Futboll

Miqësorja e luksit në Arabi, Brazili mposht Argjentinën në shtesë

Pak emocione në Jedah të Arabisë Saudite, ku është zhvilluar derbi i Amerikës së Jugut, Brazil-Argjentinë, i vendosur nga një gol me kokë i Mirandës në kohën shtesë. Si gjithmonë, nuk ka munguar lufta e fortë dhe rivaliteti në fushë, pavarësisht se ishte një miqësore për trofeun simbolik “Superclasic Championship”. Brazili dhe Argjentina kishin eliminuar më parë Arabinë dhe Irakun. Gjyqtari Feliks Bryzh ka nxjerrë 7 kartonë të verdhë dhe ka akorduar më shumë se 30 goditje dënimi në total. U duk se gjithçka do të mbyllej në barazim, por goditja e saktë me kokë e mbrojtësit të Interit, pas harkimit nga këndi të Nejmarit, i ka dhënë fitoren 1-0 Brazilit.

Argjentina ka vuajtur në këtë ndeshje dhe sulmi i saj sërish ka qenë apatik. Ikardi dhe Dibala, që e nisën ndeshjen si titullarë, janë shërbyer pak dhe keq nga pjesa tjetër e skuadrës. Lojtari i Juventusit ka pësuar një dëmtim në gju dhe ka dalë nga fusha. Argjentina nuk kishte në këtë ndeshje Lionel Mesin, i cili nuk është grumbulluar që pas Botërorit të Rusisë. Ka qenë zgjedhja e tij, por ende nuk është shumë e qartë, nëse është një lamtumirë përfundimtare nga Argjentina, apo ylli i Barcelonës do të luajë sërish me fanellën e kombëtares. Në radhët e Argjentinës janë aktivizuar disa lojtarë të rinj në këtë ndeshje.

Brazili feston golin e Mirandës në fundin e ndeshjes

Trajneri i Brazilit, Tite, e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alison, Filipe Luis, Markinjos, Miranda, Danilo, Kasemiro, Artur, Koutinjo, Nejmar, Firmino dhe Gagriel Jesus. Kurse trajneri i përkohshëm I Argjentinës, Lionel Skaloni, aktivizoi nga minuta e parë këta lojtarë: Romero, Otamendi, Saravia, Pexela, Taljafiko, Paredes, Lo Selso, Batalja, Ikardi, Korrea, Dibala. Brazilianët bënë vetëm dy ndërrime, duke hedhur në fushë edhe Riçarlison dhe Fabinjo, kurse tek Argjentina u bënë pesë ndërrime.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë