Keshilla

Mos u ndjeni keq! Të bërit shopping është një terapi më vete

Të bësh blerje mund të jetë terapeutike. Le të ngrejë dorën kush nuk është ndier mirë, kur i ka kushtuar pak kohë vetes duke bërë blerje. Një palë këpucë ose një fustan i ri, një çantë e modës ose për burrat ndonjë orë apo ndonjë aksesor sportiv: çfarëdolloj blerjeje të kemi bërë rezultati nuk ndryshon. Në fund do të ndihemi të kënaqur dhe në një gjendje të mirë shpirtërore. Pasi në fakt, blerja ka një vlerë të vërtetë terapeutike, prandaj nuk duhet të ndihemi në faj, pse herë pas here shpenzojmë pak kohë dhe para për ndonjë blerje shtesë.
Ja disa arsye të mira për t’i dhuruar vetes diçka të re sa më shpejt të jetë e mundur.
Studimi shkencor - Një studim i disa kohëve më parë, i kryer nga një ekip i psikologëve të Universitetit të Miçiganit, në Shtetet e Bashkuara, e ka konfirmuar atë edhe shkencërisht: tri eksperimente të ndryshme kanë treguar që bërja e blerjeve ka një efekt të menjëhershëm në humor, duke zvogëluar gjendjen e trishtimit dhe melankolinë. Të dhënat e mbledhura nga vullnetarët që morën pjesë në studim tregojnë se, pas tri orësh nëpër dyqane, ata që kishin bërë blerje ishin tri herë më të lumtur sesa ata që thjesht kishin admiruar mallrat e ekspozuar. Në Shtetet e Bashkuara madje flitet për terapi, konkretisht për të treguar zakonin e blerjeve në përmirësimin e gjendjes shpirtërore të njerëzve, për të zvogëluar stresin dhe melankolinë: me pak fjalë, gëzohemi dhe ndihemi më të lumtur, të paktën përkohësisht . Qendrat tregtare përtej Oqeanit janë duke u përgatitur edhe me hapësirat e krijuara për të përmbushur këtë nevojë sociale, me produkte me kosto të ulët që sigurojnë kënaqësinë e blerjes, pa u ndier në faj për shumën e parave të shpenzuara.
Stop ankthit - Blerja, për të qenë me të vërtetë terapeutike, duhet të përqendrohet në mallrat personale, të cilat kënaqin blerësin dhe që janë për të një objekt i vërtetë dëshire. Në këtë rast, efekti në ankth është i menjëhershëm: siç zbuloi një studiues holandez nga Universiteti i Tilburgut në Holandë, blerja e diçkaje që na pëlqen shpesh ka një efekt të ngjashëm me atë të një anksiolitiku natyral, të paktën në një afat të shkurtër, duke luftuar vetminë dhe egërsinë ekzistenciale.
Një injeksion vetëvlerësimi - Një veshje e re është një pikë në favor të konsideratës që kemi ndaj vetvetes, kjo na bën të ndjehemi më të bukur dhe më të dëshirueshëm dhe na shtyn të kemi marrëdhënie më të mira me miqtë dhe të njohurit tanë. Të ndjerit më tërheqëse gjithashtu e bën më të lehtë krijimin e miqësive të reja dhe hapjen e përvojave të reja.
Lufton përtacinë - Para se të blejmë një objekt, ne jemi të detyruar t'i kushtojmë pak kohë zgjedhjes që bëjmë duke shëtitur sa në njërin dyqan në tjetrin, do të ecim, duke luftuar në këtë mënyrë dembelizmin dhe një mënyrë jetese sedentare. Edhe pse blerja në internet po bëhet më e përhapur, ne nuk do të jemi në gjendje ta përjashtojmë plotësisht veten nga një vizitë në dyqan: këpucët duhet të provohen, për të testuar rehatinë dhe madhësinë e tyre, dhe një shëtitje për të parë nëpër vitrina mund të na inspirojë. Prandaj blerja është një mënyrë e mirë për të djegur kalori. Nëse shtojmë heqjen dorë nga ashensorët dhe shkallët lëvizëse në favor të hapave për t'u ngjitur në këmbë, do të djegim një numër të mirë kalorish.
Favorizon marrëdhëniet shoqërore - Përfshirja e një shoqeje në gjuetinë tonë të blerjes është një klasik i domosdoshëm dhe një mundësi e shkëlqyeshme për t'u takuar. Bërja e blerjeve ndihmon në luftimin e vetmisë dhe përmirësimin e bashkëveprimit shoqëror: dyqanet zakonisht janë vende plot me njerëz, ku mund të shkëmbehen mendime dhe të ndahen ide, edhe nëse vetëm në momentet e shkurtra kur ata janë duke pritur në kasë për të paguar apo në dhomat e provës.
Na mëson t’i vendosim vetes një qëllim - Objekti i dëshirave tona jo gjithmonë shfaqet në përpjekjen e parë: durimi dhe këmbëngulja mund të vihen në provë. Por a doni ta provoni kënaqësinë kur në fund kemi sukses? Blerja gjithashtu mund të sigurojë një mundësi për të reflektuar në disa aspekte të jetës sonë dhe të na bëjë të marrim disa vendime të rëndësishme, të tilla si ndjekja e një stili të shëndetshëm të të ngrënit për të humbur kilet shtesë që na pengojnë të veshim rrobat që duam.
Disa kundërindikime - Me pak fjalë, blerja është e mirë në shumë pikëpamje. Por kini kujdes: zbrazja e kartës së kreditit është një efekt anësor i pakëndshëm, në të cilin nuk duhet të futemi. Ne duhet të vendosim një buxhet maksimal, në përpjesëtim me mundësitë tona, dhe duhet ta respektojmë atë rreptësisht. Por nëse çdo objekt duket i parezistueshëm në atë pikë sa të mos jemi në gjendje të bëjmë pa të, nëse bërja e blerjeve bëhet koha e vetme e kënaqshme dhe nëse nuk arrijmë të kontrollojmë sasinë e parave që shpenzojmë, duhet ta pranojmë se jemi përpara sinjaleve që tregojnë një qëndrim kompulsiv: bëhet fjalë për një çrregullim sjelljeje që duhet të marrim masa për ta shmangur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë