Menaxhim

Modeli ‘Butrint’ / Edhe Parku i Bylisit në dorë të një fondacioni (drafti i qeverisë)

Nga Gazeta 'SI' - Parku Arkeologjik i Bylisit do të menaxhohet nga një fondacion i modelit “Butrint”.

Një draft i nxjerrë për konsultim nga ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, MEKI, thotë se ky është modeli më i përshtatshëm për parkun dhe rijetëzimin e tij, si në aspektin strukturor dhe atë turistik.

“Modeli i propozuar për Parkun Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit, në planin dhe objektivat afatshkurtër dhe afatmesëm, është Administrimi indirekt me fondacion të krijuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Institucion të Specializuar. Rekomandohet që fondacioni i ri ta shkëpusë Bylisin nga administrimi aktual me Apoloninë dhe t’i bashkëngjitë administrimit të ri rrënojat e Klosit”, thuhet në draftin qindra faqe të gjatë.

Fondacioni thotë MEKI do të ketë vetëm 13 të punësuar, që do të merren me administrimin e parkut dhe veprimtaritë edukuese e kërkimore aty.

“Fondacioni i sapoformuar ka mundësi të përfitojë financime nga shumë burime të ligjshme, përfshirë organizata të ndryshme, institucione akademike, ente private, dhe të ngjashme, duke kontribuar në mbështetjen financiare për menaxhimin dhe funksionimin e sitit”, thuhet në dokument ku theksohet se ay mund të ketë dhe aktivitete më ofrim produktesh dhe shërbimesh, ndonëse nuk qartësohet nëse bëhet fjalë për biznese argëtimi apo konsumi.

Parku Arkeologjik i Bylisit ndodhet në krahinën e Mallakastrës në jug të Shqipërisë. Ky park ndodhet në krahun e majtë të Rrugës Nacionale Fier – Tepelenë, në afërsi të fshatit Hekal dhe Klos. Qyteti antik i Bylisit është rreth 1.5 km larg qendrës së fshatit Hekal dhe shtrihet në pllajën e një kodre me lartësi 547 metra mbi nivelin e detit, me një pozicion gjeografik mbizotërues dhe panoramik mbi Luginën e Lumit Vjosë.

Bylisi ka qenë qyteti ilir më i madh në Ilirinë e Jugut me sipërfaqe rreth 30 hektarë. Në jug të Bylisit ndodhen rrënojat arkeologjike të qytetit Nikaia, themeluar në gjysmën e dytë të shek. V p.Kr.

Në perëndim të Bylisit ndodhen dy qendra të tjera, ajo e Gurëzezës në Cakran dhe Margellici në Patos. Në lindje të Bylisit ndodhen rrënojat e dy kështjellave, ajo e Rabijes dhe e Kalivaçit të Tepelenës, të cilat shënojnë kufijtë lindorë të Bylisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë