Politike

Meta dhe opozita: Dakord për zgjedhje dhe shpërndarje të Parlamentit

Partitë e opozitës në tryezën i kanë kërkuar Presidentit Ilir Meta mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, duke u zotuar për realizimin e reformës zgjedhore në vend. Në takimin prej 90 minutash është diskutuar edhe për çështjen e plotësimit të vakancave të Gjykatës Kushtetuese, ku së fundmi ka pasur edhe një konflikt mes Presidencës dhe mazhorancës, por burimet e Gazeta Si thonë se u fol edhe për mundësinë e shpërndarjes së parlamentit nga ana e kreut të shtetit.

Opozita pritet të hartojë brenda javës një platformë për reformën zgjedhore dhe për ta paraqitur te ekspertët ndërkombëtarë.

Presidenca me anë një të njoftimi për median e ka pranuar se është diskutuar në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në takimin me përfaqësuesit e opozitës. “Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione”, thuhet në njoftimin e Presidentit.

Në këtë takim, Meta i ka njohur drejtuesit e partive parlamentare të opozitës për atë që e cilëson si situatë dramatike me mënyrën e zbatimit të reformës në drejtësi, duke e lidhur me atë të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

“Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti Meta theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Ndërsa në tryezën e bisedimeve është diskutuar edhe në lidhje me plotësimin e nëntë kushteve të vendosura nga ana e Bundestagut, si e vetmja rrugë e sigurt për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.

Basha: Rama refuzoi katër herë ndërkombëtarët

Menjëherë pas Presidenca publikoi qëndrimin mbi takimin me Bashën dhe drejtuesit e tjerë të partive aleate, kryedemokrati dha një deklaratë për mediat ku bëri të ditur se me presidentin është folur për zgjidhjen sa më parë të krizës politike. E sipas tij ajo realizohet vetëm nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato vendore. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar duan reformë në drejtësi sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve anktheve, problemeve korruptive dhe qeverisjes aktuale. Pika e dytë domosdoshmëria për zgjidhjen e krizën politike. Prej më shumë se 4 muajsh Rama ka refuzuar dialogun në tentativë për mbuluar krizën ku ndodhet vendi. Zgjedhjet e parakohshme dhe zgjedhjet vendore në të njëjtën ditë është e vetmja rrugë”, deklaroi Basha. Sipas tij,  opozita nuk ka asnjë alibi për të vonuar reformën zgjedhore dhe se shtoi se “do konkretizojë produktin e saj për reformën zgjedhore, propozimin e plotë për reformën zgjedhore”. Kryedemokrati akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama që ka refuzuar dialogun me opozitën me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, jo vetëm një herë, por në katër raste.

“Prej më se 4 muajsh opozita ka shprehur gatishmëri për dialog transparent, Rama ka refuzuar dialogun nga institucionet ndërkombëtare, jo një herë, por të paktën katër herë. Shtyrja e afatit të komisionit është tjetër përpjekje për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. PD nuk kërkon shtyrjen për kalendat greke të reformës zgjedhore. Javën e ardhshme do të bëjmë publik propozimin e plotë për reformën, ndërkohë që kemi pasur vetëm refuzim dialogu e sabotim. Është një film i parë e stërparë qeveria punon në kundërshtim me interesin e shqiptarëve dhe përpiqet t’i hedhë fajin opozitës, ne nuk mund ta pranojmë këtë. Nuk ka asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme dhe ato vendore si rrugëdalja e vetme nga kriza”, theksoi Basha. Lideri i opozitës së bashkuar i qëndron opsionit për një qeveri teknike sipas modeli maqedonas, si dhe la të nënkuptonte se mund të niste sërish protestat.

“Ndaj edhe ne do të vazhdojmë të insistojmë ndaj kësaj kërkese të pandryshueshme të opozitës dhe do të marrim hapat e nevojshëm si opozitë duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve që janë në shumicë për zgjedhje të parakohshme, për zgjidhjen e kësaj krize, për të marr të gjithë hapat e nevojshëm për t’u përballur me një qeveri autokrate të paligjshme që pengon shprehjen e vullnetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. -” theksoi Basha. Ai u ndal edhe te reforma në drejtësi duke theksuar se mazhoranca po bën të pamundurën për ta kapur atë. “Prej fillimit e kemi konsideruar një grusht kushtetues dhe një provë më shumë se me këtë qeverisë reforma në drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur mbetet një iluzion. E kemi parë në rastin e Saimir Tahirit, e kemi parë me dosjet 339 dhe aferat e tmerrshme të kësaj qeverie. Ne kërkojmë vënien në funksionim sa më shpejt të SPAK e BKH sipas kushtetutës e jo akteve korruptive të qeverisë”, theksoi Basha, i cili foli për mediat pas takimit me Ministren e Jashtme suedeze.

Presidenti Ilir Meta kërkoi në fundjavë një takim urgjent me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës së bashkuar.

Pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ky është takimi i parë i presidentit Meta me partitë politike të opozitës jashtë parlamentare. Në këtë takim ka munguar Fatmir Mediu i PR-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIU, por që janë përfaqësuar nga Arjan Madhi dhe Mesila Doda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë