Politike

E akuzoi për komplot në verë, por Meta fton Sorosin në takim

Gjatë verës e sulmoi ashpër dhe drejtpërdrejt miliarderin Xhorxh Soros, për të cilin tha se si miku i Edi Ramës po ndërhyn në Shqipëri dhe po komploton për reformën në drejtësi. Madje Presidenti e uroi Xhorxh Sorosin që t’i gëzojë miliardat e veta dhe iu betua “se Ilir Meta nuk është i racës së Gruevksit, por është Presidenti i Shqipërisë, është i racës së politikanëve të Avni Rustemit, edhe e disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli dhe Vojo Kushi”. Por tashmë në një situatë dhe krizë të re me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, kreu i shtetit vendos që të ftojë përfaqësuesit e Fondacionit Soros këtu në Tiranë për takim javën e ardhshme, bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Unë do ta mbroj Shqipërinë nga të gjithë ata që u duket Shqipëria si një mizë lisi e mund të tallen me të. Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin, kryeministrin hungarez, në janar të 2000, kur unë i flisja me gjithë dashuri për Sorosin që na ndihmoi ne si opozitë atë kohë. Më tha “kini kujdes për Soros se nuk është demokrat sa ç’duket dhe nganjëherë përzihet në punë e demokracisë, i komploton”, tha Meta disa muaj më parë.

Presidenti Meta pritet të ftojë për takim javën e ardhshme edhe Këshillin e ambasadorëve për t’i informuar për situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon izolimin e vendit, sipas tij.

Po kështu, presidenti u dërgoi ftesë zyrtare kryetarëve të partive opozitare që prej muajsh kanë braktisur Parlamentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë