Politike

Mitsotakis humbi Athinën e Selanikun por vjen në Tiranë për bashkinë e Himarës

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis pritet të jetë sot i pranishëm në Samitin e Procesit të Berlinit, pas disfatës që pësoi në raundin e dytë në zgjedhjet lokale në vend, ku partia e tij humbi bashkitë më të mëdha.

Sipas mediave greke, Mitsotakis pritet të sjellë në samitin e Tiranës dhe çështjen e Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg, për blerje votash.

Mitsotakis do të kërkojë që Beleri të betohet si kryebashkiaku i Himarës, pasi ai ka përsëritur disa herë se vendet kandidate duhet të respektojnë parimet dhe vlerat europiane bazë.

“Kryeministri e ka bërë të qartë se rasti i Fredi Belerit do të ketë pasoja në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe do të ndikojë në vendimet e Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”, shkruan gazeta Protothema.

Partia e kryeministrit Kyriakos Mistotakis, “Demokracia e re”, pësoi disfatë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan ditën e diel.

Sipas të dhënave nga numërimi i 95% të kutive të votimit, partia e kreut të qeverisë ka humbur bashkitë e Athinës dhe Selanikut, dy më të mëdhatë e vendit.

Për bashkinë e Athinës, fitues është shpallur Haris Dukas i mbështetur nga PASOK. Ai ka marrë rreth 55.9% të votave kundrejt 44.01% të kryebashkiakut aktual, Kostas Bakojanis i “Demokracisë së re”. Në Selanik, fitues me 67% të votave u shpall Stelios Angeloudis, që kandidoi si i pavarur, por i mbështetur nga PASOK. Ai mundi Konstantinos Zervas, të mbështetur nga qeveria.

Pas publikimit të këtyre rezultateve, kryeministri Mitsotakis pranoi disfatën dhe u angazhua se do të bashkëpunojë dhe me krerët e bashkive që nuk u fituan prej tij.

“Nuk ishte një natë e mirë për “Demokracinë e re”, por konkluzionet do t’i nxjerrim më vonë. Dua të përgëzoj të gjithë drejtuesit dhe kryetarët e bashkive që u zgjodhën dhe t’i siguroj se është detyrë e qeverisë të bashkëpunojë me ta. Presim një bashkëpunim të frytshëm dhe produktiv”, tha mes të tjerash kryeministri grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë