Politike

“Misioni i pamundur” i Patozit si pasues i lëvizjes “Olldashi”

Drejtimi i gazetës “Rilindja Demokratike” i shërbeu Astrit Patozit si trampolinë për të ngjitur shkallët në karrierën politikë. Në vitin 2001, Patozi do të ishte kandidati i PD-së, duke dalë fitues në zgjedhje. Ndërsa mbante një profil të ulët politik, Patozi me maturi dhe qetësinë që e karakterizonte do të priste deri në ditën kur Bamir Topi do të votohej si President, për t’u emëruar nënkryetari i PD-së dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike. Një post i rëndësishëm për partinë që ishte në pushtet që prej vitit 2005.

Tashmë ai ishte figura qendrore e partisë në pushtet, së bashku me Jozefina Topallin. Që të dy nuk kishin raporte të mira, por që ajo që i bashkonte ishte një emër Sokol Olldashi, si dhe rreziku që po u kanosej nga Lulzim Basha, i njohur si “delfini” i Berishës në PD.
Përgjatë gjithë kohës që pushtetit të PD-së, Patozit nuk iu dha asnjë post ministror, lideri i PD-së, Berisha preferoi ta linte vetëm në angazhimin në Parlament si kryetar i grupit të mazhorancës.
Miqësia e paçmuar me Olldashin, ish-rivalit të Bashës për kreun e PD-së, kishte krijuar kosto jo të vogël për Patozin, i cili më pas do të personifikohej si personi që do të çonte në fund misionin e lënë përgjysmë nga “shoku i armëve”.

Foto Sokol Olldashi dhe Astrit Patozi kur ishin gazetarë


Pas marrjes së drejtimit të PD-së, Basha do të niste procesin e largimit të kundërshtarëve të tij, të njohur si “mbështetësit e Kolit”. Listën e tij do ta kryesonin Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli, Mesila Doda, Majlinda Bregu apo Arben Imami.
Projekti i “eliminimit” do të kishte sukses për Bashën, fillimisht do të largonte Patozin nga posti i kryetarit të grupit të PD-së, duke e zëvendësuar me Edi Palokën, ndërsa Topallin do ta zëvendësonte me Edmond Spahon.
Hakmarrja politike e Bashës nuk do të kishte të ndaluar pasi grupin e mbështetësve të Olldashit do ta linte jashtë listave të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017. Patozi, Bregu, Topalli, Bode, si dhe Eduard Selami do të ishin jashtë listës për deputetë.

Patozi dhe Basha një shtrëngim duarsh në ceremoninë e pervjetorit të RD, që u cilësua si ballafaqim rivalësh, pas largimit të Patozit nga PD


“Në mëngjes mora vesh se kolegu demokrat Astrit Patozi nuk do jetë në Kuvendin e ardhshëm. Astrit Patozin e kam pasur kundërshtar, por megjithatë ishte nga njerëzit e rrallë që e dëgjoja kur fliste. Besoj se Parlamentit nuk do t’i mungojë një demokrat më shumë, por demokratëve të paktë në atë Kuvend do t’u mungojë një mik më shumë. Megjithatë beteja vazhdon Astrit. Nëse e pranon do të flas edhe për ty, megjithëse ti s’do jesh aty për të më thënë: Ben u mbyll ndërmarrja, punëtorët ikën në shtëpi”, do të ishte mesazhi i Ben Blushit, mikut të tij, që pati të njëjtin fat politik të përjashtimit nga PS.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, Basha do të hapte garën për kryetar në PD. Në këtë betejë fillimisht Patozi do të deklaronte se do të konkurronte, por duke vendosur disa kushte për realizimin e një konkurrimi të barabartë. Fillimisht ai kërkoi që Basha të jepte dorëheqjen nga posti për të pasur një start të barabartë mes rivalësh, si dhe kërkoi që zgjedhjet të mos mbaheshin më 22 korrik po në fillim të shtatorit të 2017-ës, kjo për të pasur mundësi për të paraqitur platforma. Këto nuk iu pranuan nga kryesia e PD-së, gjë që bëri që Patozi të mos futej në garë dhe kryesia të mos merrte një vendim për regjistrimin e tij. Beteja u zhvillua mes Bashës dhe Selamit për kryetarin e PD-së.
Për të parandaluar këtë çarje që rrezikohej, Berisha do të zhvillonte një takim në zyrën e tij me Patozin, e më pas do të bënte thirrje se është koha që të gjithë demokratët të ishin të bashkuar.
“Nuk dua të flas, nëse Lulzim Basha do të grabisë një mandat tjetër. Nëse ndodh, unë do të vijoj betejën derisa të çliroj PD-në, betejë me forma politike, do të vijoj që të merrem me politikë. Shumë shpejt do të avancoj në platformën si e mendoj unë të ardhmen e PD dhe të djathtës dhe këtu do të jemi…”, u shpreh Astrit Patozit më 10 korrik 2017 në një media televizive.
Kjo deklaratë duket se mbetet ende aktuale për vetë Patozin, pasi tashmë ai po ndërmerr një betejë jo për reformimin e PD-së tashmë, por për të krijuar mbase një pol të ri të politik të së djathtë, si një betejë për çuarjen përpara të projektit politik të ndërmarrë dikur nga Sokol Olldashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë