Politike

Meta kërkon referendum: Parlamenti duhet shpërndarë

Presidenti Ilir Meta nënkuptoi se mënyra aktuale me të cilat po funksionon Parlamenti i Shqipërisë, ai plotëson kushtet për shpërndarjen e tij.

“Ky Parlament duhet të ishte shpërndarë një ditë e më parë. Ju e dini që Parlamenti shpërndahet me një dekret, por ata e kuptojnë edhe vetë shumë mirë se ku janë dhe që duhet të shpërndahen”, deklaroi ai gjatë një interviste për emisionin “Open".

Meta tha se beteja e tij do të jetë që t’u jepet mundësi shqiptarëve që të vendosin, përsa kohë politika nuk është në gjendje që të arrijë kompromise.

“Populli shqiptar ka dalë jashtë loje”, thotë ai.

Meta thotë se Shqipëria është shumë vonë si shtet për t’u treguar kufijtë disa diplomatëve të huaj që kanë abuzuar me respektin që shqiptarët kanë për ta.

Presidenti nënkupton se një pjesë e tyre janë të korruptuar dhe sqaron se përse zgjodhi pikërisht tani që të shpallte të padëshirueshëm në Presidencë Ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt.

“Po bëhet si një sport shumë fitimprurës i disa diplomatëve për të vënë në diskutim institucionet e shtetit shqiptar, edhe Presidencën, që është simbol i sovranitetit të shtetit”, deklaroi Presidenti.

Meta akuzon Borchardt për qëndrime personale, krejt të ndryshme nga ato të OSBE.

“Veprimi im është ndaj tij si person jo OSBE-së”, tha ai, duke shtuar se ka një grup diplomatësh që janë bërë si leckat e Edi Ramës.

Duke iu rikthyer përplasjes dhe padisë ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani, Presidenti tha se nuk ka hequr dorë nga kallëzimi penal i tij.

“Do të bëhet shembull për të rikthyer besimin tek reforma në drejtësi, që askush të mos tallet me reformën si në këto dy vitet. Faktet janë flagrante dhe unë nuk bëj shaka me Kushtetutën”, tha Meta.

Presidenti thotë se Dvorani nuk është i vetëm në këtë skemë, madje ai ka marrë garanci për t’i dhënë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, Edi Ramës.

“Ka patur një lobim të fortë për t’i dhënë gjithë drejtësinë Edi Ramës, pavarësisht se BE dhe SHBA-në kanë dhënë shumë para për çështje të tjera, por këta kanë bërë çdo gjë për t’ia dhënë Edi Ramës. Dvorani ka marrë disa garanci për të vjedhur anëtarin e Kushtetuese”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë