Politike

Meta kritikon Bosnjën: Të njohë Kosovën. Brnabiç: Provokim!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është përplasur ashpër me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç gjatë samitit të bashkëpunimit të Europës Juglindore në Sarajevë, pasi i ka kërkuar Bosnjës dhe Hercegovinës që të njohë Kosovën si shtet i pavarur.

“Tani është koha e duhur, që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”, tha Meta ndër të tjera.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila ka thënë se shteti ku është duke u mbajtur ky samit nuk e njeh shtetin e Kosovës, duke i thënë Metës “përmbahu nga provokimi”.

“Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinë nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, ka thënë Brnabiç.

Brnabic ka kërkuar që Meta të përmbahet dhe të mos provokojë. “Nuk besoj se takimet rajonale janë për të shpalosur deklarata politike. Ai e di formatin e takimit”, citohet të ketë thënë Brnabic për mediat serbe. Vetë samiti nuk e njeh Republikën e Kosovës, por as Bosnje-Hercegovina si shtet. Kemi ardhur këtu për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe jo të bëjmë provokime personale”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Meta ka kritikuar Bosnje-Hercegovinën si vend pritës i samitit, ku mungon Kosova pasi Presidenti Hashim Thaçi refuzoi ftesën e bërë nga homologu boshnjak Milorad Dodik.

Meta vuri në dukje se pikërisht mungesa e Kosovës në këtë samit është tregues i sfidave që ka rajoni, që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian.

“Një seri sfidash bilaterale dhe rajonale pengojnë ecurinë e rajonit në Bashkimin Europian. Në këtë pikëpamje dua të shpreh të gjithë keqardhjen time që Republika e Kosovës, kryesuesja e radhës, është detyruar që të mos marrë pjesë në këtë samit”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë