Politike

Meta: Kriza politike duhej shmangur, palët të dialogojnë

Kriza politike aktuale mund të ishte shmangur. Kështu ka deklaruar Presidenti Ilir Meta në konferencën me homologun slloven, Pahor.

I pyetur nëse kreu i shtetit ka në plan për të ulur palët në dialog, Meta rezervoi një përgjigje diplomatike duke thënë se për këtë çështje është shprehur kohë më parë.

“Nuk do doja të përqendroheshim në çështje të brendshme, por s’mund të ndaloj pyetjet tuaja. Dua të sqaroj se jemi në kushtet e një krize politike kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur”, tha Meta.

Kreu i Shtetit bëri thirrje që në emër të interesit kombëtar, opozita dhe mazhoranca të nisin dialogun pasi Shqipëria mund të humbasë një tjetër përgjigje pozitive nga BE-ja në qershor për negociatat e anëtarësimit.

“Në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kam apeluar për dialog mes palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por për t’i paraprirë atij vendimi të rëndësishëm për mundësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim në qershor. Kam thënë se duhet të fillojë puna menjëherë për dialog qeveri-opozitë pasi siç iku një vit mund të iki sërish edhe ky vit, dhe do mbetemi në vend”, u shpreh ai.

Sipas Metës, “palët duhet të bëjnë një hap pas dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për të rivendosur normalitetin në politikë, demokraci dhe rendin kushtetues”.

Kreu i shtetit bëri thirrje për maturi në këtë situatë të vështirë politike, siç e vlerësoi ai: “Kur vendosen në plan të parë interesat kombëtare, që duhet të na motivojë shumë fort se koha po pakësohet, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura dhe zgjidhjeve politike të kësaj situate”, theksoi Presidenti.

Para pak ditësh, gjatë Samitit të Diasporës, kryeministri Rama i kërkoi krydemokratit Lulzim Basha  dialog, duke iu drejtuar me pyetjen: “Kur do flasim?”. Por kreu i PD-së e refuzoi një ftesë të tillë dhe këmbënguli në kërkesat e opozitës për krijimin e një qeverie tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë