Lajme

Nuk ndalet Meta, i kthen qeverisë një tjetër ligj

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e miratuara nga mazhoranca në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. Në njoftimin e publikuar nga Presidenca thuhet se dy nene të ligjit krijojnë “hapësira të nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”.

Presidenti kundërshton nene 17 dhe 18 të ligjit. Fillimisht këto nene përcaktonin ndalimin e ofertës së pakërkuar duke filluar që nga data 1 korrik, por me propozimin e Arben Ahmetajt, ato u ndryshuan, duke e shtyrë edhe me tre muaj dhënien pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë.

“I vetmi dokument që evidentohet se është krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe që ka lidhje me këtë ligj përgjatë gjithë kësaj periudhe boshe 26 shkurt 2019 - 18 korrik 2019, është kërkesa e deputetit Arben Ahmetaj e datës 17 korrik 2019, i cili kërkonte seancës plenare ndryshimin pa argumenta të neneve 17 dhe 18 të projektligjit, për të shtyrë afatin e dhënies pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë së vendit, edhe për një afat 3-mujor shtesë deri në 1 tetor 2019”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nisma për ndryshimin e ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik-privat u ndërmor që në fillim të këtij viti, pas kritikave dhe paralajmërimeve edhe të organizmave ndërkombëtarë për të ndërhyrë në këtë pjesë. Presidenti thotë se pavarësisht kësaj, ndryshimet u zvarritën pa arsye.

“Projektligji në fjalë pasi u shqyrtua në datat 11, 18, 25 dhe 26 shkurt 2019 në Komisionet respektive Parlamentare, u shqyrtua në seancën plenare të datës 18.07.2019, duke u mbajtur pezull në mënyrë të paarsyetuar për një periudhë 4-mujore”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, Presidenti riktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë