Me një status të gjatë në rrjetet sociale dhe të shoqëruar dhe me video, presidenti Ilir Meta ka nisur sulmet ndaj mazhorancës, duke e akuzuar për bllokim të reformës në drejtësi, duke e lënë sipas tij vendin pa një Gjykatë Kushtetuese.
Përmës këtij statusi, Meta fajëson kryeministrin Edi Rama dhe kryekomisionerin e Ligjeve, Ulsi Manja se kanë kërkcënuar anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organizëm që bën vlerësimin e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, Kuvendi ka zgjedhur me short vit pas viti 3 (tre) Këshilla të Emërimeve në Drejtësi, për të funksionuar përgjatë viteve 2017, 2018, 2019. Fakt sipas presidentit, është që dy Këshillat e zgjedhur për të punuar përgjatë viteve 2017 dhe 2018, nuk kanë funksionuar, pasi janë bllokuar qëllimisht. Sipas tij Këshilli fillimisht u zgjodh kur Meta ishte kryetar i Parlamentit dhe se fakt është se ky Këshill, nuk u mblodh asnjëherë dhe mandati i tij përfundoi më datë 31.12.2017, pa kryer asnjë mbledhje të vetme. “Nëse dikush nuk e di pse-në e kësaj gjendje, po e sqarojmë. Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së. Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, shprehet Meta, i cili jep edhe një kronikë televizive me deklaratat e Ramës.
Sipas tij, për herë të parë Kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilët u zgjodhën vetëm pak ditë më parë përmes një shorti të hedhur në Kryesinë e Kuvendit “Kjo drejtësi e korruptuar që të kujton atë shprehjen e vjetër që jep shpirt por nuk heq dorë, siç u pa edhe nga ai shorti që u hodh aty, ku gjysma e atyre janë për të shkuar në shtëpi sapo të fillojë ligji i vettingut , nuk i jep mundësi ekonomisë të marri frymë lirisht”, ishte deklarata e Ramës.
Më tej presidenti shprehet se kryeministri ishte kundër anëtarëve të rinj të zgjedhur dhe i shantazhoi ato. “Kryeministri e bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 1 vit rresht përgjatë gjithë vitit 2017. Ai me presionin e ushtruar i detyroi të jepnin dorëheqjen, apo shkarkoi shumicën e anëtarëve të KED, siç e kishte premtuar dhe kërcënuar publikisht. Ndërkohë zbrazja e Gjykatës Kushtetuese ishte projektuar dhe kishte filluar të zbatohej” shkruan Meta.
Më tej ai shton se në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë. “Por qëndrimi i ambasadorit ishte tërësisht gabim, pasi siç e pranoi ai vetë më vonë, ishte keqinformuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Të gjitha pretendimet e ambasadorit u verifikuan një për një dhe rezultoi se Prokuroria e Përgjithshme në rastin konkret kishte zbatuar në mënyrën më korrekte kërkesat e Kushtetutës dhe të nenit 221 të ligjit nr.115/2016. Pasi u njoh me rezultatin e verifikimit, ambasadori i kërkoi ndjesë Kryetarit të Kuvendit duke u justifikuar se e kishin keqinformuar përfaqësuesit e Partisë Socialiste”, thekson Meta. Pavarësisht kësaj, Presidenit rrëfen edhe dështimin për përpjekjen e tij për të realizuar një tryezë për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, pasi ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit. Shefja e Misionit bëri një njoftim të papritur dhe kjo detyroi Metën që t’i drejtohet Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së.
“Presidenti i Republikës, në shkurt 2018 i kërkoi përsëri zyrtarisht KED-së që të mblidhej dhe të shqyrtonte me precedencë të gjitha kandidaturat e paraqitura për plotësimin e të gjitha vakancave të shfaqura në Gjykatën Kushtetuese. A u mblodh Këshilli, do të pyesni ju? Këshilli u mblodh vetëm një herë në 19 mars 2018, ku zhvilloi mbledhjen e tij të parë dhe të vetme, pasi KED nuk është mbledhur më asnjëherë. A e dini pse? Ndërkohë që, Presidenti i Republikës në shkurt 2018 i kërkonte KED-së që të mblidhej dhe të funksiononte për të ushtruar funksionet kushtetuese, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë Ulsi Manja në datë 5 Mars 2018 doli në media dhe i bënte thirrje publike anëtarëve të KED-së se duhet të kalojnë vetting-un, përpara se të fillojnë nga puna për të bërë filtrin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese”, thekson Meta.
Presidenti thekson se ishte pikërisht Manja që do të lejonte zgjedhjen e kryeprokurores së re Arta Marku pa iu nënshtrua vettingu, ndërsa kërkonte që anëtarët e KED-së ta kalonin një proces të tillë.
“Përse Kreu i Komisionit të Ligjeve lejoi këto shkelje të Kushtetutës, që PPP-ja e zgjedhur prej tij me 69-vota, të funksiononte për 8 muaj pa kryer vettingun, ndërkohë që ai me deklarimet e tij po pengonte funksionimin e KED-së, po me të njëjtin shkak vetting-u?! Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku. Ai (Ulsiu) debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ulsiu e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe politike me djallëzi, Ulsiu po i kërcënonte anëtarët e KED me një dispozitë tranzitore të Kushtetutës (neni 179, pika 11), që duhej të ishte zbatuar 2-vjet më parë dhe jo në kohën kur Ulsiu po e kërkonte. Ulsiu e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë”, shkruan Meta.
Sipas kreut të shtetit bënë që KED të mos ushtronte funksionin e tij për dy viteve me radhë duke bllokuar emërimin e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
“Ndërkohë që, vettingu zbraste totalisht Gjykatën Kushtetuese, Ramaforma bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për të mos lejuar plotësimin e vendeve vakante. Nëse KED do të kishte funksionuar normalisht për këto dy vjet, 2017 dhe 2018, sot gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale dhe vakancat do të ishin plotësuar një e nga një, sipas momentit kur këto vakanca u shfaqën. Po kujt i interesonte mosfunksionimi i Gjykatës Kushteteuese? Opozitës? Presidentit? Qytetarëve dhe grupeve të interesit që mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese nga një vendim i padrejtë i qeverisë dhe Kuvendit?”, shkruan Meta, i cili shton se këto bllokime i shërbenin vetëm kryeministrit, pasi vetëm kështu mund të miratonte ligjet antikushtetuese.
Sipas tij, ligjet antikushtetuese janë “Shembjen e Teatrit Kombëtar”; “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” (me të cilin iu falën tatimet mbi fitimet me efekt prapaveprues shoqërive të lidhura me qeverinë në kundërshtim të hapur me nenin 155 të Kushtetutës); “Për Kadastrën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.