Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto e ka cilësuar të hënën Finlandën si fajtoren e vetme për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Finlanda, e cila mban presidencës e radhës së Bashkimit Evropian, është sipas Budapestit zyrtar përgjegjësja për dështimin e zgjerimit të BE-së Ballkanit Perëndimor.
"Është kjo presidenca e parë që nuk ka qenë në gjendje të hapë asnjë kapitull të vetëm negociatash me ndonjërin nga vendet kandidate. Kjo nuk ka ndodhur më parë", tha Szijjarto, pas takimit të tij në Pragë me homologët nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia .
Në samitin e Bashkimit Evropian në tetor, Franca ka shkaktuar zemërim, pasi ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nisja e bisedimeve me këto dy vende është mbështetur fuqishëm nga Gjermania dhe vendet e tjera.
"Shtyrja e zgjerimit dhe vendosja e pengesave në rrugë janë politika që shkojnë në kundërshtim me interesat europianë", tha Szijjarto.
Përfaqësuesi i Hungarisë në përbërjen e re të Komisionit Evropian mban portofolin e zgjerimit dhe të fqinjësisë.
Szijjarto tha se zgjerimi është "në duar të mira" me komisionarin Oliver Varhelyi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.