Biznes

Mon Cheri, brandi shqiptar që nisi pas një shkrimi

Sabina Veizaj - Një shkrim këshillues për suksesin e filialeve të biznesit (franchising) ndikoi që Mon Cheri të shpërthente si kërpudhat pas shiut, jo vetëm në Shqipëri, por edhe të eksportohej jashtë kufijve me një sukses kokëfort.

“Kisha një mosbesim të madh. Një shkrim ma ka mbushur mendjen. Ishte një këshillues i huaj që fliste për suksesin e Franchising. Për të vajtur tek blloku ngjitur, ka disa alternativa, citonte shkrimi; autobuzi, taksia, makina, biçilkleta, patinat. Për të vajtur në hënë, ka vetëm një mënyrë; ajo është raketa. Këtë simbolikë që merrte dhe e paralelizonte me Franchising. Veçanërisht në sektorin e shërbimeve duhet ta privatizosh skemën. Ai që udhëheq pikën e shitjes është ai që fiton më shumë të ardhura. Ne ofrojmë emrin, infrastrukturën, dizainin, produktet dhe gjithçka që fitohet është në interes të të dy palëve.

Shkrimi këshillonte që të mos bëni kompromis në dy gjëra; të hapni pika të suksesshme dhe të bashkëpunoni me njerëz që e duan sektorin. Njerëz të cilët janë të lidhur. Edhe sot njerëzit që udhëheqin më mirë filialet e Mon Cheri janë pikërisht këta njerëz. E gjej veten shumë tek vërtetësia e  këtij shkrimi”, më rrëfen Juxhini, pronari i Mon Cheri-së.

Ne jëmi ulur në një nga pikat e rrjetit të kafeterisë pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, e cila është një nga pikat e vetme ku shërbimi të bëhet me kamariere.

Karakteristikë e Mon Cheri është që i gjithë rrjeti i shërbimit kryhet nga gjinia femërore.

Mon Cheri

“E kam pasur tmerrësisht të vështirë këtu e 11 vite të shkuara e deri vonë. Deri tre vite më parë i intervistoja vetë personat që rekrutoja. Gratë më vinin të shoqëruara me burrat dhe nuk flisnin. Ishin bashkëshortët që flisnin për to”- tregon Juxhini duke më sqaruar se Mon Cheri ka patur e para konceptin e të futurit të gruas në shërbim, për të përmirësuar këtë sektor, pasi gruaja zbut.

Aktualisht në treg janë 20 pika Mon Cheri; një ndodhet në Durrës, e 22-ta është në Budapest.

Mon Cheri Budapest

“Budapsti është ngritur si një flamur afatgjatë. Janë disa arsye rrethanore. Prej kohësh ne donim të eksportoheshim. Nëpërmjet filialeve (franchising) ne duam të përhapemi në rrethe të tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë. Jemi në  kërkim të partnerëve, jemi duke përzgjedhur disa partnerë. Shumë shpejt do fillojmë me Kosovën me dy pika, ndërkohë donim edhe një vend europain. Menduam që është shkalla e mesme më e mirë. Ka vakum për kafeteri në Budapest. Ai që e mbjell tregun, ai e korr.”- tregon Juxhini.

Në fakt, shpjegon ai, nuk është se nuk ka kafeteri, por janë të zakonshme.

Duke përmendur Stur Bucks, ai thekson se ky rrjet është fokusuar kryesisht tek target grupi i turistëve dhe çmimet e këtij rrjeti janë 40% më të larta se tregu. Prandaj ka hapësirë në nivelin e mesëm për të konkuruar me zinxhiret lokale.

Mon Cheri në Budapest është një investim 300 mijë euro, në një hapësirë 300 metra katrorë  në një zonë strategjike në qendër, në kryqëzimin që quhet Astoria. Kjo zonë frekuentohet si lokalisht, ashtu edhe nga turistët. Mon Cheri e Budapstit ka 10 ditë që  është hapur dhe stafi përbëhet nga 2 vajza shqiptare e pesë vajza hungareze. Edhe në administratë janë dy shtetas hungarezë.

Ambasada shqiptare në Budapest në hapjen e Mon Cheri

“Edhe në Hungari jemi me të njëjtin concept”- shprehet Juxhini. “Ka lëvizur vetëm 2-5% e shportës së produkteve, ku janë përshtatur disa nga pijet, ushqimet dhe ëmbëlsirat lokale. 2 produkte janë. Ata njerëz pijnë alkhool shumë, dhe kanë limonadën. Janë pak fruta të shtypura me ujë. Produktet lokale që ne kemi future janë 30-40 % e shportës së tyre natyrale, që unë nuk mund ti injoroja.”-thotë ai.

Mon Cheri Budapest

Për Juxhinin, suksesi është puna e vazhdueshme. “Nuk ka këshillë tjetër, thotë ai i bindur, Është sektor i vështirë, por që të kesh sukses duhet ta duash dhe të punosh sistematikisht”.

“E kam vënë re që shumë kanë tentuar të shesin produktet tona, disa të tjerë janë përpjekur të marrin copa të këtij biznesi, por kanë dështuar sepse çelsi është tek mënyra se si i bën bashkë.”- shpjegon Juxhini

Ai sëbashku me të vëllanë dhe të atin janë pronarë të 9 pikave Mon Cheri, 11 janë filiale. Në fillim kanë qenë 13 pika të tyre, pastaj ata filluam  procesin e frenchising. Tani ata po procedojnë me këtë sistem të filialeve. Kontratat prej 100 faqesh, detyrojnë që çdo gjë të bëhet siç janë Mon Cheritë.

“Ne duhet të gjejmë zgjidhje ta eksportojmë Mon Cheri në Mal të Zi, në Maqedoni, në Kroaci, Serbi. Kemi komunikim. Po mundohemi të gjejmë lokacionet më të mira. Për 2-3 muaj hyjmë në Kosovë me pikën e parë që do të jetë e jona dhe pikat e tjera në vazhdim do të jenë filiale”

Gjithashtu shumë shpejt Mon Cheri do të shkojë në Korçë, në Shkodër e do të zgjerohet me një pikë tjetër në Durrës.

Juxhini më tregon se pika e Durrësit ka patur një sukses të jashtëzakonshëm duke nxjerrë gjysmën e fitimit në tre muajt e parë dhe brenda vitit e ka shlyer veten.

Për të marrë një filial të Mon Cheri, patenta kushton 15 mijë euro. Bashkë me investimin mesatar vlera monetare është 50 mijë euro.

“Ky është një biznes vetëshpërthyes.Kosova është e uritur për 10 pika Mon Cheri, Serbia gjithashtu, rrjeti më i madh atje ka 11 pika.”

Si lindi Mon Cheri?

Nëse na ka shkuar ndonjëherë ndërmend që Mon Cheri është ekskluzivitet i ndonjë rrjeti brandi të huaj, kemi imagjinatë të gabuar.

Mon Cheri është Brand shqiptar i krijuar nga Juxhin Balliu, i vëllai dhe i ati.

Mon Cheri ka lindur si një kafene e thjeshtë, në kthinë të një lagjeje tek Ambasada Amerikane. E cila nëse nuk do të ishte pjesë e një njeriu fanatik për krijimin e vetë, nuk do të kishim këtë rrjet interesant që ka gjalluar Tiranën me të rinj e të reja.

“Kishim një pronë, donim ta rivitalizonim si ëndrra e më shumë se gjysmës së shqiptarëve. Sot e kësaj dite, unë mas mirë forcat dhe e kuptoj sa e vështirë është. Ne në thelb jemi tregtarë. Vijmë nga bota e kozmetikës, kancelarisë dhe e pllakave. Në vitet e para pas ndryshimit të sistemit, ishin babi me vëllain që nisën tregtinë të parët e më vonë iu bashkova unë. Sot ne e gjejmë veten ndryshe; jemi fokusuar tek këto dy biznese, Nova dhe Mon Cheri.” -rrëfen Juxhin Balliu. Juxhini dhe i vëllai Juli me profesion janë arkitektë dhe Nova merret me shitjen e produkteve të arredimit dhe ndriçmit për zyra dhe familje.

“Thelbi ynë është ta komercializojmë idenë. Shërbimi ka qenë për ne një sektor me shumë probleme, ashtu siç është. Thjesht i kemi gjetur zgjidhje shumë problemeve ndër vite. Në 11 vite këtë kam bërë. I kam gjetur zgjidhje në mënyrë të vazhdueshme problemeve.”

Ideja e Mon Cherisë ka lindur gjatë rrugës. Emri i bar kafesë së fillimit u gjet me tendencë duke bërë research. Në shportën e ideve u hodhën disa emra. “Pastaj u menduam; emër Italian ishte shumë i konsumuar. Menduam që emri francez tërheq, ka sharm, elegancë, etj. Ishte markë e krijuar prej nesh. E trajtuam Mon Cheri si bar kafe e thjeshtë. Ka pasur edhe pak profil vinoteke. Arredimi ngjan me fillimin. Ai koncept është. Që atëherë kemi dashur të bëjmë një arkitekturë të ngrohtë dhe shtëpiake. Shpeshherë ajo ëndrra e fillimit lidhet dhe vazhdon dhe përmirësohet”, thotë Juxhini. Investimi fillestar i Mon Cherisë së parë ka qenë 60 mijë euro të shlyera në 3-4 vite, në një periudhë më të gjatë se ç’ishte parashikuar.

Juxhin Balliu me pjesëtarë të stafit

Si çdo biznes ka momentet e veta më të vështira dhe pas gati tre vjetësh, në një moment kyç ata vendosën ta japim me qira sepse u dorëzuan nga vështirësitë. Të lodhur dhe zhgënjyer nga bota e shërbimit, pasi njerëzit kërkonin shumë e jepnin pak, probleme në vlerë, probleme me stafin, kishte ardhur momenti që të hiqnin dorë.  “Në Mon Cherinë e parë që ishte edhe prona jonë, im at pak me xhelozinë, me fanatzimin e pronës dhe pak me fanatizmin  e krijimit të atij biznesi në ato tre vite jep një ofertë të lartë me siguri qëllimisht, dhe në momentin final nuk bëhet ajo marrëveshje, për fatin tonë të mirë.”- kujton Juxhini.

Pas dy vitesh, shpjegon ai, me gjithë të këqijat që ka si sektor, ne vendosim të hapim një Bar kafe tjetër. Ky biznes ka rrjedhshmëri. Si drita e diellit që lind çdo ditë, ashtu vijnë edhe njerëzit. Ky është elementi kyç që sot e kësaj dite e mban këtë biznes.”

Mon Cheri në fillesat e saj nuk ka qenë e pozicionuar me target grup. Targeti ishte zona ku ajo ishte tek Ambasada Amerikane.

“Një gjë që na nxorri buzë rruge ishte sepse lagjia ishte shumë vështirë për t'u kapur dhe shumë e lehtë për t'u humbur. Ishin klientë shumë të vështirë për t'u mbajtur. Koncepti u kurua gjatë rrugës. Vendosëm të bëjmë pikën e dytë. Mendohemi gjatë, si tia vëmë emrin. Nuk ishim në konceptin e krijimit të zinxhirit. Në një moment e kuptojmë që mund të ishte diçka e përbashkët. Pika e dytë erdhi pas katër vitesh, tek Juridiku. Më pas, shumë shpejt u hapën tre pika të tjera. Pati një bum të jashtëzakonshëm dhe aty e menduam që zinxhiri sapo kishte nisur. Filluam të hulumtojmë nëpër botë zinxhire të ngjashëm për të kuptuar më thellë pikat e forcës për të vijuar. Shumë shpejt i kuptuam, por ishte vështirë për ti aplikuar.” – sqaron Juxhini.

Një pikë e rëndësishme force për Mon Cheri ishte një qendër logjistike ku të distribuoheshin mallra dhe zhdoganoheshin. Produktet e Mon Cheri prodhohen jashtë dhe paketohen me logon e vet. Çaji merret nga Sri Lanka. Shumë paketime merren nga Azia. Kjo për të ulur koston dhe rritur cilësinë; gjenden pika force ku ka pozitë produkti. Për kafen për shembull ka pozitë në Itali.

Kafe Mon Cheri

Tek e pyes se cila është vlera monetare e Mon Cheri, Juxhini më thotë se “Vlera e Mon Cherisë është potenciali i rritjes.” Çdo biznes ka kurbën e rritjes, ndalimit, qoftë edhe të rënies, por unë më shpjegon i bvendosur ai, këtë pikën e ndalimit e shoh 50 vite larg.”   “Kuptoj që minimumi kam një oportuniet 10 vjeçar për rritje në rajon; Kosovë, Maqedoni, në të gjitha ato vende ku rrjetet e mëdha nuk kanë nevojën të vijnë e të punojnë në një treg më të lirë. Zakonisht kështu ndodh, punojnë në tregje të tjera, vjen një moment o do të konkurohesh, o do të shkrihesh me ta. Dy rrugë janë, Në këtë pikë mund të them që kam shumë rrugë përpara, për tu shtrirë në rajon. Shqipëria është shumë e vogël për tu trajtuar sit reg potencial. Mikel është kokurenti im, një rrjet kafeterie në Greqi me 147 pika. Ai ka vepruar në një treg shumë më të madh. Shqipëria është si një akuarim, mbingopet e nuk ke ku të shkosh më tej.”

Aktualisht gjithë grupi Mon Cheri bën një xhiro vjetore prej 350 mln lekësh të reja në vit plus xhiro të shtuara të tjera të distribucionit.

Mon Cheri

“Është shumë e vështirë ta shoh veten pas 10 vitesh. Mënyra se si po veprohet në biznes, vendimmarja, veprimet operacionale, është e vështirë të mendosh pas 2 vitesh. Por unë synoj ta shoh Mon Cheri në 10 vite si lider në treg në shumë shtete, shoh një vlerë marke shumë herë më të madhe”- tregon Juxhini.

Diversifikimi i portofolit

Nevoja i ka bërë krijuesit e Mon Cheri të diversifikojnë portofolin e biznesit të tyre.

Mon Cheri u zhvillua gjatë rrugës si një concept jo më i një kafeterie të thjeshtë, por një vend edhe ku mund të konsumosh ushqim të shpejtë; panine dhe ëmbëlsira.

Kjo lindi nevojën e një punishteje artizanale për të prodhuar ushqim. “Kemi edhe një fabrikë prodhimi në sektorin e ushqimeve për panine, ëmbëlsira, në autostradë, km 6 Kashar. Në atë godinë ndodhin 3-4 procese kryesore; administrate, punishtja dhe fabrika e ëmbëlsirave dhe panineve, magazina e distribucionit e ka edhe klasa që bëhen trajnimet e stafit që i mbajmë gjithë kohën në zhvillim. Punishtja nisi si një nevojë gjatë rrugës. Ka 3 vite që  punon. Ne e trajtojmë veten si dyqan, brenda ka një miks biznesesh ku është një sektor marketi ku ne po zhvillojmë gjithmonë e më shumë nënproduktet e kafesë, ku njerëzit në mënyrë drejtpërdrejtë zgjedhin kafenë turke, moka, filtër, e ftohtë. Ne kemi penetruar edhe nëpër markete, jemi duke rritur dhe vlerësuar markën tonë, ndërkohë që jemi duke i dhënë mundësinë klientëve të na gjejnë  lokalisht më gjerë, në Sarandë psh, të na shijojnë në një drejitm tjetër. Është një treg më vete ku ne duam të jemi lider, siç jemi në pikat e shitjes, të jemi edhe tek retaili.”

Juxhin Balliu, trajnim

Juxhini vijon më tej rrëfimin, krenar për arritjet, por edhe modest në të njëjtën kohë. “Kemi krijuar si pikë force vetë brenda dyqaneve çajrat, kafetë, kakaot, produkte të cilat njerëzit mund ti marrin e ti konsumojnë edhe në shtëpi të paketuara.”

Papa's Bakery
Papa's Bakery

Kompanitë e reja të rrjetit Mon Cheri janë Artizani; fabrika e panineve dhe ëmbëlsirave. Aktualisht aty punojnë 30 veta dhe kapaciteti është ngritur për të punuar 100 persona. Puna është krejtësisht artizanale. “Për 5 vite ne synojmë të jemi lider në këtë sektor dhe të shesim të gjitha ushqimet e përpunuara të gatshme drejt bareve, restoranteve, hotelerisë. Ka shumë hotele që mbajnë disa pastiçierë, disa segmente të vetat, të cilat nuk ia vlen ti mbajnë si kosto e shtuar, çdo qelizë shitje është bërë edhe qelizë prodhimi. Që nuk mund të jetë e mundur. Mungonte kjo gjë në treg, e vura re nga  nevoja ime. Ne këtij biznesi i hymë nga halli.” – thotë Juxhini duke shtuar se “Donim të rrissnim një pikë force  që ishin ushqimet dhe ëmbëlsirat në Mon Cheri. Ishte sektor i vështirë sepse njerëzit nuk janë mësuar të hanë në kafeteri. Por njeriu modern është në lëvizje, jashtë shtëpisë, duke nisur nga brezi i prindërve tanë, ne e më pas sa vjen e do të gatuajë më pak në shtëpi.” Ndërsa Mon Cheri po rritet në një sektor të tretë me një linjë inverse paralele Papa’s bakery. “Ne rritemi bashkërisht dhe paralelisht. Aktualisht janë dy pika; njëra përballë Ministrisë së Drejtësisë dhe tjetra tek Inxhinieria e Ndërtimit. Jemi duke hapur edhe dy pika të tjera.  Me këtë linj kemi dalë me sistemin e filialeve që në fillim. Dy janë tonat, dy janë filiale.”

Konkurrenca

Mon Cheri
Mon Cheri

Juxhini numëron 18,000 konkurentë. Nuk janë zinxhirë kafeterie të ngjashëm me të, por janë të gjitha bar kafetë, fast food-et në Republikën e Shqipërisë që sipas Juxhinit nuki operojnë në kushte të barabarta përballë rregullave  dhe ligjeve të shtetit.Sipas tij, në Shqipëri, gjithë paraja e pistë ka hyrë në këtë sektor. “Sepse është një biznes që qarkullon, është një biznes që të jep një jetë sociale dhe sot e kësaj dite unë vuaj 18,000 konkurentë, pa marrë parasysh 5000 llotot të cilat ofrojnë kafenë tej limiteve të poshtme të çmimit”, thotë Juxhini.

Ai këmbëngul se rregullatori që është shteti duhet të ndërhyjë sa më parë. Dhe nëse ai ndërhyn, për Juxhinin duhet të mbyllen më shumë se gjysma e kafeneve. “Im vëlla që merret me Novën më thotë që ka 18 000 klientë kurse ti ke 18000 armiq. E ke shumë të vështirë këtë lloj lufte.”

Përpos problematikave, Juxhini mendon se konkurenti aktual i Mon Cheri është Mulliri i Vjetër, i cili e ka nsiur biznesin në krye të herës nga prodhimi i kafesë, por sipas tij nuk do jetë për gjatë, sepse si çdo biznes tjetër në Shqipëri që konkuron me çmimin e ulët, nuk rri gjatë në majë. Sepse tregu ndërkombëtar dikton qasje të reja kah vlerave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë