Biznes

“Mobike” drejt falimentimit? Çfarë nuk funksionon në Tiranë…

Sabina Veizaj-Lajmi se do të ishim të parët në Ballkan për përdorimin e biçikletave inovative bike sharing pa stacion, “Mobike” do të përcillej me shumë entuziazëm nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj me Princin e Monakos duyke provuar "Mobike"

Pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve në Tiranë, do të thoshteVeliaj në qershor të 2018-ës kur u lançua aktiviteti Mobike, në Tiranë do të hidhen në treg 4000 biçikleta për të mundësuar nevojën për qarkullim të qytetarëve në kryeqytet me synim mbrojtjen e mjedisit me kosto të ulët.

Ky lloj mjeti transporti, sipas Veliajt, do të vinte si një alternativë më e lirë edhe se sa urbani dhe do të paguhej përmes një aplikacioni të shkarkuar në celular.


Qytetarët do ta kishin të lehtë aksesin, pasi përmes hartës së “Mobike” në google do të identifikonin biçikletën më të afërt nga vendndodhja e tyre.

Koncepti bike-sharing është inovacion kinez dhe ka nisur si start up nga sipërmarrës të rinj. Dy kompanitë rivale më të mëdha kineze të këtij lloj pedalimi, “Ofo” dhe “Mobike” në vitin 2017 kanë lançuar aktivitetin e tyre të shërbimit si një bashkëpunim në Europë. Financuesit më të mëdhenj të të dy start up-eve janë Alibaba Group, Holding Ltd. dhe Tencent Holdings Ltd.

Megjithë një mbështetjeje të madhe financiare, “Ofo” ka deklaruar 5 muaj më parë probleme me të ardhurat nga jashtë dhe prej pak ditësh Financial Times ka publikuar se kompania ka mbyllur departamentin që mbulon shërbimin jashtë Kinës dhe ka pushuar punonjësit që do ti paguajë me 50% të pagës për një vit.

“Biçikleta” prej 4 miliardë dollarësh (vlera e kompanive), ka bërë që dy rivalët në vendin e tyre të origjinës, të krijojnë një aleancë jashtë vendit për tu zgjeruar në Europë e më tej sëbashku. Kjo me këmbënguljen e investitorëve të tyre të përbashkët.
Këtë fakt e pat zbuluar Bloomberg në 2017-ën përmes burimeve konfidenciale pranë invetsitorëve.

Gati dy vite nga “martesa” e kompanive, re të zeza shfaqen nën qiellin e tyre me falimentimin e departamentit për jashtë të Ofo-s.

Çfarë ndodh me Mobike në Shqipëri?

“Mobike” në Tiranë nisi me 500 biçikleta. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi në 8 qershor 2018 kur u lançua veprimtaria, se do të ishin në treg një javë më pas 4000 të tilla.
Duke patur parasysh këtë shërbim, Bashkia Tiranë premtoi në fillim të vitit 2018, se qytetit do ti shtoheshin edhe 10 km korsi e dedikuar për biçikleta në disa zona si; aksi bulevardit “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu edhe në rrugën e re të Kombinatit.

Korsi këto që krijuan problematikë në qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve, pasi ka akse në Tiranë ku mungojnë trotuaret e këmbësorëve që u sakrifikuan për korsitë e biçikletave.

Fotografi ilustruese për korsitë e biçikletave në Tiranë


Por sipas Drejtorit italian të “Mobike” në Tiranë, Massimiliano Rubin të kontaktuar nga gazeta “Si”, aktualisht ndodhen nëpër rrugët e Tiranës vetëm 1000 biçikleta “Mobike”.
“Plani i 4000 biçikletave do shihet në kohë, në varësi të kërkesave të qytetit. Duhet kohë për t'u konsoliduar dhe verifikuar nevojat që kanë përdoruesit.”- tha Z. Rubin për gazetën “Si” duke mos përcaktuar afate konkrete për zhvillimin e aktivitetit, i cili nuk dihet se si do të shkojë në Shqipëri, pasi kompania Mobike, në Londër, ku biçikletat portokalli u lançuan në një kohë me ato të Tiranës, ka dhënë ultimatum se nëse aktet e vandalizmit do të vazhdonin, do të tërhiqeshin të gjitha biçikletat nga tregu.

Në fakt, me një sy të lirë në rrugët e kryeqytetit është vështirë të identifikosh si më parë biçikletat ngjyrë portokalli. Nuk dimë nëqoftëse kjo është për shkak të problematikave që kanë dalë në lidhje me këtë aktivitet, apo për shkak të motit me erë, shi dhe temperatura të ulta.

Në faqen zyrtare të kompanisë ku vihet re një mungesë e theksuar interaktiviteti me përdoruesit, ata syresh të paktë që shkruajnë, ndajnë problematika të ndryshme me shërbimin; duke nisur që nga çmimi i lartë, mosgjetja e biçikletave në zonat ku ju duhet dhe kur i gjejnë, biçikletat rezultojnë të prishura. Ka syresh të tjerë që evidentojnë edhe akte vandalizmi ku biçikletat janë prishur dhe shkatërruar me paramendim.

Por kryebashkiaku i Tiranës për biçikletat Ened Mato i mohon problematikat. “Në Tiranë po shkon mirë. Ka 5 muaj që është deklaruar falementimi sepse është vandalizuar në Europë, kryesisht në Londër. Por tek ne nuk ka probleme”- thotë Mato për gazetën “Si”.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe drejtori italian i “Mobike” në Tiranë, Massimiliano Rubin.
“Në Tiranë, përveç erës dhe shiut që bën të mos qarkullojnë shumë njerëz me biçikleta në këtë periudhë dimri, aktiviteti po shkon mirë. Janë zhurma të tregut ato për falimentim. Kompania është e pasur në kapital dhe shumë solide. Është në një fazë rinovimi. Për momentin nuk të dhëna për një faliment të mundshëm.”- thotë Rubin.

Por burime kofidenciale pranë kompanisë në Tiranë na thonë se ka kohë që kanë nisur problemet në kryeqytet me “Mobike” dhe numri i biçikletave në qarkullim është ulur.

Çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar?

Bike sharing, është shpikja më e re kineze që ka mbërritur edhe tek ne. Është pikërisht përhapja në shkallë globale që do të bënte rivalët “Mobike” dhe “Ofo” bashkëpunëtorë.
Sipas burimeve pranë investitorëve, një “martesë” e tillë që ka mbrapa Alibaba Group nuk është e para herë që ndodh.

Biçikletat e "Mobike"& "Ofo"

Në 2015-ën lufta bëhej me 4 rrotat, në lojë ishte tregu i sharing auto (automjeteve), dhe dy kolosët kinezë që ndanin rrugët e Dragone, Didi Dache dhe Kuaidi Dache, përfunduan duke krijuar një mega shoqëri prej 15 miliard dollarë: duke i dhënë jetë një super Didi-je që megjithë forcën e kombinimit u sulmua, e u mund duke bërë që Uber të fitonte në të gjithë planetin. Po, historia përsëritet: e përpos të gjithave dalin në skenë të njëjtët protagonistë. Sepse tani si atëherë pas antiUber kinezëve ishin milionat juan të Alibaba e Tencent, po ashtu dhe tani janë gjigandët e Jack Ma dhe ai i Pony Ma (por, në fakt, asnjë lidhje familjare), përkatësisht Ofo dhe Mobike me 1 miliard dhe 3 miliardë secila.

Tregu kinez është më shumë se i ngopur: "Ofo dhe Mobike vazhdojnë të ngasin" citon Forbes "por pa përfitim". Nga Pekini në Shanghai, megametropolet i kanë thënë stop shoqërive që vazhdojnë të hedhin biçikleta në treg. Ata që janë, janë tashmë,dhe në Pekin janë tepër tashmë: 2.35 mln biçikleta, 15 brande të ndryshëm, 4 mln e gjysmë rrota, një për çdo tre banorë. I njëjti themelues i “Ofo”, Dai Wei, ka pranuar që vetëm në 2018-ën start-upi, i lindur nga një projekt studentor i universitetit të Pekinit, do të arrijë fitimet e para pasi të arrijë pikën “break even” (një pikë në një sipërmarrje kur fitimet janë të barabarta me kostot). Kjo thuhej në 2017-ën.

Faqja tjetër e monedhës së suksesit. Si Ofo, ashtu edhe Mobike deklarojnë më shumë se 100 mln të regjistruar e 50 mln xhiro në ditë, por 20 mln biçikleta të tjera që në fund të çdo viti kanë pushtuar Kinën, kanë bllokuar tregun duke ulur nivelin e përfitimit.

Një xhiro prej 30 minutash kushton 15 qindarka, por për të luftuar konkurrencën, dy rivalët, i zbritën çmimet në mënyrë të pabesueshme në një juan, që është 7 cent në muaj: dhe me këtë hap ku është fitimi? Sigurisht që biznesi bëhet edhe dikund tjetër: të shumëfishuar qindra miliona abonentë për 199 juanë, rreth 25 euro, të cilat abonentët duhet ti lënë si depozitë nëpërmjet aplikacionit. Ky është një thesar i jashtëzakonshëm i parave ku aksionarët e gjejnë veten të sigurt.

Megjithë këtë panoramë ndjellëse përsa i përket fitimeve dhe kapitalit të kompanive në fjalë, Ofo ka shpallur falimentin.

Financial Times zbulon pak ditë më parë se filialet ndërkombëtare të Ofo janë "të përgatitur për falimentim ose blerje" pasi kompania mbylli departamentin e saj të shërbimeve jashtë.

Një person pranë kompanisë ka deklaruar se partneri ndërkombëtar i Ofo me seli në Pekin, i cili menaxhon filialet globale, ishte mbyllur javën e kaluar, por punonjësit jashtë vendit janë ende në punë. Mbyllja e divizionit u raportua për herë të parë nga media lokale kineze.

Burimi pranë kompanisë u shpreh se numri i biçikletave në dispozicion në Londër është ulur në mënyrë dramatike dhe stafi po i tërhiqte ato prej rrugëve duke i vendosur në magazinë “në mënyrë që të jenë në gjendje të mirë” në rast se biznesi falimenton.

Ofo është shprehur : “Departamenti me jashtë po përjeton ndryshime normale të biznesit.”
"Unë kam menduar në mënyrë të vazhdueshme. . . si për ta shkrirë kompaninë, ashtu edhe të aplikoj për falimentim, "shkroi ai në një letër për punonjësit. "Të gjithë këtë vit kemi përjetuar presion të madh në lidhje me të ardhurat. Kthimi i depozitave tek përdoruesit, duke paguar borxhe për furnizuesit, për të mbajtur kompaninë ka qenë e vështirë”.
"Miliona përdorues kinezë kanë aplikuar pranë Ofo për të marrë mbrapsht paratë e depozituara pranë kompanisë.

Ofo aplikoi modelin fillestar kinez të rritjes së shpejtë duke mbledhur para dhe duke shpenzuar. Vitin e kaluar, një person brenda industrisë vlerësoi se rivali Mobike shpenzonte 50 milion dollarë në muaj, ndërsa Ofo rreth 25 milion dollarë.
Muajin e kaluar, themeluesi i Ofo, Dai Wei, tha se biznesi kishte probleme të mëdha me paratë dhe po konsideronte shpalljen e falimentit.

Mobike u ble prillin e kaluar prej gjigantit të shpërndarjes së ushqimit Meituan me një vlerë prej 3.7 mld $, ndërsa bike-sharing rival, rishtari Bluegogo u nxorr nga falimentimi pasi ajo u ble nga kompania që ka koncept të njëjtë, por për automjetet, Didi Chuxing në janar për një shumë që nuk është zbuluar. Didi thuhet se ishte në bisedime për të blerë Ofo në gusht.

Biçikletat e verdha të Ofo dhe ato ngjyrë portokall të Mobike kanë pushtuar Amerikën, Australinë dhe Europën. Në kontinentin Europian kanë patur probleme të theksuara me vandalizmin dhe ankesa nga përdoruesit, kryesisht për çmimin e lartë.
Faqja globale e Mobike nuk është përditësuar që prej tetorit 2018, periudhë kur Ofo ndërkombëtare nisi të artikulonte problematikat me të ardhurat.

Nuk dihet nëse “martesa” e Ofo dhe Mobike ka shkuar për dreq jashtë Kinës dhe ata janë në prag divorci, meqënëse Ofo ka mbyllur divizionin për jashtë. Nuk dihet nëse financuesit e mëdhenj kanë përzgjedhur Mobike për ta lënë të funksionojë globalisht, apo edhe Mobike do të tërhiqet nga Europa e rrjedhimisht edhe prej Shqipërisë.

Me disa precedentë, Shqipëria duket joshëse për kompani fantazmë, me skema mashtrimi (Gulf, DH Albania) dhe kompani në falimentim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë