Në fillim ishte Xhenoa dhe më pas Udineze, por historia e njëjtë. Milan është ringritur në të njëjtën mënyrë siç ra në derbin me Interin, duke fituar në minutat e fundit. Por jo vetëm fitore dhe 6 pikë më shumë në renditje, por mbi të gjitha “djalli” ka gjetur kapitenin. Quhet Alesio Romanjoli përveçse është një garanci në repartin e mbrojtjes në këto dy ndeshje ka tërhequr skuadrën drejt suksesit. Që pas largimit të Tiago Silvës, Milan kishte vuajtur për një lider të qëndrueshëm, mbase ka ardhur koha që gjërat të shkojnë në normalitet dhe duket se Romanjoli është gati.
Fitoret in extremis
Me Xhenovën, ndeshje e prapambetur për shkak të tragjedisë në Urën Morandi në muajin shtator, Milan vinte nga një fitore me shumë sforco kundër Sampdoria. Sfida e 31 tetorit ishte pazakontë. Në fillim goli i Suso në minutën e katërt krijoi idenë se përballja do të ishte shumë e lehtë, por autogoli dhe goli i Romanjolit në minutën e fundit shkaktuan një tronditje të vërtetë te publiku milanist. Por kjo ndeshje ishte vetëm fillimi i “Romagnoli show”. 23-vjeçari përsëriti veten katër ditë më vonë. Këtë herë nuk ishte në San Siro, por në Udine, por është e sigurt që zemrat e milanistëve në të gjithë botën në minutën e 96’ kanë rrahur fort, sikur të kishin fituar ndonjë trofe.
Tre fitoret që konfirmuan Gatuzon
Ishin të shumtë analistët, tifozët dhe gazetarët italianë, që pas humbjes me Inter dhe asaj me Real Betis në Europa League kërkonin që Gatuzo të largohej nga Milan. Tekniku 40-vjeçar dukej sikur e kishte humbur kontrollin mbi ekipin e tij, që këtë sezon nuk i bindej me të njëjtën devotshmëri si vitin e shkuar. Por në harkun e 10 ditëve gjithë situata është përmbysur. Milan ka arritur tre fitore radhazi dhe tashmë janë në vendin e katërt në renditje vetëm 4 pikë më pak se rivalët e përjetshëm të Inter.
Pas këtyre tre fitoreve që kanë ngritur moralin e ekipit, 7 ditët e ardhshme do të jenë shumë vendimtare për Milan. Ndeshja e kthimit me Real Betis në Europa League, që duhet fituar me çdo kusht dhe më pas e diela e madhe. Milan do të rikthehet në San Siro, por për të sfiduar kryesuesit e Juventus. Nëse me Inter ndeshja e parë e prestigjit u humb, kjo me torninezët nuk duhet humbur, qoftë edhe për t’i bërë një nder kampionatit dhe për t’i penguar kampionët në fuqi që të vijojnë me shkëputjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.