Futboll

Mourinjo-CR7, dy “armiqtë e betuar” përballë njëri-tjetrit

Në skenën e “Old Trafford”, dy personazhet më të famshëm të Portugalisë moderne duhet t’i japin dorën njëri-tjetrit dhe të thonë “olà”. Çështje edukate, e rëndësishme si në Madeira, ashtu edhe në Setubalin e pasur. Por do të jetë një përshëndetje kortezie, pasi marrëdhënia mes Kristiano Ronaldos dhe Zhoze Mourinjos nuk ka qenë kurrë e bukur. Nuk e kanë dashur asnjëherë njëri-tjetrin, përveç ndonjë momenti të lumtur të Mourinjos në stolin e Realit nga viti 2010 në vitin 2013, kur të dy luftonin në një betejë epike kundër Barcelonës më të fortë të të gjitha kohërave.

Me kalimin e kohës, ka dalë në pah dhe është thelluar krisja e tyre, për shkak të karakterit që ka secili personazh. Mourinjo dhe Kristiano kanë kontribuuar në punën e Horge Mendesit dhe super agjenti portugez nuk e ka pasur aspak të lehtë, teksa në vitrinën e tij të kristaltë ka pasur këta dy “elefantë” të mëdhenj. Do të takohen në Champions, në një moment të vështirë për të dy. Mourinjo po humb gjithmonë e më tepër mbështetjen e lojtarëve te Mançesterit, kurse Kristiano Ronaldo ndodhet në mes të skandalit “Mayorga”.

Mourinjo dhe Kristiano Ronaldo, kur ishin bashkë pjesë e Realit të Madridit

“Lufta” mes të dyve nisi pas disa kritikave të trajnerit dhe “kafazit” taktik të tij, që e izolonte Ronaldon. Përplasja u bë më e fortë pas dy ndeshjeve me Barcelonën. E para në gjysmëfinale të Championsit në vitin 2011, kur Kristiano kritikoi lojën mbrojtëse të trajnerit të tij dhe në ndeshjen tjetër e pa veten në stol. Më pas Mourinjo lëshoi disa akuza direkte për lojtarin e tij, të tipit: “ti luan vetëm për veten” dhe “ti nuk i respekton shokët”, si dhe një pyetje kurioze: “Të duket vetja më i mirë se Di Maria?” Përveç debateve taktike mes të dyve, gjithmonë kanë peshuar egot e tyre personale jashtë limiteve, ku secili ka dashur të errësojë dritën e tjetrit. Në fund, pas tre vitesh bashkëjetesë, edhe Ronaldo u fut në listën “e zezë” të Mourinjos. Por edhe ndarja nuk i ka frenuar shigjetimet. Në një rast “Special One” u shpreh: “Kam stërvitur Ronaldon, atë të vërtetin, jo portugezin”. Dhe përgjigja e CR7 ishte: “Nuk pështyj në pjatën ku kam ngrënë”.

Ronaldo përshëndet me sforco trajnerin Mourinjo pas një ndërrimi

Kalimi i Ronaldos te Juventusi dhe shorti i Championsit e kanë vënë atë në qendër të vëmendjes në Angli. Imazhet e portugezit me fanellën bardhezi ishin kudo në Londër, ndërsa denoncimi i Kathrin Majorgës për CR7 e ka ndryshuar disi situatën. Shtypi anglez ka akuzuar kolegët italianë se janë treguar shumë të butë me argumentin në fjalë. Natyrisht, gjatë 48 orëve të ardhshme, anglezët do të jenë edhe më të ashpër, por diferenca e madhe e rikthimit në Angli për Ronaldon është se do të gjejë në stolin e Mançester Junajtid pikërisht Mourinjon dhe jo Aleks Fergusonin, të cilin e konsideron “një baba të dytë”.   Përpara CR7 do të shfaqet një “Special One” në një situatë mjaft delikate: i dhjeti në kampionat dhe i sulmuar nga mediet, por luftarak. Shqetësimi i vërtetë i Mourinjos nuk është konflikti me Ronaldon, por forca e Juventusit. Fitorja me Njukasëllin dhe barazimi 2-2 me Çelsin e kanë larguar disi furtunën, por një skualifikim i mundshëm pas akuzave të trajnerit portugez për federatën mund t’i trazojë sërish ujërat. Dhe nëse në Mançester do të shënojë Kristiano, për Mourinjon humbja do të ishte edhe më e hidhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë