Futboll

“Misioni i Pamundur 2” i Ranierit: Jam i çmendur, por jo budalla!

Trajneri i njohur italian, Klaudio Ranieri, ka dhënë konferencën e parë për shtyp si trajner i Fulhamit. Ai ka marrë drejtimin e këtij ekipi për ta shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë, cka duket deri diku nje mision i pamundur. E njeh mirë futbollin anglez, ku bëri mrekullinë me Leiçesterin, duke fituar titullin kampion. Trajneri veteran është besimplotë për misionin që ka marrë përsipër dhe në konferencë ka bërë edhe pak humor: "Çfarë do t’u ofroj lojtarëve, nëse nuk pësojmë gol? Pica nuk mjafton. Ndoshta është më mirë të shkojmë te McDonald's..."

Fulhami aktualisht qëndron në fundin e renditjes në Premier League, me vetëm 5 pikë në 12 ndeshje. Ranieri ka marrë vendin e serbit Slavisha Jokanoviç dhe shpreson ta shpëtojë këtë ekip. “Tani nuk është e rëndësishme të mendojmë për mrekullitë, ajo me Leiçesterin ishte një përrallë, por ta harrojmë. Do të ketë shumë beteja përpara dhe të gjithë bashkë duhet të jemi gati: klubi, lojtarët dhe tifozët. Na duhet mbështetje në momente të vështira si ky. Do të zgjedh lojtarët që kanë shpirt luftëtari”, - ka shtuar Ranieri.

Klaudio Ranieri, trajneri i ri i Fulhemit

Italiani e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë fillimisht: “Ekipi pëson shumë gola. Unë jam një trajner italian dhe për ne është e rëndësishme ta mbajmë portën të pastër. Të shohim përpara, të fitojmë dhe të ngjitemi në tabelë. Te Parma ishte një situatë e tillë, por ia dolëm në fund. Nëse luajmë mirë dhe humbim, është një problem. Ka ndodhur kështu me Mançester Sitin dhe Liverpulin. Skuadra i ka mundësitë të shpëtojë. Pse pranova në këto kushte? Jam i çmendur, por jo budalla", - përfundoi Ranieri. Ai do të debutojë në stolin e Fulhamit në ndeshjen me Southamptonin, një duel direkt mbijetese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë