Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u bëri thirrje partive politike që t’i qëndrojnë larg debatit mbi modelin e fletës së votimit që duhet të votohet më 25 prill.
“Unë nuk do doja që partitë politike të hyjnë në një diskutim të tillë. I takon KQZ që të përcaktojë një fletë votimi që të jetë e thjeshtë për qytetarët dhe që mos të çojë asnjë votë të pavlefshme. Në këtë këndvështrim, dua të them edhe një herë vlerësimin tone se për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatin që ata duan dhe jo vetëm për subjektin politik”, deklaroi ai.
Balla thotë se fleta e votimit duhet të jetë e thjeshtë dhe e lehtë për t’u administruar.
“Fleta e votës do të jetë e përbërë nga dy pjesë, kandidati por dhe pjesa tjetër, me numra apo shkurtime, që e cakton KQZ. Eksperienca ka tregtuar qe të përdoren numrat për të arritur në formësimin e një flete votimit të vogël, për t’u administruar”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.
Reagimi i Ballës mbërriti pas publikimit të pesë modeleve të fletëve të votimit që po shqyrton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zgjedhur njërën. Kreu i PAA-së, Agron Duka i cilësoi këto modele si cenim i rëndë i standardeve zgjedhore.
“Zëvendësimi i emrave me numra humb sensin e listave të hapura, ndërsa heqja e siglave humb sensin e koalicionit. Koalicionet nënkuptojnë bashkim të disa partive dhe kandidatëve të tyre lehtësisht të dallueshme për çdo votues. Vota e lirë dhe e ndershme është thelbi i demokracisë dhe fuqia e ndryshimeve. Jo fleta votimi pa logo të partive pjesë e koalicioneve dhe pa emra të kandidatëve. Standardet e demokracisë dhe zgjedhjet në Shqipëri po cenohen rëndë”, deklaroi Duka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.