Politike

Koncesionet, fushëbeteja Rama-Meta dhe kleçka nëpër këmbë

Përplasja mes Presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama është e gjithanshme. Brenda tre ditëve, pra më 7,8 dhe 9 gusht, kreu i shtetit “goditi” shumicën në pikën e saj më të sulmuar: koncesionet sipas formulës PPP.

Goditja nisi me kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ndryshimeve në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. Në arsyetimin e Metës thuhet se dy nene të ligjit krijojnë “hapësira të nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”.

Presidenti kundërshtoi nenet 17 dhe 18 të ligjit. Fillimisht këto nene përcaktonin ndalimin e ofertës së pakërkuar duke filluar që nga data 1 korrik, por me propozimin e Arben Ahmetajt, ato u ndryshuan, duke e shtyrë edhe me tre muaj dhënien pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë.

Një ditë më vonë mbërriti goditja e dytë. Këtë herë i bëhej bllokadë një projekti sa të mburrur nga Kryeministri Edi Rama, po aq të kritikuar nga opozita dhe një pjesë e ekspertëve ekonomikë. Presidenti ktheu për rishqyrtim ligjin që i hapte rrugë kontratës me privatin për rrugën Milot-Balldre.

Meta thotë se ligji në fjalë rrezikon seriozisht financat e vendit, ndërsa e vlerëson atë si “mashë” për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore nga kjo aferë korruptive.

Thuajse e njëjta logjikë dhe i njëjti arsyetim përsëritet edhe tek rikthimi për rishqyrtim i ligjit për kontratën e rrugës Orikum-Dukat.

Në vetvete duken vendime që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por nëse bëhen bashkë ato mund të interpretohen si pjesë e një panorame e strategjie të Presidentit Ilir Meta për t’i shkaktuar sa më shumë telashe kësaj mazhorance.

Ligjet janë kthyer në limitet e afateve kohore kur Presidenti duhej të shprehej përmes dekretimit, ose rikthimit në Kuvend. Heshtja e tij do t’i kalonte automatikisht në fuqi që të trija ligjet.

Dy ligjet për kontratat koncesionare për rrugën Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat varen thelbësisht nga afatet e ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Ndryshimet e fundit të këtij ligji parashikojnë që më 1 tetor ofertat e pakërkuara bllokohen.

Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit e detyrojnë këtë të fundit që të rishqyrtojë ligjet, pavarësisht nëse është apo jo dakort me to. Kjo do të thotë se mazhoranca mund të shqyrtojë me shpejtësi në Kuvend këto dekrete presidenciale në muajin shtator, me nisjen e sesionit të ri Parlamentar, që pritet të fillojë më 2 shtator.

Megjithatë, përveç zgjatjes së kohës dhe shtimit të akuzave dhe kundërakuzave në aksin Presidencë-Kryeministri në Bulevard, këto vendime të Metës nuk janë në gjendje që të bllokojnë asnjërin prej këtyre ligjeve.

Mosmiratimi i ndryshimeve në ligjin për koncesionet dhe PPP-të do të thotë se në fuqi mbetet ligji aktual, pra i njëjti ligj që aktualisht në nenet e tij ka të parashikuar edhe projektet sipas skemës PPP.

Pra, rrjedhimisht e vetmja dhimbje koke për Qeverinë në nënshkrimin e dy kontratave të rrugëve të mësipërme është shtyrja e datës me disa javë, por jo bllokimi i tyre.

Përvoja e së shkuarës na e provon këtë. Shembulli vjen nga ligji për Teatrin Kombëtar. Mazhoranca u tërhoq nga projekti fillestar për këtë ligj pas vërejtjeve të Bashkimit Europian, që qortoi mungesën e garës. Ligji i ndryshuar parashikon garën, por kriteret e përcaktuara të çojnë sërish tek kompania “Fusha”.

Për këtë arsye, Presidenti Ilir Meta e ktheu për rishqyrtim, por me forcën e kartonëve mazhoranca ja rrëzoi dekretin. Presidenti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke e akimuar këtë ligj.

Mbetet për t’u parë nëse edhe me Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat, pasi mazhoranca t’i rrëzojë dekretet, Ilir Meta do t’i drejtohet apo jo Gjykatës Kushtetuese.

Se kush ka të drejtë në këtë mes pak rëndësi merr në këtë përplasje totale institucionale. Ajo që merr rëndësi është niveli se ku ka mbërritur përshkallëzimi i konfliktit Presidencë-Kryeministri, që nuk ka pushuar as në këtë muaj pushimesh. Aktet e provojnë këtë; Presidenti Meta i ka kthyer brenda katër ditëve, katër akte mazhorancës.

Vetë mazhoranca është përgjigjur duke vijuar punën me mbledhjen e dëshmive në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për shkarkimin e Presidentit, ku mes akuzave pritet që të ngrihet edhe ajo e nxitjes së dhunës dhe prishjes së zgjedhjeve të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë