Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në diskutim për modelin e fletëve të votimit, duke prezantuar për partitë 5 modele të ndryshme.
Nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, por një prej aleatëve të Lulzim Bashës, kryetari i PAA-së, Agron Duka nënvizoi se standardet e zgjedhjeve po cenohen rëndë ende pa filluar.
“Zëvendësimi i emrave me numra humb sensin e listave të hapura, ndërsa heqja e siglave humb sensin e koalicionit. Koalicionet nënkuptojnë bashkim të disa partive dhe kandidatëve të tyre lehtësisht të dallueshme për çdo votues.
Vota e lirë dhe e ndershme është thelbi i demokracisë dhe fuqia e ndryshimeve. Jo fleta votimi pa logo të partive pjesë e koalicioneve dhe pa emra të kandidatëve.
Standardet e demokracisë dhe zgjedhjet në Shqipëri po cenohen rëndë.
Listat nuk u hapën, koalicionet u kufizuan, fletët e votimit do të krijojnë vështirësi, paqartësi dhe konfuzion të qëllimshëm të votuesve që të përzgjedhin lehtësisht partinë dhe deputetin që duan të mbështesin me votën e tyre të lirë”, tha Duka.
Sipas tij, gjithë reforma zgjedhore dhe elementët teknik të saj e kanë minimizuar konkurrencën politike dhe rrezikojnë “të ulin pjesëmarrjen në votime dhe të deformojnë votën për të ruajtur dhe rritur pushtetin absolut të pak individëve”.
“PAA kërkon që listat e votimit të jenë sa më të qarta, të thjeshta dhe sa më të lehta për çdo votues. Kjo arrihet kur në fletën e votimit gjendet lehtësisht logoja e çdo partie, pjesë e koalicioneve dhe emri i çdo kandidati të tyre”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.