Mendim

Mitsotakis dhe Butrinti / Pse konflikti Greqi-Britani për Statujat e Akropolit s’duhet të jetë si precedent

“Ne mendojmë se këto skulptura i përkasin Greqisë dhe se në thelb ato janë vjedhur”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë në një vizitë në Britani.
Foto e parkut

Nga Auron Tare- NPR, Radio Kombëtare Amerikane, i dedikoi një emision të gjatë konfliktit më të fundit kulturor midis Greqisë dhe Britanisë së Madhe për çështjen e Statujave të Akropolit, të  njohura si “Elgin Marbles”. Këto Statuja të marra nga Akropoli i Athinës 200 vite më parë gjatë periudhës Otomane nga Lordi Elgin dhe të ruajtura sot në Muzeumin Britanik kanë qenë prej kohësh një pikë e nxehtë debati midis dy vendeve.

Kryeministri Grek, i cili e ngriti çështjen e kthimit të  tyre në Greqi në një intervistë në BBC gjatë vizitës së tij në Londër, theksoi se “kjo kërkesë legjitime ishte kërkesa e 11 milion qytetarëve grekë”  duke krijuar kështu një furtunë diplomatike dhe duke bërë që vizita e tij zyrtare të ndërpritej. Ky konflikt diplomatik midis dy aleatëve tradicionalë mbi një çështje të trashëgimisë kulturore tregon qartësisht ndjeshmërinë e lartë të publikut grek si dhe rëndësinë për zgjidhjen e saj me rikthimin e këtyre statujave antike në Akropol.

Greqia, për dekada të tëra ka vazhduar përpjekjet e saja diplomatike për të korrigjuar një të drejtë historike, kulturore dhe sovrane, duke treguar ndjeshmërinë e lartë për Trashëgiminë e saj Kulturore.

Ndërkohë, fqinji i saj Shqipëria, një vend po aq i pasur me trashëgimi kulturore dhe po aq i njohur në historinë antike, ndërmerr një nga aktet më të pashembullta dhe pa asnjë precedent botëror në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Qeveria dhe Parlamenti Shqiptar vendos, me shumicë vote, dhënien e Qytetit Antik të Butrintit një fondi të huaj, për të administruar dhe trashëguar një prej pasurive tona kombëtare më të rëndësishme. 

Ky dhunim i të drejtës së kombit shqiptar për të administruar dhe trashëguar pasurinë e vet kulturore bie ndesh me të gjitha aktet juridike në fushën e Trashëgimisë Kulturore si dhe me Konventën e Parisit, për të cilën shteti ynë ka detyrimin për ta zbatuar. Por, mbi të gjitha, bie ndesh me moralin dhe ndjeshmërinë kombëtare duke i konsideruar shqiptarët si një popull barbar që nuk kanë lidhje me të kaluarën e tyre dhe pasuri me vlera universale si Butrinti iu takon te huajve ta gëzojnë.

Nesër, data 30 Nëntor, është dita kur Gjykata Kushtetuese do të japë vendimin për këtë çështje kaq unikale dhe me ndjeshmëri të lartë kulturore. Duke shpresuar se në Shqipëri kanë mbetur ende njerëz që e duan këtë vend dhe duke e konsideruar dhënien e Butrintit një entiteti të huaj si një rrezik për kulturën dhe identitetin kombëtar, shpresoj se Gjykata do të japë vendimin e duhur dhe duke mos krijuar precedentin e rrezikshëm që pasardhësit tanë do të kërkojnë rikthimin e Butrintit nëpër kancelaritë diplomatike të botës ashtu si Greqia kërkon sot Statujat e Akropolit.

*Shkrimi është marrë nga profili në Facebook i autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë