Ne rrjet

Ministri serb i Mbrojtjes kërcënon Shqipërinë: Mos luani me zjarrin!

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin ka paralajmëruar qeverinë shqiptare në një intervistë me TASS të hënën, të “mos luajë me zjarrin”. Sipas tij, strategjia për lehtësimin e kufijve me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut është provë e ambicieve ekspansioniste të Shqipërisë që rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Një kërcënim i madh për Ballkanin tani është krijimi i një Shqipërie të Madhe dhe përpjekja e saj për të fituar një terren në shtetet e tjera, duke filluar me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe territorin e Kosovës”, tha Vulin. “I vetmi vend që e kundërshton këtë plan është Serbia”.

Sipas Vulin, pas pranimit të Maqedonisë Veriore në NATO, të gjithë shqiptarët do të jetojnë nën një zonë të vetme sigurie politike. Sipas tij dëshira e kryeministri Edi Rama për të lehtësuar kufijtë me shtetet ku jetojnë shqiptarët paraqet një rrezik të madh për Beogradin zyrtar.

“Shqiptarët jetojnë në katër vende, dhe kjo është alarmante,” tha ai. “Për më tepër, Bashkimi Europian dhe NATO janë duke mbështetur formimin e një Shqipërie të Madhe”.

Sipas tij, këto plane do të çonin edhe në formimin e “Serbisë së Madhe”.

“Ata nuk mund t’u japin shqiptarëve diçka pa u dhënë të njëjtën gjë serbëve. Për këtë arsye, shfrytëzoj rastin për të paralajmëruar gjithë botën: Mos luani me zjarr! Mos krijoni Shqipërinë e Madhe”, u shpreh Vulin.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha po ashtu se Moska ishte e shqetësuar, pasi sipas saj, BE ishte treguar pasive në lidhje Platformën e Tiranës, një nismë e kryeministrit Edi Rama për të fuqizuar lidhjet mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas Lavrov, kjo platformë është një thirrje e qartë për krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Deklarata e tij vjen disa javë pasi Kremlini ka paralajmëruar hapur qeverinë shqiptare nëpërmjet një deklarate diplomatike, të distancohet nga deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas Rusisë, liderët shqiptarë po përgatiten për “plane të rrezikshme gjeopolitike”.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme Ruse bëri të ditur se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama në mars se Kosova është “pjesë e Shqipërisë”.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Rusia nuk mund të qëndronte e heshtur ndaj kësaj deklarate. “Fillimisht menduam nuk e kishim përkthyer mirë këtë deklaratë, prandaj kemi kontrolluar disa herë”, tha Zakharova. “Kryeministri shqiptar e lidhi zbatimin e këtij plani me korrigjimin e kufijve që diskutohen në mënyrë aktive për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës” tha ajo.

Reagimi i ashpër i Moskës vjen pas një sëri raportesh në mediat ruse, por edhe serbe, sipas të cilave liderët shqiptarë po përgatiten për krijim e Shqipërisë së Madhe. 

Paralajmërimi i Kremlinit erdhi ndërkohë që Beogradi “vlon” prej kohësh me deklarata të paprecedenta për shkak të “heqjes së kufirit” mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo lëvizje është pritur me nota alarmante nga Serbia, që ka akuzuar politikanët shqiptarë se po përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e Madhe” .

Thellimi i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës si dhe heqja e barrierave kufitare, është parë nga Beogradi zyrtar jo vetëm si një ide e “mbjellë” nga Amerika, por edhe një paralajmërim për aneksimin e Republikës Srbska. Zzyrtarës në Beograd kanë paralajmëruar se nëse krijohet Shqipëria e Madhe, atëherë do të krijohet edhe Serbia e Madhe.

 

Më Shumë