndodhin dhe për kuqezinjtë mrekulli do të ishte edhe kalimi i grupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë