Mendim

Momenti i së vërtetës në Maqedoni!

Maqedonia duket se ka hapur zyrtarisht garën kundër kohës për të çuar deri në fund marrëveshjen me Greqinë, mes akuzave politike, presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit të deputetëve

Parlamenti maqedonas nisi të hënën seancën e parë plenare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të çojnë drejt zbatimit të paktit historik për ndryshimin e emrit. Por kjo është vetëm faza e parë e procesit të zbatimit të marrëveshjes, edhe pse është ende e paqartë nëse Kryeministri Zoran Zaev  ka siguruar shumicën e nevojshme në parlamentin maqedonas.

"Njerëzit duan stabilitet, siguri dhe prosperitet ekonomik. E vetmja rrugë për këto qëllime është përmes anëtarësimit në NATO dhe BE. Nuk ka dhe nuk mund të jetë një alternativë tjetër", tha të premten kryeministri Zaev, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të mbështesin mocionin.

Si do të procedohet?

Koalicioni në pushtet ka 71 prej 120 deputetëve në parlament. Megjithatë, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ata kanë nevojë për të paktën edhe nëntë deputetë të tjerë nga kampi i opozitës, i udhëhequr nga partia nacionaliste VMRO DPMNE. Sipas rregullores së parlamentit, miratimi i plotë i amendamenteve që do të ndryshonin emrin e vendit, mund të zgjasë më shumë se tre muaj,

Nëse dy të tretat e deputetëve mbështesin mocionin, qeveria mund të fillojë përgatitjen e amendamenteve aktuale të kushtetutës dhe t'i paraqesë ato në një votim të përsëritur, i cili do të kërkonte një shumicë të thjeshtë. Nëse deputetët do të miratojnë projekt-amendamentet, ato do të duhet të diskutoheshin edhe njëherë në një debat publik, pas të cilit parlamenti do të duhet të votojë për herë të tretë dhe të fundit. Votimi i tretë do të kërkojë sërish një shumicë prej dy të tretash.

Kryeministri maaqedonas, Zoran Zaev

Nëse votimi i parë, i cili pritet të mbahet brenda ditëve të ardhshme, dështon për shkak të opozitës, Zaev ka paralajmëruar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që të sigurojë dy të tretat e parlamentit dhe të çojë deri në fund marrëveshjen historike. Megjithatë, shumica e vëzhguesve pajtohen se alternativa më e mirë do të ishte përfundimi i këtij procesi në parlament, duke bindur të paktën disa deputetë të opozitës që të mbështesin ndryshimet. LSDM-ja ka mbajtur bisedime të vazhdueshme me deputetët e opozitës në përpjekje për t’i bindur të mbështesin marrëveshjen në parlament. Negociatat janë mbajtur larg medias, por burimeve jozyrtare  hedhin dyshime se deputetët e opozitës mund të kenë kërkuar amnisti, në këmbim të mbështetjes së marrëveshjes me Greqinë

Kush po kërcënon deputetët?

Partia opozitare VMRO DPMNE shprehet nga ana tjetër se është duke u përballur me presion të madh kombëtar dhe ndërkombëtar. Disa nga deputetët e opozitës shprehen se kanë marrë kërcënimet me vdekje për të mos përkrahur marrëveshjen e qeverisë me Greqinë në parlament dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka thënë se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për t'i mbrojtur. “Askush në Maqedoni nuk ka të drejtë të kërcënojë qytetarët dhe ligjvënësit. Ata duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë lirisht detyrën, të përfaqësojnë qytetarët dhe të vendosin në emër të tyre", tha Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski.

Një zyrtar i brendshëm i partisë tha për BIRN se kishte parë disa nga mesazhet kërcënuese që i ishin dërguar disa deputetëve të opozitës.

"Mesazhet jo vetëm që kërcënojnë deputetët më jetë, por në disa raste përmendin edhe familjet e tyre ... Ata janë dërguar nga numra të panjohur, kështu që nuk mund të jem i sigurt se kush mund të jetë pas tyre", tha ai nën kushte anonimitetit. Sipas tij, kërcënimet u janë nisur më së shumti deputetëve qe dyshohet se duan të mos i binden partisë dhe të mbështesin qeverinë në parlament duke votuar pro marrëveshjes së emrit. Nga ana tjetër, VMRO DPMNE akuzoi qeverinë se u kishte dhënë ryshfet e deputetëve të saj.

Deputetët e VMRO DPMNE që mblidhen pas udhëheqësit të partisë Hristijan Mickoski.

Kërcënimi i deputetëve nuk ishte suprizë për shumicën e ekspertëve perëndimorë, të cilët kishin paralajmëruart se politikanë të kapur nga Rusia dhe spiunët e infiltruar në institucione dhe media të sponsorizuara nga Kremlini, po përpiqeshin të bllokonin referendumin për ndryshimin e emrit. Sipas disa dokumenteve dhe të dhënave të mbledhura nga inteligjenca maqedonase, spiunët dhe diplomatët rusë janë përfshirë në një mision gati dhjetëvjeçar për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për të bllokuar anëtarësimin e Shkupit në NATO.

Këto debate dhe presione duket se kanë arritur gjithashtu në BE, duke prekur Partinë Popullore Europiane, PPE-në, anëtare e së cilës është edhe VMRO DPMNE. Të mërkurën, agjencia shtetërore e lajmeve e Maqedonisë, MIA, citoi një burim të paidentifikuar nga PPE, i cili thoshte së mund të dëbojë partinë nga blloku i saj.

Të dielën, Presidenti i PPE-së, Joseph Daul zhvilloi një bisedë telefonike me udhëheqësin e VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, duke e paralajmëruar se nëse partia e tij pengonte këtë debat demokratik parlamentar mbi miratimin e marrëveshjes, do të mbante përgjegjësi të plotë për pasojat.

Në një intervistë për gazetën austriake Der Standard, të botuar të hënën, Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn tha se ishte gjithashtu i vetëdijshëm për kërcënimet e raportuara. "Ka njoftime për kërcënime ndaj atyre që duan të distancohen nga VMRO DPMNE dhe të mbështesin qeverinë në parlament", tha Hahn. "Kjo është krejtësisht e papranueshme për një parti që pretendon të jetë një parti proevropiane dhe demokratike", theksoi ai. 

Afati joformal për zbatimin e marrëveshjes është marsi i vitit të ardhshëm, përiudhë në të cilët parlamenti grek pritet të ratifikojë marrëveshjen përpara se Athina të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë