Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh prekës teksa ka marrë pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Kreu i Shtetit, ndërsa shprehu mirënjohje për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, theksoi se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
“Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta”, u shpreh ndër të tjera presidenti Meta.
Gjithashtu, Meta falënderoi Kosovën edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se “Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











