Futboll

Enigmat që lë pas një dorëheqje misterioze

“Vendosa të mos vazhdoj më në pankinën e Real Madrid. Është moment i vështirë, por i rëndësishëm. I dua të mirën kësaj skuadre dhe Presidentit e për këtë është e drejtë që ekipi të ndryshojë. Mund të jetë një mirupafshim, pasi do të vazhdoj të mbështes Realin”.

Para se në stolin e Realit të ulje Zinedine Zidane, që përvojën më të lartë si trajner në atë periudhë e kishte patur si asistent i Carlo Ancelottit, Florentino Perez kishte pushuar befasisht një mori teknikësh, që nga Mourinho e deri tek vetë ish-eprorin e Zizusë.

Por, Zidane nuk priti që të shkarkohej. Ai u largua vetë pasi e ngjiti skuadrën për herë të tretë radhazi në majën e qiellit të Europës dhe në tre vite siguroi tetë trofe në total.

I befasuar u duk edhe vetë Perez, të paktën publikisht.

“Është një vendim i papritur për mua. Një ditë e trishtë. E kam dashur si lojtar, e dua edhe si trajner. Me këtë vendim u njoha që dje, e më ka mbytur trishtimin. U mundova ta bind, por nuk ia dola”, u shpreh ai në konferencën për shtyp, ku shoqëronte Zidane në komunikimin që konfirmonte largimin.

Zidane njofton dorëheqjen në konferencën e përbashkët për shtyp me Florentino Perez

Arsyen e vërtetë se përse Zidane u largua e di vetëm ai, por ne mund të hamendësojmë. 

Njëra mund të jetë ndërhyrja e Perez në merkato. Në fund të sezonit të kaluar mes trajnerit dhe presidentit të klubit kishin nisur fërkimet e para, që lidheshin me merkaton. Florentino Perez kërkonte të afronte një sulmues me emër, por Zidane e theksonte vazhdimisht në konferencat e tij se nuk kishte nevojë për një të tillë.

E njëjta gjë u përsërit edhe në janar. Florentino Perez kërkoi që të blinte portierin e Atletikos së Bilbaos, por Zidane kundërshtoi sërish. Ai tha se skuadra nuk ka nevojë për portier të ri, pasi ka Keylor Navas.

Një tjetër arsye mund të jetë largimi i mundshëm i Ronaldos dhe dihet lidhja e veçantë mes francezit dhe asit portugez në këto vite.

“Ishte shumë bukur që luajta për Realin. Falenderoj tifozët që më kanë mbështetur përgjatë kësaj periudhe”, deklaronte Ronaldo në fund të finales së fituar ndaj Liverpulit.

Ajo që nxit më shumë zërat se portugezi do të luajë gjetkë sezonin e ardhshëm është edhe një detaj i vogël, por mjaft i rëndësishëm. Në prezantimin e fanelave të treta të skuadrës për sezonin e ri, ai mungonte. Të jetë rastësi që lojtari që shet më shumë fanela falë marketingut të lihet jashtë?

Vetë Zidane e mohoi kur u pyet në konferencën për shtyp nëse dorëheqja lidhej me largimin e Ronaldos.

Por, Zidane iku dhe nuk ka më kthim pas. Tashmë emergjente për Realin mbetet gjetja e pasuesit. Emri më i kuotuar është ai i Mauricio Pochettino-s, që aktualisht drejton Totenhemin. Ai firmosi vetëm pak ditë më parë kontratën e re në Londër, por sipas mediave në Angli, ka një klauzolë që e çliron nëse kërkohet nga Reali apo PSG-ja. Po nga Anglia thuhet se pikërisht për mundësinë që të kalonte tek Reali, Pochettino refuzoi ofertën e Chelseat disa javë më parë.

Pocchetino i mori 4 pikë Zidane (fitore 3-1 në Angli dhe barazim 1-1 në Spanjë) në ndeshjet e fazës në grupe të këtij edicioni të Champions

Pas Pochettino-s përflitet emri i Joachim Loew, trajneri i Gjermanisë. Në dukje do të jetë e vështirë që ai të largohet nga Kombëtarja, por gjithçka do të shihet pas Botërorit dhe fakti që është në krye të Gjermanisë prej vitesh tashmë, mund të ndikojë në një vendim për të ndërruar ambient, e sidomos për të provuar një aventurë më të ngjeshur me ndeshje dhe emocione sesa kalendaret e vakta të kombëtareve.

Në listë është edhe një tjetër gjerman. Jurgen Klopp është përfolur në vitin 2014, por në fund Perez përzgjodhi Rada Benitez. Më pak të ngjarë ka që në këtë stol të ulet i “papuni” Arsen Venger. Francezi ka refuzuar dy herë stolin e madrilenëve kur drejtonte Arsenalin e tij. A do t’i bëhet një ofertë e tretë dhe më e rëndësishmja, a do ta pranojë ai të tretën, të vërtetën?

Megjithatë, edhe me gjetjen e trajnerit, problemet për Perezin nuk mbyllen. Ai duhet të nisë fill më pas të kënaqë Cristiano Ronaldon dhe Gareth Bale. I pari i ka kryesisht ekonomike kërkesat e tij dhe ndjehet i bezdisur në Spanjë nga presioni i vazhdueshëm i organeve fiskale, ndërsa i dyti, që ishte protagonist në finalen e Kievit është lodhur nga stoli. Bale kërkon një vend titullar të sigurtë, ose largimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë