Menaxhim

Modeli kullë, dhomë për pacientët obezë, palestër… / Si do të projektohen spitalet në Shqipëri

Nga Gazeta Si - Spitalet që do të ndërtohen në të ardhmen apo spitalet që do të rikonstruktohen do t'u nënshtrohen normave të reja të projektimit, të publikuara në Fletoren Zyrtare.

Këto norma janë të detyrueshme për projektimin e spitaleve dhe klinikave mjekësore publike apo private, që do të ndërtohen apo do të rikonstruktohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Një nga pikat e para është zgjedhja e vendit për të ndërtuar, ku kërkohet që të përfshihen elementet klimaterike, integrimi me elementet natyrore dhe ata të ndërtuar dhe kujdesi ndaj fatkeqësive natyrore.

Në nivel planifikimi duhet përzgjedhur një shesh ndërtimi, i cili nuk është i ekspozuar ndaj riskut sizmik apo përmbytjeve.

Ndërkohë, rekomandohet të projektohen hapësira në të cilat përdoruesi të mos ndihet i dominuar prej saj.

Sidomos në njësitë e shtrimit masive, apo ato me karakter ambulator (dializa, kimioterapia etj.), rekomandohet të përdoren elemente arkitektonike që krijojnë ishuj hapësinorë.

Në dokument përfshihet edhe dizajni i spitaleve ku duhet të shmanget përdorimi i shtretërve metalikë dhe të synohet më shumë përdorimi i objekteve të artit në prodhimin e një imazhi miqësor të sektorëve të ndryshëm spitalorë.

Rruga që të çon drejt objektit spitalor duhet të kalojë nëpër një peizazh urban të kuruar, me fasada objektesh arkitektonike dhe me shërbime.

Gjithashtu, në dokument thuhet se e rëndësishme është që hyrja si element kompozicional, të jetë vizualisht e dallueshme. Rekomandohet që imazhi arkitektonik i hapësirës pritëse të jetë sa më larg atij të zonave klinike spitalore.

Për sa i përket tipologjisë së ndërtimit të spitaleve në dokument paraqiten 4 lloje modelesh.

Modeli kullë

Ky model, sjell modelin e spitalit që organizohet rreth një aksi vertikal në formën e një kulle mbi një platformë. Në të gjitha rastet, modeli parashikon vendosjen e Njësive të shtrimeve në katet e sipërme (në kullë), duke vendosur në qendër të saj lëvizjen vertikale dhe në ato të poshtmet (në platformë) vendosjen e Sektorëve të Diagnostikimit, Trajtimit dhe shërbimeve të tjera.

Modeli i spitalit të artikuluar nga një rrugë-galeri

Sipas këtij modeli, spitali orientohet rreth një rruge-galeri, e cila trajtohet si një hapësirë publike. Rruga galeri tregon një drejtim kryesor të përshkrimit të ndërtesës, përgjatë së cilës gjenden hyrjet për në shërbimet spitalore. Është ideja e qarkullimit brenda spitalit dhe midis spitalit dhe hapësirës urbane.

Modeli i spitalit të artikuluar rreth atriumeve të mbuluar

Kjo vjen në trajtën e një sheshi të mbuluar me xham në lartësinë e të gjithë ndërtesës, në të cilën orientohen fasadat e brendshme të hapësirave spitalore. Këto ngjajnë me hollet e hoteleve apo të qendrave tregtare dhe janë hapësira pritëse, orientimi dhe shpërndarëse, të cilat vendosen përgjithësisht në pozicion qendror midis hapësirave shpërndarëse (korridoreve) të ndërtesës, ku këto të fundit ndjekin një skemë të përcaktuar shpesh simetrike.

Modeli i spitalit të artikuluar rreth shesheve dhe oborreve të hapur

Zgjedhja e ndërtesave të ulëta e modulare bëhet një mënyrë për të organizuar lirisht hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme, për të ngjasuar më tepër me rezidenca të ndërthurura me oborre dhe tarraca. Hapësirat e dignostikimit dhe shërbimeve të tjera klinike mund të mbahen në katet e poshtme në formën e “platformës” dhe dhomat e shtrimit mbi to, hapen në oborre dhe tarraca të gjelbëruara mbi “platformë”.

Një risi që parashikohet është edhe shërbimi për pacientët bariatrikë (obezë).

Në çdo njësi shtrimi, mund të ofrohen edhe ambiente për pacientët obezë. Parashikimet do të përfshijnë dhomë pacienti teke e madhe.

Dhomat do të kërkojnë hapësirë shtesë për një shtrat bariatrik dhe qasje në pajisjen ngritëse të pacientit. Dhoma duhet të lejojë më shumë se një kujdestar në çdo kohë, si dhe hapësirë për lëvizjen e pajisjeve. Pajisjet e pacientëve për ngritjen dhe pajisjet mbështetëse të lëvizjes kërkojnë hapësirë të përshtatshme për lëvizjen e sigurt të pacientëve dhe njëkohësisht të personelit ndihmës. Për të gjitha dhomat e shtrimit, rekomandohen ngritësit e pacientëve të montuar në tavan. Gjithashtu parashikohet që të ketë edhe një palestër të krijuar posaçërisht për pacientët obezë. Palestra do të ketë pajisje të cilat mund të mbajnë pesha nga 250 deri 500 kg.

Për sa i përket numrit të shtretërve përcaktohet që çdo njësi hospitalizimi (njësi e shtrimeve) mund të përmbajë deri në 32 shtretër pacientësh. Mund të lejohen deri në 16 shtretër shtesë si zgjerim i një njësie standarde me 32 shtretër, me pajisje shtesë mbështetëse në përpjesëtim me numrin e shtretërve, për shembull nga 1 shërbim shtesë për materialet e pastra, të papastra dhe magazinimin e pajisjeve shtesë. Për më shumë se 16 shtretër shtesë, do të kërkohen shërbime mbështetëse shtesë, si për një njësi të plotë me 32 shtretër, të vendosura për t’i shërbyer shtretërve shtesë.

Numri maksimal i preferuar i shtretërve në një zonë shtrimesh për Obstetri ose Pediatri do të jetë 20- 25 shtretër sipas dokumentit. Një minimum prej 20% e shtretërve do të vendosen në dhoma teke në një njësi shtrimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë