Biznes

Moda e apartamenteve ‘Bed and Breakfast’ në Tiranë

Të rinjtë në Shqipëri po i japin frymë modelit "Bed and Breakfast", biznesit të qirasë afatshkurtër.

Arkitektët dhe agjencitë imobilare thonë për Gazetasi.al se ata përgjithësisht kanë nevojë për të ardhura dytësore dhe e kanë kuptuar që ky është një biznes fitimprurës.

“Studioja jonë është kontaktuar nga shumë njerëz së fundmi të cilat marrin me qira një apartament ku nuk është investuar shumë dhe e mobilojnë me një stil ‘stylish’ dhe modern. Më tej e promovojnë atë në platforma si Booking dhe Arnb. Është një trend që prej vitesh ka nisur në botë por në Shqipëri tashmë është kthyer në një tendencë gjithnjë e më shumë në rritje”, thotë për Gazetasi.al arkitekti Alvi Lala.

Ai shton se ka edhe kompani të cilat merren prej kohësh me këtë aktivitet dhe i kanë të shpërndara nëpër Tiranë apartamentet ditore me qira që ofrojnë, por thekson se numri i individëve specifikë që po investojnë në të është rritur ndjeshëm.

Apartament Bed and Breakfast në Tiranë

“Trendi nuk është vetëm në Tiranë. Ne po mobilojmë edhe shumë apartamente në Gjirokastër, Vlorë, Sarande e Korçë. Pra kryesisht vende turistike pasi turistët po e pëlqejnë gjithnjë e më shumë këtë lloj modeli.

Është më i rehatshëm se hotelet të cilët tipikisht të ofrojnë vetëm një dhomë por njëkohësisht edhe çmimet janë më të lira. Kështuqë ata kanë mundësi të shfrytëzojnë vetë kuzhinën nëse duan të konsumojnë pa shpenzuar shumë dhe sigurisht të kenë më shumë hapësirë”, shton ai ndër të tjera.

Brokera të ndryshëm nga agjenci imobilare thonë për Gazetasi.al se shumica e tyre punojnë në informalitet.

“Sektori është ende i ri dhe ka nevojë për t’u stabilizuar e për t’u eksploruar. Megjithatë jo vetëm që shtojnë konkurrencën me hotelet e vogla por përgjithësisht edhe punojnë në informalitet.

Është investim që bëhet më shumë nga individë të cilët zotërojnë prona të vështira për t’u shitur apo për t’u dhënë me qira, kryesisht apartamentet me sipërfaqe 2+1 dhe 3+1, ku çmimi si i shitjes apo dhënies me qira afatgjatë është i lartë.

Por ka edhe nga ata individë që kanë një pronë të trashëguar dhe padyshim e shohin më të leverdishme ta japin atë me qira ditore deri në 40 euro nata pasi kështu përfitojnë dyfishin e shumës nëse do ta jepnin me qira apartamentin me 350 euro/muaj”, thotë Arbri Brahaj nga Realestate.al.

Arbri Brahaj

Shqiptarët nuk heqin dorë nga hotelet

Agjentët pohojnë thuajse njëzëri se ky model mbahet vetëm nga turistët e huaj pasi shqiptarët janë mësuar me hotelet dhe nuk heqin dorë kollaj prej tyre.

“Duke njohur si tipologjinë e shqiptarëve ashtu edhe atë të huajve mund të them që këtë sektor të ri por me hov po e mbajnë në këmbë vetëm të huajt.

Shqiptarët ndonjëherë kapen fort pas disa gjërave dhe zor se e ndryshojnë mendësinë e tyre. Hotelet mbeten ende pikë referimi në momentin që duan të kalojnë një natë jashtë shtëpisë.

Me të huajt është krejt e kundërta. Duke qenë se modeli B&B në botë është përqafuar prej kohësh,ata i shohin si më komode apartamentet ditore me qira.

E gjithë rritja e këtyre investimeve po vjen vetëm nga fakti që Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga vizitorë të huaj. Ata mbeten targeti kryesor i yni dhe përgjithësisht vijnë në grup.

Ndryshe nga hotelet, apartamentet ditore me qira turistët i konsiderojnë si shtëpi dhe shprehen se këtë privatësi të të qenit vetëm e konsiderojnë si elementë shtesë. Italianët, francezët dhe polakët janë turistët që zgjedhin më shumë të kalojë natën në një model B&B”, shton për Gazetasi.al Floriana Bana e cila ka arreduar vetë një apartament të tillë dhe tashmë e jep me qira.

Bana thotë për Gazetasi.al se periudha e verës është ajo që ka fluksin më të madh të punës duke qenë se dhe numri i turistëve që vijnë është më i lartë.

Floriana pohon se vështirësia qëndron në faktin që jo të gjithë pronarët e apartamenteve e lejojnë ridhënien e pronës me qira ditore.

“Pronarët e bllokojnë me kontratë dhe nuk të lejojnë që ti të rijapësh apartamentin me qira. Madje, ka shumë raste kur dhënia zhvillohet kryesisht nga vetë pronari pasi është e kuptueshme që edhe për atë, të ardhurat janë më të larta se sa qiraja e cila jepet në afatgjatë.”

Në Tiranë, sipas administratores së kompanisë së arredimit të apartamenteve “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, ky aktivitet shtrihet më tepër në zonat e ish-Bllokut, 9-Katësheve, Rruga e Elbasanit dhe “Myslym Shyri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë