Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg për mjekun kardiolog Edvin Prifti, i cili ishte pezulluar nga detyra pas hetimeve të SPAK.
Mjekut i është shtuar edhe akuza e pastrimit të parave pas shumës së madhe të lekëve që iu gjet në shtëpinë e tij.
Ndërkohë kardiologu Edvin Prifti ka deklaruar para gjykatës se nuk ka fshehur asnjë gjë, pasi ka punuar në Itali dhe të ardhurat e tij kanë qenë shumë të mira. Ai thotë se 220 mijë eurot janë të fituara nga çmimet ndërkombëtare.
“Kam mbaruar me medalje ari, specializim në Siena dhe La Sapienza, diplomim si specialist në kardiokirurgji. Punova në San Camilo dhe doktoraturë La Sapienza. Kam pasur te ardhura shumë të mira në Itali. 220 mijë eurot janë të fituara nga çmimet ndërkombëtare”, mësohet të jetë shprehur Prifti.
Ai tha se kur është rikthyer në 2006 në Shqipëri ka rikthyer besimin te shëndetësisa, duke bërë që shqiptarët të operohen në kryeqytet. Mjeku thekson se është denoncuesi i parë i koronavirusit dhe shprehet se do të thotë gjithmonë të vërtetën.
“Jam kthyer në 2006, njerëzit operoheshin jashtë. Unë ngrita besimin, duke drejtuar kardiokirurgjinë dhe shqiptaret operohen në Tiranë. Jam denoncuesi i parë i Covidit. Gjithmonë do të them të vërtetën. S’kam fshehur asnjë gjë. Punoj privat dhe shtet. U befasova nga prokuroria që kërkoi burg. Kam operuar mijëra shqiptarë”, është shprehur ai.
Emri i mjekut kardiokirurg dhe infermieres së QSUT-së dolën pas hetimeve të SPAK për rastin e lirimit të një të dënuari me 25 vite burg në Fushë-Krujë, ngjarje për të cilën u arrestuan 10 persona mes të cilëve edhe gjyqtarja Enkeleida Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.